Liria funksionon! … Por kur ruhet e konsolidohet
Revistë 995
- Tendenca, shtrenjtohet mielli
- Tregu i punës, ende i brishtë / Overdraftet e individëve ngelen poshtë nivelit të para pandemisë
- Aeroporti i Sarandës / Koncesionari paguan 2% të të ardhurave bruto, si do miratohen tarifat
- Kazinotë / Tirana bëhet me dy të tilla në hotele me 5 yje, hapet një e tretë në Vlorë
- Koncesionet e HEC-eve / Në 6-mujorin e parë të vitit hynë në prodhim 14 të rinj
Këto ditë, temë qendrore në mediat botërore dhe të Shqipërisë, ka qenë largimi nga Afganistani i trupave ushtarake të SHBA-së dhe vendeve të tjera aleate, në zbatim të marrëveshjes së arritur me talebanët, në Doha, Katar, në shkurt të vitit 2020.
Marrëveshja e arritur nga ish-presidenti Tramp, në pamjen që iu shfaq publikut, jo vetëm atij amerikan, u zbatua pa hezitim nga presidenti i tanishëm Bajden, duke respektuar madje edhe afatet e pranuara për largim.
Largimi i trupave ushtarake po shoqërohet me largim edhe të të huajve të tjerë, si dhe mjaft afganëve, kryesisht i atyre që ndiejnë se mund të jenë në shënjestër të hakmarrjes e ndëshkimit nga forca që mori në dorë pushtetin, talebanët.
Luftës së Afganistanit, të nisur në tetor të vitit 2001, si përgjigje ndaj sulmeve terroriste në Nju Jork dhe Uashington, më 11 shtator 2001, duket se i erdhi fundi 20 vjet më pas, në gusht 2021. Një luftë e nisur për rrëzimin e pushtetit të fraksionit politik dhe fetar ultrakonservator të talebanëve, që siguroi strehën për Al-Kaedën, autoren e sulmeve të 11 shtatorit, u përshkallëzua më tej me zbatimin e strategjisë për të mundur ushtarakisht talebanët dhe për të rindërtuar institucionet bazë të shtetit afgan; e mbrojtjes së popullatës nga sulmet e talebanëve dhe përpjekjet për riintegrimin e kryengritësve në shoqërinë afgane; si dhe më pas transferimin gradual të përgjegjësive e detyrave në forcat dhe institucionet afgane.
Por, ajo që shkaktoi habinë dhe keqardhjen në publik, në fazën e fundit të tërheqjes së trupave të huaja nga Afganistani, ishte shpejtësia me të cilën talebanët, të luftuar dhe të dërrmuar prej 20 vjetësh nga forcat ushtarake të SHBA, aleatëve të tyre dhe forcat vendase, morën në dorë territorin e vendit.
Perspektiva e rikthimit të vendit në regjimin taleban, pavarësisht i zbutur apo jo, ka nxitur një përpjekje frenetike për largim nga vendi të qytetarëve afganë dhe një shqetësim për valë të tjera masive emigrimi. Edhe më tragjike duket situata kur shoqërohet me raste fatale ndër njerëzit e dëshpëruar për largim.
Analistë të shumtë nxituan të shtjellojnë opinione e arsyetime mbi gjithçka ndodhi në rrugëtimin 20-vjeçar të Afganistanit, nga regjimi taleban në regjimin taleban, që po restaurohet. Askush nuk mund të përcaktojë me saktësi çfarë do të ndodhë më pas në këtë vend e në rajonin përreth.
Për momentin, fokusi mbetet në përfundimin e tërheqjes dhe në gjetjen e strehës së përkohshme apo të përhershme të afganëve që po largohen e vendosen në vende të tjera, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, një gjest humanitar dhe mbështetës për kërkesën e aleatëve.
Por, ngjarjet në Afganistan tërheqin vëmendjen mbi një fakt themelor: vlera e LIRISË dhe rëndësia e ndërtimit të institucioneve shtetërore me themele të forta.
Në vitin 1991, ish-Sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker, do të thoshte fjalinë e famshme përpara masës së ekzaltuar dhe të uritur të popullit shqiptar për liri e demokraci: “Freedom works!” (Liria funksionon). Dhe vërtet, liria filloi të funksionojë e të japë rezultat për popullin shqiptar pas vitit ’92, duke pasur këtu parasysh përmasat lirisë: e fjalës, e shprehjes, e besimit, e lëvizjes, liri ekonomike, iniciativa e lirë etj., pavarësisht disa kufizimeve.
Por, në Shqipëri, ne e mësuam që pikërisht kufizimet mbi lirinë (si p.sh., liria e lëvizjes), qoftë edhe të vogla, nxisnin shfaqjen dhe zhvillimin e fenomeneve që deformonin jetën ekonomike dhe shoqërore, duke u kthyer në shtrat për korrupsion dhe keqadministrim (siç ishte rasti i nxitjes së trafikut të qenieve njerëzore drejt vendeve të BE-së e më tej).
Gjithsesi, besimi ishte që ngritja dhe forcimi i institucioneve të shtetit të së drejtës do të krijonin terrenin për të kontrolluar dhe për të minimizuar fenomenet negative dhe ato gërryese të lirisë. As ne nuk i shpëtuam dot rrënimit të institucioneve të shtetit në disa raste, e që u shfaq në formën e vet më agresive, me shkërmoqjen e tyre në vitin ’97, duke na bërë të kuptojmë, por jo ende të mësojmë, se është më e lehtë të rrëzosh sesa të ngresh ngrehinën e lirisë e të demokracisë.
Sot, pas 30 vjetësh nga procesi i emërtuar rrëzim i diktaturës komuniste, më të egrës ndër shoqet e veta, Shqipëria mbetet ende një demokraci e brishtë (sipas Indeksit të Demokracisë Botërore, të hartuar nga “The Economist”); me një liri ekonomike të moderuar dhe në përkeqësim kundrejt vitit 2020, për shkak, kryesisht, të fushës së të drejtave pronësore dhe të efektivitetit të sistemit gjyqësor (sipas Indeksit të Lirisë Ekonomike të hartuar nga Fondacioni “Heritage”), dhe mbi të gjitha, me një korrupsion të përhapur (sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, të hartuar nga “Transparency International”), ku Shqipëria rezulton e renditur në vendin e 104-tët (nga 180 vende) me një rezultat indeksi 36 (nga 100 vlera maksimale për një vend të pakorruptuar).
Qartazi liria funksionon. Ajo krijon shtratin e nevojshëm për zhvillim dhe përparim ekonomik e shoqëror të pasforcuar, të paimponuar dhe mbi të gjitha, krijon ambient të pranueshëm për pjesën dërrmuese të popullsisë së një vendi. Por, liria nuk duhet të merret e mirëqenë sa kohë që institucionet janë brishta. Të tilla institucione nuk shërbejnë dot si mbrojtëse të lirisë dhe shumë lehtë i hapin rrugën autokracisë e restaurimit të diktaturës, apo çdo forme të kamufluar të saj.
Mënyra se si ekonomia shqiptare po zhvillohet këto kohë, me përqendrim strukturash dhe burimesh të ekonomisë dhe financës, flet pikërisht për kufizim të lirisë ekonomike, ngushtim të hapësirës së iniciativës së suksesshme ekonomike, që automatikisht krijon terren për kufizim, në fakt, të lirive të tjera, gjë që shprehjen më të dukshme e ka në valën e pashterur ende të emigrimit të shqiptarëve. Korrupsioni i pranishëm e ndihmon edhe më tej këtë fenomen.
Afganë! Pra, mirë se na erdhët, në tokën ku hemorragjia e emigrimit nuk po ndalet. Ju e latë vendin tuaj në kaos dhe në momentin e një perspektive të zymtë. Prania juaj këtu, të paktën të na ndihmojë ne, që të vetëdijësohemi se liria nuk duhet të merret si e mirëqenë dhe si e pakthyeshme.
“Freedom works!”, por kur ne punojmë për të.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.