INSTAT ka publikuar rezultatet e anketës strukturore të ndërmarrjeve ekonomike, 2012. Sipas rezultateve tw anketws, në prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve, shifra e afarizmit në vitin 2012 u rrit 9,5 % krahasuar me vitin 2011. Numri i të punësuarve gjithsej dhe investimet u rritën përkatësisht 5,4 % dhe 13,2 %. Numri i ndërmarrjeve është rritur 2,9 %. Prodhuesit e shërbimeve zënë 84,4 % të numrit të ndërmarrjeve dhe realizuan 63,8 % të shifrës së afarizmit. Prodhuesit e të mirave kanë 41,1 % të të punësuarve dhe realizuan 60,8 % të investimeve.
Gjatë vitit 2012, ndërmarrjet aktive në sektorin e tregtisë zënë 46,8 % të numrit të ndërmarrjeve gjithsej. Shifra e afarizmit nga ky sektor përbën 48,9 % të shifrës së afarizmit gjithsej. Përfaqësim të lartë në punësim ka sektori i industrisë me 30 % të të punësuarve gjithsej. Gjithashtu, ky sektor ka realizuar 48,5 % të investimeve gjithsej.
Ndërmarrjet me 20 e më shumë të punësuar dominojnë ekonominë shqiptare. Këto ndërmarrje realizuan 62,7 % të shifrës së afarizmit. Ky grup ndërmarrjesh ka 46 % të të punësuarve gjithsej dhe ka realizuar 67 % të investimeve. Në këtë grup dominojnë prodhuesit e të mirave.
Ndërmarrjet me 1 – 4 të punësuar përbëjnë 90,8 % të ndërmarrjeve. Ky grup ndërmarrjesh ka realizuar 14,4 % të shifrës së afarizmit dhe ka 37,3 % të të punësuarve gjithsej. Ndërmarrjet e vogla janë dominuese në prodhuesit e shërbimeve.
Në prodhuesit e të mirave, shifra e afarizmit është rritur 7,0 % krahasuar me vitin 2011. Numri i të punësuarve dhe investimet u rritën përkatësisht 0,2 % dhe 2,9 %. Numri i ndërmarrjeve aktive në prodhuesit e të mirave është ulur 7,4 %.
Në sektorin e industrisë, gjatë vitit 2012, shifra e afarizmit arriti vlerën 371 miliardë lekë. Ky sektor ka 72,9 % të të punësuarve dhe realizoi 79,9 % të investimeve të ndërmarrjeve prodhuese të të mirave.
Ndërmarrjet aktive të këtij sektori përbëjnë 73,9 % të numrit të ndërmarrjeve në këtë grup. Shifra e afarizmit për sektorin e industrisë është rritur 13,1 % krahasuar me një vit më parë. Ndryshe paraqitet situata për sektorin e ndërtimit, ku shifra e afarizmit u ul 4,2 % krahasuar me vitin 2011. Në sektorin e industrisë është shënuar rritje e numrit mesatar të punësuarve prej 1,8 % krahasuar me vitin 2011, ndërsa sektori i ndërtimit ka patur ulje 3,9 % të këtij treguesi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.