Inflacioni i Mbretërisë së Bashkuar u rikthye në objektivin e tij prej 2%, për herë të parë në gati tre vjet në maj, por presionet e forta të çmimeve përjashtojnë një ulje të normës së interesit para zgjedhjeve.
Ndërsa kryeministri Rishi Sunak përmendi rënien e inflacionit total në maj, ka të ngjarë të jetë tepër vonë për të kthyer fatin e tij në zgjedhjet elektorale më 4 korrik, ose për të nxitur një ulje të normës së interesit të Bankës së Anglisë (Bank of England, BoE) ditën e enjten.
Të dhënat e Zyrës së Statistikave Kombëtare treguan se, inflacioni i çmimeve të shërbimeve, për të cilin BoE mendon se jep një pamje më të mirë të rreziqeve afatmesme të inflacionit, ishte 5.7%. Kjo ishte në rënie nga 5.9% në prill, por më e lartë se 5.5% që kishin parashikuar ekonomistët, ose 5.3% e parashikuar nga BoE muajin e kaluar.
Monedha vendase u rrit në mënyrë modeste kundrejt dollarit dhe euros pas të dhënave, por obligacionet e qeverisë britanike rezultuan të dobëta pasi investitorët presin se BoE do të vonojë uljen e normave.
Rënia e inflacionit vjetor të çmimeve të konsumit, nga leximi 2.3% i prillit – në përputhje me pritjet e ekonomistëve – e çoi atë në nivelin më të ulët, që nga korriku 2021, dhe shënon një rënie të mprehtë nga niveli më i lartë në 41 vjet, prej 11.1% në tetor 2022.
Rënia ka qenë më e mprehtë se në zonën e euros ose në Shtetet e Bashkuara, ku inflacioni i çmimeve të konsumit në maj, ishte përkatësisht 2.6% dhe 3.3%, duke përgënjeshtruar shqetësimet e një viti më parë se, inflacioni britanik po rezultonte jashtëzakonisht i lartë.
Inflacioni fillimisht filloi të rritet në shumicën e ekonomive perëndimore në gjysmën e dytë të 2021, për shkak të pengesave nga pandemia COVID-19, më pas u rrit pasi pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, shkaktoi rritje të çmimeve të gazit natyror.
Çmimet e konsumit në Britani, janë rritur më shumë se 20% gjatë tre viteve të fundit, duke ndikuar standardin e jetesës dhe duke kontribuar në mospëlqimin e konservatorëve të Sunak, të cilët janë rreth 20 pikë prapa Partisë Laburiste të opozitës, në sondazhet e fundit.
Sunak tha se rënia e inflacionit, që kur ai mori detyrën nga paraardhësja e tij konservatore Liz Truss – politika fiskale e së cilës shkaktoi një rritje të kostove të huamarrjes së qeverisë – ishte dëshmi se politikat e tij ekonomike po funksiononin.
Rachel Reeves e forcës politike kundërshtare, e cila duket e vendosur të jetë ministrja e ardhshme e financave e Britanisë pas zgjedhjeve, tha se rizgjedhja e konservatorëve do të sillte “pesë vite të tjera kaos”.
BoE ka thënë se një kthim i inflacionit në objektiv, nuk mjafton që ajo të fillojë të ulë normat e interesit.
“Përcaktuesit e normave do të duhet ende të peshojnë rënien e inflacionit total, kundrejt shenjave që presionet e çmimeve të brendshme, të tilla si rritja e pagave, po rezultojnë të ulen më ngadalë,” tha Martin Sartorius, ekonomist kryesor në Konfederatën e Industrisë Britanike.
Shumica e ekonomistëve menduan se banka qendrore do të fillonte të ulë normat në gusht, nga niveli i tyre më i lartë në 16 vjet, prej 5.25%, por tregjet financiare shohin vetëm një mundësi 30% për ulje të normës së muajit gusht dhe mendojnë se, lëvizja e parë ka më shumë mundësi të ndodhë në shtator ose nëntor.
Pagat e rregullta në sektorin privat në tre muajt deri në prill, u rritën me 5.8%, vetëm pak më pak nga tremujori i parë i këtij viti dhe pothuajse dyfishi i normës, që shumica e politikëbërësve të BoE, mendojnë se është e nevojshme për të mbajtur inflacionin në 2%.
Rënia më e fundit e inflacionit, u ndikua pjesërisht nga një ulje e faturave të rregulluara të energjisë së familjeve në prill – efekti i së cilës do të zbehet më vonë gjatë vitit, kur BoE parashikon se inflacioni do të rritet në 2.6%.
Çmimet më të ulëta të ushqimeve, ishin faktori më i madh, që e shtyu inflacionin në maj, duke ulur normën vjetore të inflacionit për ushqimet dhe pijet joalkoolike, në 1.7% nga niveli më i lartë në 45 vjet, prej 19.2% në mars 2023.
Pajisjet elektrike më të lira dhe një rritje më e vogël e kostos së aktiviteteve kulturore, ndihmuan gjithashtu në uljen e inflacionit.
Çmimet më të larta të fluturimeve, ishin faktori më i madh, që bëri që inflacioni i çmimeve të shërbimeve të bjerë më pak se sa pritej. Tarifat janë të paqëndrueshme dhe disa ekonomistë i shohin ato si një udhëzues të dobët, për tendencat më të gjera të inflacionit. / Reuters