Ndonëse 2011-a dhe 2012-a ishin vite të vështirë për ekonominë shqiptare, teksa kriza është ulur këmbëkryq, duke tkurrur fitimet e shumë kompanive, sipërmarrjet e huaja kanë arritur që të transferojnë më shumë fitime gjatë vitit 2012. Sipas të dhënave nga bilanci i pagesave për vitin 2012, zëri “të ardhura dalëse nga investimet”, që kryesisht është transferimi i fitimeve jashtë vendit shënoi një rritje të ndjeshme me 40% me bazë vjetore, duke arritur në 264 milionë euro, duke iu afruar nivelit të vitit 2008. Një vit më parë, ky zë kishte shënuar një rënie të ndjeshme prej gati 50%.
Të dhënat nga tatimet dhe Banka e Shqipërisë tregojnë se kompanitë e mëdha, kryesisht telekomunikacione dhe banka (që janë sipërmarrësit më të mëdhenj të huaj në vend) kanë rezultuar me fitime më të ulëta në vitin 2011 (përgjithësisht në 2012-n janë transferuar fitimet e një viti më parë). Sistemi bankar rezultoi me një fitim minimal prej 0.7 miliardë lekësh në vitin 2011, nga 6.7 miliardë lekë një vit më parë, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.
Edhe kompanitë celulare, AMC dhe Vodafone kanë raportuar fitime më të ulëta në vitin 2011, sipas të dhënave nga tatimet. Vodafone rezultoi me një normë fitimi prej 25% në 2011-n, nga mbi 40% që ishte ky tregues në 2010-n, ndërkohë që dhe AMC kishte një normë fitimi prej 28% në 2011-n, nga rreth 40% një vit më parë. Në vlerë absolute, të dy kompanitë e telekomunikacionit kanë fituar rreth 46 milionë euro më pak në vitin 2011, në raport me një vit më parë. Fitimet në total të të dy kompanive ishin rreth 70 milionë euro në 2011-n, sipas të dhënave nga tatimet.
Kompania tjetër e madhe CEZ, e cila deri në fund të 2012-s ka qenë në duar e çekëve të CEZ ka deklaruar humbje të mëdha për vitin 2011 e 2012.
Edhe të ardhurat në buxhet nga tatim fitimi shënuan një rritje minimale me bazë vjetore në 2011-n, ndërsa u tkurrën ndjeshëm në 2012-n, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.
Në këto kushte, rritja e transferimit të fitimeve nënkupton se sipërmarrjet e huaja po i ri-investojnë më pak fitimet në Shqipëri, ndërkohë që po çojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të fitimeve tek mëmat, të cilat janë të etura për cash, si rrjedhojë e vështirësive të krijuara nga kriza evropiane e borxheve.
Shumat e larta të transferuara janë një nga arsyet kryesore që e kanë mbajtur euron të fortë në tregun vendas, madje edhe në tremujorin e parë të këtij viti, kur euro ra në nivelet më të ulëta të 4 muajve në bursat ndërkombëtare, teksa kompanitë e huaja që veprojnë në Shqipëri kanë filluar tashmë të transferojnë fitimet e 2012-s.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.