Maqedonia e Veriut, dixhitalizimi kundër ekonomisë gri

Të paktën 20% e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut zhvillohet në “zonën gri”, duke ia mohuar vendit dhe buxhetit kombëtar burimet thelbësore për zhvillim. Qeveria e Shkupit ka njoftuar se synon ta luftojë këtë fenomen përmes një dixhitalizimi më efektiv.
Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut shpalli synimin për të përballuar një nga sfidat kryesore të vendit: ekonominë e ashtuquajtur gri dhe keqpërdorimet fiskale, përmes dixhitalizimit të avancuar. Përfitimi kryesor i pritshëm është rritja e të ardhurave për buxhetin e shtetit.
Një arkë shtetërore më e pasur do t’i mundësojë shtetit të ketë më shumë fonde për investime kapitale dhe të reduktojë varësinë nga huamarrja. Pjesë e planit është edhe gjetja e një mënyre për t’i detyruar punëdhënësit të paguajnë kontributet e detyrueshme për sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, të cilat mblidhen në Fondin e Sigurimit Pensional nga ku paguhen pensionet. Aktualisht, ky fond mbështetet me para nga buxheti i shtetit, për shkak të mungesës së vazhdueshme të fondeve.
Disa sipërmarrës thonë se tregtia e padeklaruar fillon që në kufi, kur përveç importeve të rregullta, hyjnë kontrabandë mallra të tjera në mënyra të ndryshme, të cilat më pas bëhen pjesë e ekonomisë gri, pa paguar taksa, tarifa apo kontribute për punonjësit, as fatura të ujit dhe energjisë sipas tarifave industriale.
Trajan Angeloski, president i Unionit të Dhomave të Tregtisë të Maqedonisë së Veriut, vlerëson se sa më shpejt dhe më gjerësisht të zbatohet dixhitalizimi, aq më shpejt do të ulet ekonomia gri. Sipas tij, dekada përvoje kanë treguar se aty ku ndërhyn faktori njerëzor në rregullimin e proceseve ekonomike, ekziston gjithmonë mundësia për korrupsion dhe përpjekje për të anashkaluar sistemin në mënyrë të paligjshme për përfitime të shpejta.
“Për shembull, dikur kishte një sistem shpërndarjeje kuponësh: ishte një skandal, askush nuk mori përgjegjësi për dështimin, dhe rastësisht apo jo, 80% e përfituesve ishin të së njëjtës kombësi me ministrin. 95% e kuponëve u përdorën vetëm në një vend, Popova Shapka. Nuk kemi nevojë për gjëra të tilla nëse duam të jemi një vend serioz. Por situata të tilla mund të zgjidhen përmes dixhitalizimit të gjerë të sistemit ekonomik. Në këtë mënyrë, mendojmë se ekonomia gri do të reduktohej në minimum”, tha Angeloski.
Një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë është “gri”
Instituti për Kërkime Ekonomike “Finance Think”, në studimin “Analiza e detajuar e ekonomisë informale në Maqedoninë e Veriut”, vlerëson se ekonomia gri përbën aktualisht 21.3% të ekonomisë së përgjithshme, por thekson se kjo përqindje mund të jetë edhe më e lartë, pasi matja e aktiviteteve dhe transaksioneve të fshehura ekonomike është gjithmonë e vështirë.
Në një deklaratë për mediat vendase, drejtoresha ekzekutive e “Finance Think”, Blagica Petreski, vlerëson se të ardhurat fiskale të pambledhura nga ekonomia gri arrijnë në rreth 500 milionë euro, më shumë sesa huaja e planifikuar që qeveria maqedonase synon të marrë nga Hungaria për zhvillimin e ekonomisë. Ajo thekson se duhet të rritet volumi i mbledhjes së taksave, në mënyrë që të mos ketë nevojë për hua të tilla.
Dixhitalizimi për ta nxjerrë në dritë
Administrata Tatimore Publike dhe Ministria e Financave po punojnë për të reduktuar ekonominë gri përmes disa mekanizmave, si dixhitalizimi i plotë i pagesave ndërmjet kompanive me anë të faturave elektronike dhe Strategjia e Formalizimit të Ekonomisë Gri.
“Qëllimi i sistemit të faturës elektronike është që të jetë i zbatueshëm për të gjithë tatimpaguesit, duke ofruar mundësi të përshtatshme për çdo kategori për të krijuar, për të dërguar dhe për të marrë faturat në formë elektronike”, u përgjigj Ministria e Financave, në pyetjet e gazetarëve.
Administrata Tatimore njofton se po bëhen përgatitje intensive për zbatimin e projektit të faturës elektronike.
“Disa kompani të teknologjisë së informacionit tashmë po zhvillojnë softuerë për të mbështetur funksionimin e kompanive vendase në fushën e faturimit. Kompanitë e IT-së e shohin faturën elektronike jo vetëm si një mjet për të reduktuar evazionin fiskal, por edhe si një instrument që do të ketë vlerë të shtuar për vetë bizneset”, thuhet në një deklaratë zyrtare të publikuar në faqen e agjencisë.
Besim i ulët tek institucionet
Studiuesit e “Finance Think” theksojnë se në vend ekziston gjithashtu një moral i ulët fiskal midis sipërmarrësve dhe popullsisë, i ndikuar nga funksionimi i dobët institucional. Ata nënvizojnë se sa më i lartë të jetë perceptimi për korrupsionin qeveritar, aq më i ulët është morali tatimor dhe aq më e lartë është pranueshmëria ndaj informalitetit të ndërmarrjeve të vogla.
Autorët e studimit “Pjesa gri e ekonomisë maqedonase: madhësia, pasojat dhe zgjidhjet” paralajmërojnë se krijimi i një sistemi të faturimit elektronik do të jetë një hap i rëndësishëm për “luftën kundër ekonomisë gri”, dhe rekomandojnë përfshirjen e një nënsistemi elektronik për menaxhimin e inventarëve, për të kontrolluar importin e të gjitha mallrave dhe mënyrën e transferimit të stokut te subjektet e tjera.
Sipas tyre, ekonomia gri në vend përbëhet nga persona që punojnë pa u paguar kontributet për sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, si dhe nga kompani që nuk deklarojnë qarkullimin, me qëllim shmangien e pagesës së TVSH-së. / Aleksandar Samardjiev, Tetovë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









