Fitimet e deklaruara nga 20 kompanitë më të mëdha të huaja që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri, rezultuan 260 milionë euro në vitin 2012, sipas të dhënave nga Tatimet, që zotërohen nga Monitor. Pavarësisht se ekonomia shqiptare shënoi ritmet më të ulëta të rritjes në dekadën e fundit, prej vetëm 1.6%, pjesa më e madhe e kompanive të huaja kanë arritur që të shtojnë ndjeshëm fitimet.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, fitimet e deklaruara të 20 kompanive më të mëdha të huaja janë rritur me 32% në 2012-n, në krahasim me një vit më parë (nga 27 miliardë lekë në 2011-n në 35 miliardë lekë në 2012-n). Fitimet e këtyre kompanive janë gati sa 40% e gjithë fitimeve të deklaruara nga 800 bizneset më të mëdha në vend.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fitimeve transferohen jashtë vendit. Në fakt, tremujori i dytë i vitit shënoi një nënçmim të ndjeshëm të lekut, që iu afrua niveleve më të larta të gati dy viteve, pranë 142 lekëve, si rrjedhojë e kërkesës së lartë për valutë, nga bankat, që blinin për llogari të klientëve të tyre.
Kompanitë me fitimin më të lartë në vlerë absolute mbeten dy operatorët kryesorë celularë, AMC dhe Vodafone, të ndjekura nga bankat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.