Projektet e lidhura me turizmin zunë 50% të totalit sa u takon vendimeve të miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike.
Raporti vjetor i Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve tregon se pjesën tjetër e zunë projektet në bujqësi. Kjo panoramë ka ndryshuar disi në raport me projektet e miratuara në vitin 2022, por e përbashkëta duket se mbetet udhëheqja nga turizmi.
“Në vitin 2022, projektet në sektorin e turizmit zunë 65% të projekteve të miratuara në total, ndërkohë që sektori i agroturizimit zuri 20% dhe 20% “të tjera”.
Në vitin 2023, projektet në sektorin e turizmit zunë 50% të projekteve të miratuara në total, ndërkohë që sektori i bujqësisë zuri 33% dhe 17% ‘të tjera’” thuhet në raport.
Në total KIS, gjatë vitit 2023, mori në shqyrtim 16 projekte totale duke miratuar 6 prej tyre dhe duke refuzuar pjesën tjetër. Miratimi i statusit për një investim strategjik vjen për bizneset me një sërë procedurash lehtësuese për ta ku shteti u garanton më pak burokraci në sigurimin e dokumenteve dhe kalimin e hallkave insitucionale.
Po kështu AIDA që funksionon si one stop shop është agjencia që koordinon një sërë aspektesh të rëndësishme që shkurtojnë kohë.
Në këtë aspekt, One Stop Shop: kryen veprimet përgatitore dhe shërbimet e nevojshme ndaj projektit potencial strategjik dhe investitorit/investitorëve potencialë strategjikë (pra dy statuse te ndryshme), veçanërisht ato të verifikimit të tokës dhe përputhjes së projektit të investimit me planet kombëtare të rregullimit të territorit (proces i cili përfshin një sërë institucionesh njëkohësisht).
Po kështu koordinon procesin vlerësues të një projekti nga Grupi Operacional, me shpejtësi dhe efikasitet (brenda një afati maksimal prej 30 ditësh) si dhe përgatit raportet për KIS, në rolin e Sekretariatit Teknik dhe harton një sërë aktesh administrative pas vendimeve të KIS.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.