Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se mosrealizimi i shpenzimeve kapitale do të ketë efekte negative afatgjata në ekonomi.
Profesor Ardian Civici, shpjegon se mungesa e injektimit të likuiditetit në ekonomi nga qeveria ndikon ndjeshëm në mos- stimulimin e rritjes ekonomike, në hapjen e vendeve të reja të punës, në të ardhurat nga tatimet dhe taksat, dhe mbi të gjitha në rritjen e kërkesës së brendshme, e cila vazhdon prej shumë muajsh të jetë një problem madhor makroekonomik për t’u zgjidhur.
Për ekspertin e Ekonomisë, Arben Malaj, ka shqetësim edhe te kalimi i investimeve nga burime të jashtme në burime të brendshme, pasi situata do të përkeqësohej në një periudhë tjetër të mëvonshme.
Adrian Civici: Qeveria të gjejë një ekuilibër të ri prioritetesh
Zoti Civici, në fund të periudhës tetëmujore, shpenzimet buxhetore për investime rezultojnë mbi 11.6 miliardë lekë më pak se planifikimi i periudhës. Çfarë do të thotë kjo për ekonominë shqiptare në kushtet e rënies së kredisë nga bankat dhe mosinjektimit të parasë në ekonomi nëpërmjet rritjes së pagave dhe pensioneve?
Problemi i realizimit të shpenzimeve buxhetore për investime është një çështje delikate për ecurinë dhe stabilitetin e disa prej treguesve kryesorë të ekonomisë shqiptare. Këto shifra të përballin së paku me dy probleme të rëndësishme.
Së pari, me faktin se sa real ka qenë planifikimi i këtyre shpenzimeve për investime, në sensin e një korrelacioni të fortë ndërmjet disponibilitetit të financimeve dhe projekteve e strategjive konkrete të realizimit në praktikë të tyre, qoftë kjo edhe në këndvështrimin e një shtrirjeje të ekuilibruar të tyre gjatë muajve të vitit. Së fundmi po diskutohet si një mundësi e mirë dhe rialokimi i financimit të disa projekteve nga financime të huaja me financime të brendshme.
Së dyti, në qartësimin e faktit nëse investimet publike nuk realizohen, pasi një pjesë e financimeve shkojnë për të paguar borxhet ndaj biznesit, apo nuk realizohen me synim që të ngushtohet deficiti buxhetor e borxhi publik? Cilado që të jetë arsyeja apo arsyet, mungesa e injektimit të likuiditetit në ekonomi nga qeveria ndikon ndjeshëm në mos-stimulimin e rritjes ekonomike, në hapjen e vendeve të reja të punës, në të ardhurat nga tatimet dhe taksat, dhe mbi të gjitha në rritjen e kërkesës së brendshme, e cila vazhdon prej shumë muajsh të jetë një problem madhor makroekonomik për t’u zgjidhur. Natyrisht, që më pak shpenzime buxhetore për investime, e bëjnë mjaft të vështirë mbushjen e boshllëkut të investimeve në ekonomi që shkaktohet nga tkurrja e kredisë bankare në përgjithësi.
Nëse tepricat në fondin e investimeve buxhetore do të jenë në të njëjtat nivele deri në fund të vitit, si duhet t’i adresojë qeveria këto teprica?
Shpresoj që të mos jenë të tilla deri në fund të vitit dhe të gjenden rrugët e mënyrat për t’u realizuar 100% këto investime, por nëse 31 dhjetori 2014 do të vazhdojë të na gjejë me teprica të parealizuara, dy janë rrugët apo format më eficente të përdorimit të tyre: shlyerja e borxheve të planifikuara ndaj biznesit që do të ishte prioritet, si dhe adresimi i tyre për uljen e deficitit buxhetor apo borxhin e brendshëm. Duket se kjo rrugë shkon në të njëjtin sens edhe me rekomandimet e FMN-së.
Çfarë i rekomandoni qeverisë për të përmirësuar këtë situatë?
Në situatën aktuale, duke ndjekur dhe trendin e debateve ndërkombëtare si dhe recetave apo formulave që rekomandohen, qeveria duhet të marrë një pozicion të qartë në raport me dilemën: nëse do t’i japë prioritet rigorozitetit financiar e buxhetor, pra do të synojë me përparësi stabilizimin dhe reduktimin e deficitit buxhetor e borxhit publik, apo do të veprojë me përparësi me politika e masa që stimulojnë rritjen ekonomike e punësimin? Mendoj se në kushtet kur rritja ekonomike në Shqipëri është akoma e ulët, objektivi prej 2–2.5% duket si më i larti e më i vështiri për t’u arritur, mund të kërkohet një ekuilibër tjetër prioritetesh ndërmjet rigorozitetit financiar e rritjes ekonomike në favor të nxitjes ekonomike. Rishikimi apo plotësimet që po i bëhen së fundmi buxhetit të vitit 2014, në fakt nuk evidentojnë ndonjë tendencë për stimulimin e rritjes ekonomike dhe investimeve prodhuese.
———–
Arben Malaj: Buxheti 2014, pjesa më e dobët, investimet
“Viti 2014 kishte fleksibilitet maksimal nga parlamentarët dhe FMN”, ka pohuar eksperti Arben Malaj, për emisionin “Të bësh ekonomi” në News 24. U arsyetua që burimet që ushqejnë ekonominë ishin varfëruar. Të ardhurat nga emigrantët ranë, edhe Investimet e Huaja Direkte ishin në rënie, ndërsa kredia ishte me rritje negative. Sipas tij, u mendua të zgjidhej modeli neokejsianist që toleronte një deficit më të lartë, ku qeveria do e kishte vetëm këtë vit këtë mundësi. Nuk do tolerohet vitin tjetër, pasi deficiti do të jetë 4.7% e PBB-së, nivel që është shumë i ulët në krahasim me 6.7% që është këtë vit. Malaj shton se vitin e ardhshëm do të ketë një ulje të madhe deficiti dhe duhet menduar, cila do të vijë nga shpenzimet dhe cila nga të ardhurat. “Në pamje të parë shohim se, deficiti është i ulët, por kjo nuk është gjë e mirë për ekonominë. Pasi nuk janë hedhur para dhe duhet të ishte më e madhe sasia e shitjeve, çka do të sillte prodhim për firmat dhe punësim”. Cili është shqetësimi: Këtë vit u mendua që do të shlyheshin 35 miliardë lekë detyrime. Kjo është gjë e mirë, sipas Malajt, se tregon se do të jepet likuiditet dhe shteti i njeh detyrimet. Por tani Ministria e Financave tregon se 1/3 nuk janë paguar. Duhet kuptuar se, jo të gjitha këto pagesa janë paguar nga taksapaguesit, pasi është marrë kredi nga FMN. Pra, 1/3 nga kredia e FMN-së dhe 2/3 nga taksat dhe sa më shpejt të hidhen këto para në qarkullim, aq më mirë është.
Pjesa më e dobët është pjesa e investimeve publike. Kam shqetësimin te kalimi i investimeve nga burime të jashtme në burime të brendshme, me çfarë do të financohen. Rritja është 8 miliardë lekë, po marrin 3.2 mld lekë nga të ardhurat dhe pjesa tjetër është huamarrja e brendshme. Kjo lidh Ministrinë e Financave me bankat. Nëse ne do t’i duam t’i përmirësojmë treguesit me huamarrje të brendshme, nuk është mirë, pasi situata do të përkeqësohej në një periudhë tjetër të mëvonshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.