Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë të Zvicrës vendosi dje të anulojë Asamblenë e jashtëzakonshme të Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë (KOKSH) të mbajtur më 10 janar 2021.
Vendimi i CAS e shpall të pavlefshme asamblenë në fjalë dhe të gjitha vendimet e marra në të, duke përfshirë ndryshimet në statut, zgjedhjen e Presidentit të Ri dhe të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH.
Asambleja në fjalë zgjodhi kryetar të KOKSH Fidel Yllin, që në atë kohë mbante ende mandatin e deputetit, por Federata Shqiptare e Futbollit dhe disa federata të tjera u përjashtuan nga votimi, me motivimin se nuk kishin paguar kontributet përkatëse për KOKSH.
Çështja u ankimua në CAS nga Federata Shqiptare e Futbollit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit në Shqipëri kishin shpallur moskompetencën e tyre, duke u shprehur se çështja është në juridiksionin e CAS.
Sipas njoftimit zyrtar të FSHF, CAS ka shpallur të pavlefshme vendimet e marra në Asamblenë e Jashtëzakonshme të KOKSH e cila kishte miratuar statutin e ri. Kjo përfshin ndryshimet në statutin e KOKSH shkarkimin e Presidentit dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të komisionit të verifikimit.
CAS konstatoi se KOKSH nuk njoftoi siç duhet FSHF-në për asamblenë dhe lejoi pjesëmarrjen dhe votimin e personave që nuk ishin anëtarë. Këto veprime shkelën procedurat e përcaktuara dhe të drejtat e FSHF-së si federatë anëtare.
Duke përmbysur vendimet e asamblesë, CAS ka vendosur në vend të drejtat e FSHF-së për të marrë pjesë dhe për t’u njoftuar rregullisht për asambletë e KOKSH, duke siguruar përfaqësim dhe vendimmarrje të drejtë.
KOKSH është urdhëruar të paguajë 4,000 Franga Zvicerane (CHF) për shpenzimet ligjore të FSHF-së dhe të mbulojë 90% të kostove të arbitrazhit, duke reflektuar rëndësinë e shkeljeve procedurale.
FSHF është shprehur e kënaqur me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit për Sport, i cili korrigjon problemet thelbësore të anëtarësisë së KOKSH.
“Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së integritetit dhe drejtësisë në qeverisjen e sportit në Shqipëri si dhe thekson faktin se si pasojë e tij, të gjitha asambletë e KOKSH të zhvilluara pas datës 10 janar 2021, përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit dhe Komitetit Ekzekutiv aktual janë absolutisht të pavlefshme,” thuhet në njoftimin e FSHF.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.