Sunday / September 8 / 2024
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Ads
Nga Vendi

Jemi optimistë për 2021, kriza të shërbejë si pikënisje për modele të reja biznesi

Share Share Icon

Intervistë me Bledar Shella, drejtor i përgjithshëm i Bankës OTP Albania

 

Bledar Shella, drejtor i përgjithshëm i Bankës OTP Albania, thotë në një intervistë për revistën “Monitor”, se kriza e ka gjetur sektorin bankar shqiptar në gjendje të shëndetshme.

Pas muajit qershor, Banka OTP ka kredituar me ritme edhe më të larta krahasuar me vitin e kaluar. Deri tani, ai konstaton se efekti i krizës, në cilësinë e portofolit të kredisë, nuk ka qenë shumë i lartë dhe pas moratoriumit, shumica e klientëve i janë kthyer shlyerjes së kredive me ritme normale.

Shella mendon që, nëse ekonomia, ashtu siç pritet, do të fillojë të rimëkëmbet në vitin 2021, atëherë efektet e krizës do të jenë afatshkurtra dhe bankat do të vazhdojnë të kreditojnë dhe të rriten. Ai mendon se kjo krizë duhet t’i shërbejë sipërmarrjes private si një pikënisje për modele të reja biznesi, më novatore dhe bashkëkohore.

 

Si do ta vlerësonit performancën e sektorit bankar gjatë vitit 2020? Sa u ndien pasojat e krizës dhe në cilat drejtime ato ishin më të prekshme?

Ky vit që lamë pas, solli fenomene që nuk ishin ndeshur më parë, si nga ne në Shqipëri, por edhe në mbarë botën. Gjithë ky ndryshim i menjëhershëm detyroi krejt sistemin bankar e po ashtu krejt strukturën ekonomike në vend, të merrte vendime të natyrës ekstreme dhe kërkoi që të gjithë aktorët të vepronin shpejt në përshtatje me situatën.

Ne si OTP Albania u përgatitëm që çfarëdolloj skenari të paraqitej, do të na gjente vigjilentë dhe me zgjidhje optimale. Absolutisht që vëmendja nuk ishte më tek gjenerimi i të ardhurave në kuadër të objektivave tregtarë, por sigurimi i mirëqenies të punonjësve, klientëve dhe krejt bashkëpunëtorëve të bankës.

Përtej çdo pasigurie që lindi dhe zhvillimeve dinamike dita-ditës, ne ia dolëm edhe të garantojmë vazhdimësinë e ofrimit të shërbimit të të gjithë klientëve si në degë, por edhe në distancë. Paralelisht përshtatëm prioritetet brenda biznesit tonë, nivel pas niveli funksional dhe sot mund të deklaroj, me plot gojën, që kjo provë kaloi me sukses.

U arrit mbrojtja e stafit dhe e klientëve, zhvillimi i pandërprerë i shërbimit në të gjitha degët e bankës sonë, u bë në një afat shumë të shkurtër plotësimi i 99% të kërkesave për shtyrje të kredive, si dhe u vijua kreditimi. Madje mund të them që pas hapjes së ekonomisë në maj 2020, Banka OTP ka kredituar me një ritëm dhe më të lartë sesa viti 2019.

Mendoj se performanca e sistemit bankar është për t’u përshëndetur. Bankat kanë luajtur një rol mjaft pozitiv, duke qenë nga institucionet që jo vetëm nuk e ndalën punën, por dhe i ndihmuan klientët për të zbutur situatën, duke bërë shtyrjen e kësteve të kredive, si dhe dhënien e kredive të reja në kuadër të dy programeve qeveritare, si dhe jashtë tyre.

 

Cilat do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar në vitin 2021? Besoni se do të ketë një rritje të raportit të kredive me probleme dhe sa mund t’i ndikojë ky faktor perspektivat e rritjes së biznesit?

Kjo krizë e ka gjetur sistemin bankar në një situatë mjaft të shëndetshme. Sistemi bankar është i mirëkapitalizuar, me nivel kapitali ndjeshëm mbi kërkesat rregullatore, me nivel likuiditeti mjaft të lartë, si dhe normë të kredive me probleme shumë më të ulët sesa ajo e disa viteve më parë.

Sistemi bankar ka treguar gjatë kësaj periudhe që ka qenë aktiv dhe faktohet një rritje si e kredive, ashtu dhe e depozitave. Likuiditetet janë shumë të larta, si në monedhën vendase, ashtu dhe në euro. Ndaj vlerësoj se sistemi bankar është në pozitë ta përballojë mjaft mirë këtë situatë.

Sigurisht që ne përgatitemi për një efekt nga COVID-19, në drejtim të përkeqësimit të cilësisë së kredive dhe për këtë tashmë kemi krijuar fonde provigjionesh shtesë. Gjithsesi, deri tani konstatojmë se ky ndikim nuk është shumë i lartë. Me dy shtyrjet e kësteve të kredive, klientët tanë kanë arritur ta kalojnë periudhën më të vështirë dhe tashmë po kalojnë në nivele më normale aktiviteti.

Sfida kryesore që do të kenë bankat gjatë vitit 2021 lidhet me ekonominë. Nëse ekonomia, ashtu siç pritet, do të rimëkëmbet dhe do të vazhdojë konsumi dhe investimet, atëherë efektet e krizës do të jenë afatshkurtra dhe bankat do të vazhdojnë procesin e tyre të investimeve dhe dixhitalizimit.

 

Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2021? Prisni një rimëkëmbje të shpejtë apo efektet e pandemisë së COVID-19 do të vazhdojnë të jenë të forta?

Mendoj se sistemi bankar shqiptar tashmë është konsoliduar dhe është në një situatë shumë të mirë të parametrave financiarë, gjë që do të bëjë të mundur që të vazhdojë trendin rritës të viteve të fundit, pavarësisht përkeqësimeve të mundshme të portofolit të kredive dhe situatës ekonomike jo shumë pozitive. Po ashtu, mendoj që në të ardhmen e afërt, sistemi bankar do të vazhdojë të jetë aktiv, të kreditojë si dhe të optimizojë më tej kostot.

Ky vit tregoi se investimi në dixhitalizim dhe në bankingun online është domosdoshmëri. Bankat kanë nisur investimet në këtë fushë, por mendoj se këto investime dhe kjo tendencë do të përforcohet në vazhdimësi. E ardhmja duhet të rrisë kulturën e bankës në distancë. Duhet që i gjithë sektori bankar të lëvizë në të njëjtin drejtim. Duhet të investohet ndjeshëm në zhvillimin e kapitalit njerëzor paralelisht me ndryshimet teknologjike.

Shtimi i shërbimeve bankare, pa qenë nevoja e pranisë fizike, është i domosdoshëm dhe ky vit e faktoi këtë. Jam optimist që me përmirësimin e situatës së COVID-19 dhe me ardhjen e vaksinës, ekonomia shqiptare do të ketë një rritje të kënaqshme në vitin 2021. Sektorë si ndërtimi do të vazhdojnë të japin efekt pozitiv dhe shumë e rëndësishme do të jetë performanca e sektorit të turizmit dhe e besimit konsumator.

Vendi ynë ka pasur në të kaluarën e afërt situata, pasojat e të cilave kanë prekur edhe ekonominë. Historia tregon se dinamika e popullit tonë, stili i jetës, kultura e përgjithshme e konsumit, si dhe kursimit, baraspesha mes tyre dhe dëshira për jetën, ka bërë të mundur që çdo pengesë të kalojë.

Mendoj se edhe homologët e mi në banka, besojnë në një ringritje të krejt aparatit ekonomik të vendit në nivelet normale që ne njohim. Projeksionet tona qëndrojnë në linja optimiste për vitin 2021. Në Bankën OTP Albania, ne e kemi nisur tashmë rrugën për vitin e ardhshëm me projekte dhe risi për të cilat po punohet me shumë përkushtim.

Edhe ato biznese që e ndien më fort efektin e pandemisë, besoj se do ta gjejnë forcën dhe rrugën për t’u rikthyer në treg. Madje mendoj se kjo situatë do të na bëjë të gjithëve më krijues. Dëshiroj ta mbyll mendimin tim duke uruar që çdo sipërmarrës në Shqipëri ta lexojë këtë situatë si bazën për të ndërtuar mënyra të reja operimi dhe modele të reja, më shumë krijimtari dhe inovacion, më afër konsumatorit dhe me plane të mirëfillta biznesi.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Për herë të parë botohen treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore

Eksploro Top List

Lajme të Ngjashme

Qeveri ulu: 4!

10 hours më parë 5 Min Lexim
Ads

Përfaqësimi i zërit të punonjësve

Punonjësit sot kanë gjithmonë e më shumë mundësi dhe ndikim në tregun e punës. Përpara 3 apo 4 vitesh, rregullat e marrëdhënies së punësimit përgji...

10 hours më parë 5 Min Lexim

Turizmi, suksesi zhgënjyes i verës

Turizmi, edhe këtë vit, pritet të ketë bilanc pozitiv, duke tejkaluar vitin më të mirë historik që është 2023, por sezoni veror në vetvete zhgënjeu...

1 day më parë 14 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu Falas!