Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se Ligji për Pagën Minimale, i cili nuk i përfshin pensionet e veteranëve të luftës së UÇK-së nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. Ligji i ri i Pagës minimale nuk i përfshin veteranët. Deri tash pensioni i tyre lidhej me pagën minimale që ishte 170 euro. Tash, ajo është rritur në 264 euro, por vetëm për punëtorët.
Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Qeverisë për Ligjin për pagën minimale, pas shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për vlerësim.
Sipas publikimit të mërkurën, Kushtetuesja ka vendosur që ndryshimet e ligjeve për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të verbrit, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë nuk janë në kundërshtim me nenin për barazi para ligjit.
“… njëzëri, të shpallë, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-142 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Ligji i ri i Pagës minimale nuk i përfshin veteranët. Deri tash pensioni i tyre lidhej me pagën minimale që ishte 170 euro. Tash, ajo është rritur në 264 euro, por vetëm për punëtorët.
Në lidhje me veteranët e UÇK-së, Kushtetuesja tha se ndërlidhja e lartësisë së pensioneve të veteranëve të UÇK-së me lartësinë e pagës minimale nuk është ndryshuar përmes Ligjit për Pagën Minimale, por është ndryshuar në vitin 2017 përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit të Veteranëve
“Ky ligj, për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, që në vitin 2017 (i) ka eliminuar nenin 18 (Lartësia e shumës së pensioneve) të ligjit bazik, përkatësisht dispozitën që ka saktësuar se varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, në fund të çdo viti, për vitin e ardhshëm, Qeveria me propozimin e Ministrisë së Financave, mund të vendosë për lartësinë e shumës së pensionit të veteranit të UÇK-së, me kushtin që ky pension “nuk mund të jetë më i vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë”; ndërsa, (ii) i ka shtuar ligjit bazik nenin 16A (pa titull), i cili ndër tjerash, ka përcaktuar kategorizimin e veteranit të UÇK-së në përputhje me kohën e mobilizimit dhe shërbimit në UÇK, duke saktësuar lartësinë e pensionit mujor për secilën kategori dhe duke e kufizuar lartësinë e përgjithshme të pagesave për pensionet e veteranëve të UÇK-së në kufirin e 0.7% (zero pikë shtatë përqind) të Bruto Prodhimit Vendor në vit.
Aktgjykimi rikujton që ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Veteranët të vitit 2017, janë kontestuar para Gjykatës Kushtetuese dhe kjo e fundit, përmes Aktgjykimit në rastin KO01/17, ka trajtuar në mënyrë specifike çështjen e eliminimit të referencës, përkatësisht ndërlidhjes së lartësisë së pensioneve të veteranëve të UÇK-së me nivelin e pagës minimale në Republikën e Kosovës. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin përkatës të vitit 2017, Gjykata ka vlerësuar që përderisa eliminimi i garancive që ndërlidhen me pagën minimale për kategoritë e veteranëve të UÇK-së, përbën “ndërhyrje” në të drejtat përkatëse pronësore, kjo “ndërhyrje” kishte një qëllim legjitim dhe ishte proporcionale me qëllimin e ndjekur, duke konstatuar rrjedhimisht që nuk është në kundërshtim me Kushtetutë”.
Për shumë vjet, paga minimale është caktuar në kufijtë e 130, përkatësisht 170 eurove.
Në këtë nivel janë paguar edhe veteranët e luftës të UÇK-së. Por, për shkak të dyshimeve se numri i tyre është rritur për qëllime elektorale – nga diku 13 mijë në afro 60 mijë, ka pas një përpjekje hetimi për të zbardhur se kush janë “veteranët e rrejshëm” dhe me urdhër të kujt janë fryrë listat.
Numri më i madh është rritur në Dukagjin – nga afro 1.500 sa kanë qenë në shumicën e regjistrave zyrtarë, në afro 12 mijë që aktualisht janë përfitues të pensionit. Kryeministri Albin Kurti gjatë debateve për veteranët dhe ligjin për pagën minimale pati shprehur nevojën për pastrimin e listave.
Ligji parasheh po ashtu që pensioni i veteranit të përcaktohet me vendim të Ministrisë së Financave.
Pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, Faton Klinaku, kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka paralajmëruar protestë për ditët në vijim.
Deputetët e partisë në pushtet, Vetëvendosje, patën vlerësuar se veteranët duhet të veçohen nga punëtorët dhe si të tillë duhet të trajtohen me ligj të veçantë.
Në kërkesën për vlerësim, AAK-ja pati thënë se i ka adresuar tri çështje, për shumën e pagës minimale, diskriminim të palëve dhe e treta për veteranët. Sipas AAK-së, “kjo s’ka qenë vetëm shkelje, por lidhet edhe me vlerat që përfaqëson kjo kategori”.
Ligji parasheh ndryshimin e disa ligjeve tjera, ndër të cilët ishte edhe përcaktimi i shkallëve tatimore në të ardhurat personale.
Paga minimale në vend do të bëhet 264 euro bruto, nga 130-170 sa ishte qe 11 vjet.
Pos rritjes së pagës minimale, që sipas Qeverisë, prek mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat, rritje do të kenë edhe ata që kanë pasur e vazhdojnë të kenë pagë mbi 250 euro neto.
Sipas ligjit, një ndryshim në shkallët tatimore do të bënte që secila pagë të rritej prej 6.8 euro. Sipas Qeverisë, nga ndryshimi i shkallës tatimore përfitojnë rreth 380 mijë punëtorë.
Aktualisht, pagat tatohen sipas shkallëve tatimore nga 0 deri në 10 për qind për punën primare, ndërsa për ato sekondare mbi 10 për qind.
Pos kontributit pensional, pesë për qind nga i punësuari dhe pesë nga punëdhënësi, secili punëtor kontribuon me tatim mbi pagë në shtet.
Ndërkaq me ligjin e ri, shkalla tatimore ndryshon dhe ajo e dyta, prej 4 për qind hiqet. Pra, çdo punëtor do të paguajë 6.8 euro më pak tatim për pagë. Në rastin me 300 euro pagë bruto, paga neto do të ishte 282.2 euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.