Tuesday / September 10 / 2024
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Ads
Bota Të Tjera nga Bota

Markat luksoze ofrojnë 50% zbritje pasi blerësit kinezë frenojnë shpenzimet

Share Share Icon

Konsumatorët e klasës së mesme të vendit, dikur të pangopur, janë bërë më të kursyer.

Mallrat e luksit po zbatojnë zbritje deri në 50 % në Kinë, ndërsa blerësit e klasës së mesme frenojnë shpenzimet për artikujt e shtrenjtë dhe shitësit me pakicë përballen me sasi të mëdha inventari.

Zbritjet në vend po ofrohen kryesisht nga markat si Versace dhe Burberry, pasi konsumatorët e klasës së mesme, dikur të pangopur po bëhen më të kursyer, sipas ekspertëve të industrisë.

Këto marka kishin filluar të shisnin mallrat e tyre në platformat lokale të tregtisë elektronike, për të përfituar nga një bum i shpenzimeve luksoze gjatë pandemisë së koronavirusit. Por, kompanitë e tregtisë elektronike, tani po ulin çmimet, për të nxitur trafikun në një ekonomi të ngadaltë.

Marc Jacobs në fillim të korrikut ofronte një zbritje prej më shumë se 50 % në çantat, veshjet dhe këpucët në Tmall Luxury Pavilion, platforma premium e tregtisë elektronike të Alibaba, ndërsa Bottega Veneta ofronte një kredi 24-mujore pa interes, për të blerë çanta në të njëjtën faqe.

Në të kaluarën, “të gjithë ishin fitues” në tregun e luksit në Kinë, tha Jonathan Siboni, themeluesi i platformës së inteligjencës së të dhënave Luxurynsight në Paris. “Tani ka një polarizim midis fituesve dhe humbësve.”

Zbritjet mesatare të produkteve Versace dhe Burberry në Kinë, në të gjitha kanalet e shpërndarjes arritën, dhe në disa raste tejkaluan, 50 % në 2024, nga 30 dhe 40 % në 2023, respektivisht, sipas Luxurynsight.

Burberry paralajmëroi në përditësimin e tremujorit të parë, se fitimet vjetore do të binin nën pritshmëritë, me shitjet e krahasueshme të dyqaneve në Kinën kontinentale, që ranë 21 %. Shpenzimet e klientëve kinezë jashtë shtetit “kanë rënë, por janë mbajtur më mirë se Kina kontinentale”, tha kompania.

Markat e nivelit të lartë si Louis Vuitton, Hermès dhe Chanel, të cilat kanë qenë më elastike nëpër rajone dhe synojnë klientë të pasur, kanë mbajtur kontroll më të fortë në shpërndarje dhe kanë shmangur zbritjet, sipas ekspertëve.

Tregu i brendshëm luksoz i Kinës u dyfishua në madhësi midis 2019 dhe 2021, sipas konsulencës Bain, pasi kufizimet e udhëtimit gjatë pandemisë i detyruan blerësit të blinin mallra ‘në shtëpi’.

Kompanitë grumbulluan produkte për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje dhe nxituan të zgjerojnë shtrirjen e tyre në treg, duke iu bashkuar grupeve lokale të tregtisë elektronike të palëve të treta, si Tmall dhe JD.com.

 width=

Deri në tetor 2020, gjithsej 200 marka luksoze i ishin bashkuar Tmall-it. Kompanitë luksoze gjithashtu kishin rritur çmimet në Kinë, për të rikuperuar disa nga humbjet në Europë dhe SHBA, pasi vendet vendosën bllokime të rrepta.

Shpenzimet për produktet e luksit në Kinë, mori një kthesë në vitin 2022, kur qeveria vendosi kufizime në qytete duke përfshirë Shanghain, Pekinin dhe Guangzhou. Pas lehtësimit të kufizimeve në fund të vitit, rimëkëmbja e tregut u zbut nga ngadalësimi i rritjes ekonomike, një krizë pronash, rritja e papunësisë tek të rinjtë dhe besimi i ulët i konsumatorëve.

Ritmi i blerjeve në Kinë u ngadalësua në tremujorin e dytë, duke mos arritur parashikimet. Produkti i brendshëm bruto u zgjerua me 4.7 % në tremujorin e dytë.

Markat luksoze dhe shitësit me pakicë kanë mbetur me shumë inventar dhe kanë filluar zbritjet, pasi udhëtimet ndërkombëtare kanë rifilluar. Monedha e dobët ka shtuar presionin e mëtejshëm, duke i bërë produktet luksoze në Japoni më të lira se në Kinën kontinentale.

Grupet kineze të tregtisë elektronike kanë mbajtur tradicionalisht një sërë ‘festivale shitjesh’ gjatë gjithë vitit. Por, ndërsa ekonomia ngadalësohet, shitjet janë rritur në frekuencë dhe konkurrenca për blerësit është intensifikuar. Yoox Net-a-Porter, një platformë e-commerce e specializuar në zbritjet e luksit, u tërhoq nga tregu kinez në qershor.

 width=

Disa marka luksoze po vuajnë gjithashtu norma më të larta kthimi, pasi blerësit përfitojnë nga promovimet në internet, që u kërkojnë atyre të shpenzojnë një shumë specifike, për të aktivizuar një zbritje.

Në Marc Jacobs, normat e kthimit dhe anulimit në Kinë shkuan nga 30 % në 2023 në 40 % në 2024, ndërsa në Brunello Cucinelli ato u rritën nga 59 % në 69 % në të njëjtën periudhë, sipas Luxurynsight.

Zbritjet kanë habitur disa blerës luksoz, dhe jo domosdoshmërisht në një mënyrë të mirë. Pooky Lee, kurator i modës dhe bashkëdrejtor i agjencisë krijuese me bazë në Shangai, Poptag, tha se zbritjet prej 40 deri në 60 % në markat përfshirë Bottega Veneta dhe Jil Sander, kishin ndryshuar perceptimin e tij për vlerën e tyre.

Është e paqartë nëse zbritjet do të ndihmojnë markat të pastrojnë stoqet e tyre, pasi besimi midis blerësve kinezë mbetet i ulët. Hulumtimi nga Deloitte tregon se përqindja e të anketuarve kinezë, që thonë se kanë shpenzuar për të paktën një artikull në muajin e kaluar, ka rënë nga 59 % në 2022 në 42 %, që nga qershori 2024.

Për shumë konsumatorë kinezë, zbritjet do të ndikojnë në vendimet e tyre të ardhshme të blerjeve. Ata dëshirojnë të kenë produkte, që do të ruajnë vlerën e tyre.

Markat me zbritje mund t’i bëjnë njerëzit të dyshojnë për vlerën aktuale të produkteve, si dhe për vetë markat në përgjithësi./ FT

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Për herë të parë botohen treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore

Eksploro Top List

Lajme të Ngjashme

Azi / Bota /

Çmimet e dobëta të Kinës nxisin frikën e deflacionit

Rriten shqetësimet se forcat deflacioniste po zënë rrënjë në ekonominë e dytë më të madhe në botë Çmimet e prodhimit industrial ranë 1.8 për qind n...

1 day më parë 3 Min Lexim
Europa /

Mario Draghi bën thirrje për rritjen e investimeve të BE-së me 800 miliardë euro

Ish-kryeministri italian kërkon "strategji të re industriale" për të ndaluar Europën që të mbetet pas SHBA-së dhe Kinës Mario Draghi ka kërkuar një...

1 day më parë 5 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu Falas!