Kosova drejt zgjedhjeve të reja: Edhe Glauk Konjufca nuk arrin të formojë qeverinë

Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta votojë Qeverinë e re në krye me Glauk Konjufcën, si mandatar i dytë nga VV. Pro ishin vetëm 56 vota për, teksa të nevojshme për formimin e Qeverisë janë 61. Në sallë ishin të pranishëm deputetë.
Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër formimit të qeverisë me kryeministër Glauk Konjufcën. Pro formimit të propozimit qeverisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër.
Konjufca në prezantimin e tij kërkoi votë për të shmangur një palë zgjedhje të reja, teksa ka thënë se me urgjencë do të trajtonte buxhetin e shtetit. Ai doli para deputetëve për votim pa siguruar marrëveshje politike me ndonjë subjekt tjetër.
Në kabinetin e propozuar nga Konjufca pati fare pak dallim në emra nga ai paraprak i propozuar prej Albin Kurtit. Dallimi ishte te ministri i Infrastrukturës. “U shkarkua” Dimal Basha e “u ngarkua” Besnik Bislimi.
Konjufca ishte mandatari i dytë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Paraprakisht, më 26 tetor Albin Kurti dështoi në votimin e parë. Pas tij presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor e mandatoi Konjufcën.
Pas dështimit edhe të Glauk Konjufcës për ta formuar Qeverinë e re, deputeti i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se Presidentja Vjosa Osmani e ka obligim që sa më parë ta shpallë datën e zgjedhjeve.
Krasniqi tha se nuk duhet humbur kohë më shumë.
“Jemi duke shkuar shpejt drejt zgjedhjeve të parakohshme. Pas këtij dështimi të paralajmëruar, Presidentja e Republikës e ka obligim që sa më parë ta shpallë datën e zgjedhjeve, që të mos humbet kohë më tej”, ka deklaruar Krasniqi pas seancës.
Ai foli edhe për seancën e parë që e bojkotuan.
“Kosova nuk është duke i rrezikuar as fondet e BE’së e as kreditë e Bankës Botërore e as qytetarët nuk mbesin pa paga vitin e ardhshëm, pa votimin e atyre pikava”.
Deputeti i Lidhjes Demokratike Armend Zemaj, pas dështimit të votimit të mandatarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se në në fund u pa edhe shfaqja teatrale e kësaj partie.
Ai i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që t’i respektojë afatet kohore dhe të mos lejojë ndërhyrje.
“Loja me numra këto 8 muaj dhe dështimi për qeverinë dhe ishte paralajmërim i joni dhe shpërfaqi tendencën e VV-së. Vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Është lajm i keq por ka qenë tepër indikative që kjo do të ndodhë.”
Me rastin e dështimit të Konjufcës, tani presidentja është e obliguar t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes.
Para seancës për votimin e Konjufcës, Kuvendi hapi seancën për formimin e komisioneve, por nuk pati kuorum për vendimmarrje, për shkak të mungesës së partive që deri tash ishin në opozitë, që kanë kundërshtuar iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën më 9 shkurt. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 20.95, LDK-ja me 18.27 dhe AAK-Nisma me 7.8 për qind të votave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









