Sipas raportit të fundit mjedisor të Google, emetimet e gazit serrë në 2023 u rritën me 48% krahasuar me vitin 2019.
Gjiganti teknologjik e lidh këtë rezultat me sasitë në rritje të energjisë që u nevojiten qendrave të tij të të dhënave, i përkeqësuar nga rritja shpërthyese e Inteligjencës Artificiale.
Shërbimet që mbështeten tek Inteligjenca Artificiale përfshijnë konsumin kompjuterik e për rrjedhojë sasi më të madhe energjie se sa ajo për aktivitete normale online – duke sjellë paralajmërime për ndikimin mjedisor të kësaj teknologjie.
Synimi i Google është të arrijë emetime neto zero brenda vitit 2030, por pranon se “me përfshirjen e IA në produktet tona, reduktimi i emetimeve mund të jetë sfidues”.
Në raportin mjedisor për vitin 2024, Google thotë se kjo ka ardhur për shkak të “rritjes së kërkesës për energji prej intensitetit më të madh të llogaritjes së IA”.
Qendrat e të dhënave janë në thelb grumbullime masive të serverëve kompjuterikë – dhe IA kërkon një sasi të madhe.
Sipas një studimi të fundit, një sistem i Inteligjencës Artificiale gjeneruese si ChatGPT, mund të konsumojë rreth 33 herë më shumë energji se pajisjet që përdorin një softuer specifik.
Megjithatë, raporti i Google zbulon edhe pabarazi të mëdha globale në ndikimin e qendrave të tij të të dhënave.
Pjesa më e madhe e qendrave në Europë dhe Amerika konsumon pjesën më të madhe të energjisë nga burime pa karbon.
Kjo e dhënë krahasohet me ato të qendrave të të dhënave në Lindjen e Mesme, Azi dhe Australi, që përdorin shumë më pak energji pa karbon.
Në total, Google thotë se rreth dy të tretat e energjisë së saj vijnë nga burime pa karbon.
“Nëse hyni në një qendër të dhënash, është shumë nxehtë dhe shumë e zhurmshme” – thotë Tom Jackson, profesor i menaxhimit të informacionit dhe njohurive në Loughborough University.
“Njerëzit nuk e kuptojnë se gjithçka që ruajnë në cloud ndikon në gjurmën e karbonit dixhital”, – thotë ai.
Profesori Jackson drejton Digital Decarbonisation Design Group, që përpiqet të masë dhe të gjejë zgjidhje për të reduktuar gjurmën e karbonit të përdorimit të të dhënave.
“Ofruesit e të dhënave duhet të punojnë ngushtë me organizata të mëdha për t’i ndihmuar të braktisin ruajtjen e ‘dark data’ (të dhëna të errëta)” – thotë ai. ‘Dark data’ janë të dhëna që mblidhen nga organizatat, të cilat janë përdorur vetëm një herë ose nuk janë përdorur asnjëherë.
Megjithatë, ruajtja në chip konsumon një sasi të madhe energjie edhe kur nuk përdoren.
“Mesatarisht, 65% e të dhënave të ruajtura nga një organizatë janë dark data”, – thotë Prof. Jackson.
Ai e përgëzon objektivin e Google për të arritur emetime zero në qendrat e tij të të dhënave brenda vitit 2030, por thotë se kjo do të jetë “me të vërtetë e vështirë”.
Rritja e përdorimit të IA për energji dhe ujë ka shkaktuar shumë paralajmërime, mbi të gjitha sepse parashikohet që sektori do të vijojë të rritet me shpejtësi.
Në mars, drejtuesi i National Grid britanike paralajmëroi se ndërthurja e Inteligjencës Artificiale me informatikën kuantike do të rrisë me gjashtë herë kërkesën në dhjetë vitet e ardhshme.
Megjithatë, bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, së fundmi e zvogëloi ndikimin mjedisor të IA.
Duke folur në Londër javën e kaluar, ai tha se IA do të rrisë kërkesën për energji me 2 dhe 6%.
“Pyetja është, a do ta përshpejtojë IA reduktimin prej më shumë se 6%? Dhe përgjigjja është: sigurisht” tha ai, siç raportohet nga Financial Times.
/ BBC