Ekonomia nuk pritet të gjallërohet; deri në vitin 2018 do të shohë norma të ulëta rritjeje prej mesatarisht 2.5%…
FMN vlerëson se rritja e prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë ka qenë 1.3% në vitin 2012, një nivel më i ulët ky në raport me shifrat paraprake të publikuara nga INSTAT, sipas të cilit ekonomia vendase vitin e kaluar u zgjerua me 1.6%.
Të dhënat janë bërë të ditura në raportin e prillit të Pasqyrës Ekonomike Globale, të publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Për vitin 2013, FMN pret një rimëkëmbje të lehtë, me një rritje prej 1.8%.
Deri në vitin 2018 nuk pritet që të shihen ritmet e larta të rritjes, prej mesatarisht 6%, të konstatuara para 2008-s. Përkundrazi ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet me ritme të dobëta prej mesatarisht 2.5%.
Rritja në vitin 2013 do të jetë më e ulët se mesatarja prej 2.2% që pritet për Europën Qendrore dhe Lindore.
Megjithatë, çmimet e konsumit pritet të mbahen nën kontroll, me inflacionin që do të luhatet midis 2-3% n një periudhë afatmesme, ndërsa deficiti i llogarive korente pritet të zbresë me 1 pikë përqindjeje në 2013,nga -10% e PBB-së që ishte në vitin 2012, për t’u reduktuar në 2018-n në -5.5% të PBB-së.
Burimi: FMN
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.