Wednesday / September 11 / 2024
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Editoriali Monitor

Leksionet e përsëritura të verës turistike!

Share Share Icon

Shpresat se kjo verë do të sillte një lulëzim turistik në vend sa vijnë e po zbehen. Të dhënat paraprake deri në 16 gusht tregojnë se hyrjet e të huajve në vend janë ulur, sidomos tkurrje të ndjeshme kanë shënuar kosovarët, deri në 30% (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës). Kur kanë mbetur dhe më pak se dy javë nga mbyllja e sezonit turistik (për fat të keq në Shqipëri turizmi vazhdon të jetë i përqendruar në tre muajt e verës) nuk pritet ndonjë kthesë e papritur. Fluksi nuk është ndier madje as tek kursi i këmbimit, me lekun që këmbehet afër 140 lekëve në fund të javës së kaluar, nga më pak se 137 lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Janë të shumta arsyet që kanë ndikuar në këtë tendencë, disa që ndodhin vetëm një herë dhe të tjerat të përsëritura:
-Së pari, fillimi i sezonit përkoi me zgjedhjet, çka kufizoi lëvizjet dhe ndikoi negativisht sidomos në turizmin e brendshëm. Ndoshta për vitet në vijim duhet parë me prioritet kërkesa e operatorëve turistikë, që zgjedhjet të mos jenë në kulmin e sezonit turistik;
-Së dyti, korriku përkoi me muajin e Ramazanit, duke bërë që një pjesë e madhe e kosovarëve, që zënë peshën kryesoret nga turistët e huaj, të shtynin apo anulonin pushimet e tyre në Shqipëri. Fluksi i rritur i gushtit nuk arriti që të neutralizonte këtë rënie.
Përveç elementëve të përkohshëm janë dhe një sërë faktorësh të tjerë që po ndikojnë negativisht turizmin:
-Së pari, liberalizimi i vizave ka bërë që një pjesë e madhe e shqiptarëve të kalojnë pushimet në shtetin fqinj grek, që po tërheq më çmime konkurruese dhe sidomos shërbim më cilësor.
-Së dyti, konkurrenca në rajon është shtuar dhe pavarësisht bashkëpunimit për paketa të përbashkëta, Shqipëria nuk po arrin të promovohet si një destinacion parësor; këtë rol këtë vit e kishte psh Maqedonia, e cila ka shumë më pak atraksione se Shqipëria.
-Së treti, pavarësisht përmirësimeve në infrastrukturën rrugore, shumë zona turistike vazhdojnë të vuajnë nga problemet me energjinë, ujin apo kanalizimet, duke larguar turistët dhe duke ulur shanset që ata të vijnë sërish vitin e ardhshëm. Këtyre iu shoqërohet edhe shërbimi, që shpesh lë për të dëshiruar, siç konstatohet qartë në shënimet që turistët e huajë lënë në internet për përvojën e tyre në hotelet shqiptare, së bashku me natyrën e shkatërruar nga betonizimi i pjesës më të madhet bregdetit shqiptar.
-Së katërti, vendit i mungojnë kapacitetet e mëdha turistike (resortet) që do të mundësonin tërheqjen e një numri më të madh turistësh, me një kosto të lirë. Kësaj i shtohen dhe mungesa e linjave loë cost, duke i bërë paketat për Shqipërinë ndër më të shtrenjtat në rajon.
Pavarësisht disa zhvillimeve pozitive të këtij viti, – si diversifikimi i ofertës turistike dhe rritja e interesit për lloje të tjera të turizmit përtej atij të detit dhe rërës – Shqipëria vazhdon të mos mësojë nga gabimet e të kaluarës. Këtë vit u pa fare qartë sa të varur jemi nga një kategori e vetme turistësh, kosovarët, të cilët fatmirësisht vazhdojnë të jenë besnikë, ndryshe nga ata maqedonas, që erdhën masivisht pak vite më parë, të detyruar nga kushtet e asaj kohe, dhe nuk u dukën më. Hotelet e boshatisura të kësaj vere në zonat kryesore bregdetare në vend, janë një apel për të ndryshuar e reflektuar. Imagjinoni periudhën kur edhe kosovarët do të mund të lëvizin pa viza, se çfarë goditje do të ishte kjo për turizmin shqiptar.
Shqipëria është një vend i vogël dhe duhet të përmirësojë cilësinë e asaj çfarë konkretisht ka. Vërtet është vonë për të rregulluar atë që i është bërë Durrësit, Sarandës e Vlorës me ndërtime pa sistem, por tashmë duhet të përqendrohemi në ofrimin e cilësisë të mirë të shërbimeve në mënyrë që të tërheqim një gamë sa më të diversifikuar turistësh.
Probleme të tjera kryesore janë zbatimi i të drejtave të pronës, hartimi dhe zbatimi i kuadrit rregullator për ndotjen e mjedisit dhe mbrojtjen e burimeve të natyrës, aksesi në shërbime sanitare dhe spitalore, kufizimi i rrjetit të transportit ajror, cilësia e infrastrukturës portuale, mundësitë e pakta të argëtimit, shtrirja e rrjetit të komunikimit me Internet, si dhe shkëmbime të varfra kulturore me vendet e tjera. Në këto drejtime duhet të punohet fort në të ardhmen, në mënyrë që zhvillimi i turizmit të mos i lihet më rastësisë.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu Falas!