Fondi Monetar Ndërkombëtar, i bën thirrje Pekinit, të ristrukturojë ekonominë, për t’i dhënë përparësi konsumit dhe për të siguruar trajtim të drejtë për kompanitë.
FMN-ja ka përmirësuar parashikimin për rritjen ekonomike të Kinës këtë vit, por paralajmëroi se Pekini duhet të “zvogëlojë” politikat industriale, që mund të ndikojnë në partnerët tregtarë, dhe të shtojë përpjekjet për të ngritur kërkesën e brendshme.
Stafi i FMN-së, tha se ata po rrisin parashikimin për rritjen e prodhimit të brendshëm bruto të vendit, në 2024, në 5 % nga 4.6 %. Huadhënësi shumëpalësh, gjithashtu rriti parashikimin e tij për vitin 2025, në 4.5 %, nga 4.1 %.
Ndryshimi u nxit, nga rritja më e fortë e tremujorit të parë, dhe nismat e fundit të politikave, tha FMN, pasi Pekini ka lehtësuar politikën monetare, dhe ka rritur programet, për të zbutur një rënie të thellë të pronave.
Por, FMN-ja përsëriti gjithashtu thirrjet për të ristrukturuar ekonominë e Kinës larg politikave industriale joefikase, që mbështesin “sektorët prioritarë” dhe drejt atyre, që favorizojnë konsumin e brendshëm.
Objektivi i rritjes së vetë qeverisë kineze, për vitin 2024, është rreth 5 %, e njëjta shifër si vitin e kaluar dhe më e ulëta në dekada.
Komentet erdhën mes shqetësimeve në rritje, midis partnerëve tregtarë të Kinës, se politikat e saj industriale, po krijojnë mbikapacitet në sektorë të tillë, si automjetet dhe energjia e rinovueshme.
“Përdorimi i politikave industriale nga Kina, për të mbështetur sektorët prioritarë, mund të çojë në një shpërndarje të gabuar të burimeve vendase, dhe potencialisht të ndikojë tek partnerët tregtarë”, tha FMN në një deklaratë. “Zvogëlimi i politikave të tilla, dhe heqja e kufizimeve të tregtisë dhe investimeve, do të rriste produktivitetin vendas dhe do të lehtësonte presionet e fragmentimit.”
Zëvendësdrejtoresha e parë menaxhuese e FMN-së, Gita Gopinath, tha se ka pasur një rritje të shpejtë, të kufizimeve të tregtisë globale dhe politikave industriale, në 2022 dhe 2023, veçanërisht në SHBA, BE dhe Kinë.
“Ne kemi parë, që brenda 12 muajve të ardhshëm, ka një probabilitet prej 75 %, që një nga këto vende, të ‘hakmerret‘ duke vendosur një subvencion tjetër, ” tha Gopinath, duke bërë thirrje, që mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes Organizatës Botërore të Tregtisë.
Konsultimi i FMN-së, vjen pasi presidenti i Kinës Xi Jinping, ka theksuar ato, që ai i quan “forca të reja prodhuese”, për të nxitur rritjen, duke çuar në investime të mëdha në industri të avancuara, si energjia e rinovueshme, automjetet elektrike dhe gjysmëpërçuesit.
SHBA-ja është përgjigjur, duke rritur tarifat për automjetet elektrike kineze, ndërsa BE-ja, së shpejti do të përfundojë një hetim, kundër subvencioneve, mbi shqetësimet se industritë e tyre të automobilave, mund të zhduken nga një valë importesh kineze me kosto të ulët.
Kina ka hedhur poshtë pretendimet, për mbikapacitet ose subvencione në industritë e saj, të energjisë së rinovueshme, dhe ka akuzuar SHBA-në, për përdorimin e tregtisë, në përpjekje për të frenuar zhvillimin e saj dhe BE-në për proteksionizëm.
FMN, tha në deklaratën e saj, se “prioritetet kryesore” për Kinën, duhet “të përfshijnë ribalancimin e ekonomisë, drejt konsumit, duke forcuar rrjetin e sigurisë sociale dhe duke liberalizuar, sektorin e shërbimeve, për t’i mundësuar asaj të nxisë potencialin e rritjes dhe të krijojë vende pune”.
I pyetur për plenumin e tretë, një takim i udhëheqjes së Kinës, që pritet në korrik, dhe duke u fokusuar në politikën ekonomike, Steven Alan Barnett, përfaqësuesi i lartë rezident i FMN-së në Kinë, tha se shpresonte, që Pekini të synonte fitimet e produktivitetit.
Kjo do të përfshinte politika, për t’i dhënë tregut një rol vendimtar në ekonomi, për të trajtuar të gjitha kompanitë në mënyrë të barabartë, qofshin ato private, të huaja apo shtetërore dhe për të krijuar një mjedis të mirë biznesi.
Nën qeverisjen e Xi Jinping, besimi i biznesit dhe i investitorëve të huaj ka rënë, pasi qeveria ka mbrojtur ndërmarrjet shtetërore dhe ka goditur befas sektorë të suksesshëm, si platformat e internetit. Edhe bizneset e huaja, ankohen rregullisht, se nuk u jepet akses i barabartë në tregjet në Kinë.
“Në fund të fundit, sa shpejt rritet një ekonomi në afat të gjatë, bazohet në rritjen dhe produktivitetin,” tha Barnett. “Hulumtimi ynë, tregon se gjatë një periudhe 15-vjeçare, me reforma të mira, niveli i PBB-së së Kinës, mund të jetë 18 % më i lartë. Pra, ka shumë në mundësi për sukses.” / FT