Fondi Monetar Ndërkombëtar u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të adresojë “urgjentisht” barrën fiskale në rritje, pas deklaratave për planet tatimore të të dy kandidatëve presidencialë, vetëm disa orë përpara debatit të tyre të parë elektoral.
Fondi tha se raporti i borxhit ndaj PBB-së në SHBA, arrin në 140 për qind deri në vitin 2032 – shumë më i lartë se niveli aktual prej 120.7 për qind.
Rritja, si pasojë e deficiteve fiskale të njëpasnjëshme të parashikuara në vitet e ardhshme, do ta linte barrën e borxhit më të lartë se nivelet e pas Luftës së Dytë Botërore.
“Deficite dhe borxhe të tilla të larta krijojnë një rrezik në rritje për ekonominë amerikane dhe globale, duke ushqyer potencialisht kosto më të larta financimi dhe një rrezik në rritje, për kalimin e qetë të detyrimeve të maturuara”, tha FMN.
“Këto deficite fiskale kronike, përfaqësojnë një mospërputhje të rëndësishme dhe të vazhdueshme të politikave, që duhet të adresohet urgjentisht.”
Paralajmërimet e FMN-së vijnë pasi Zyra e Buxhetit të Kongresit, mbikëqyrësi zyrtar fiskal i SHBA-së, parashikoi në fillim të këtij muaji se deficiti ka të ngjarë të arrijë 1.9 trilionë dollarë këtë vit, ose rreth 7 për qind të PBB-së, nga një vlerësim i shkurtit prej 1.5 trilion dollarësh.
Ekonomistët dhe investitorët janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar, se as presidenti amerikan Joe Biden dhe as rivali i tij republikan, Donald Trump, nuk janë të përgatitur të bëjnë mjaftueshëm për të vënë nën kontroll shpenzimet e shfrenuara.
Fondi tha se të dy kandidatët duhej të “konsideronin me kujdes” një sërë rritjesh taksash – duke përfshirë të ardhurat për ata, që fitojnë nën 400,000 dollarë në vit, për të cilët Biden është zotuar se nuk do të paguajnë më shumë taksa, nëse siguron një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Planet tatimore të Trump, të cilat përfshijnë bërjen e përhershme të një sërë shkurtimesh, që ai prezantoi në 2017, pritet të shtojnë midis 4 dhe 5 trilion dollarë deficiteve të SHBA, gjatë dekadës së ardhshme.
Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva tha se rritja e fortë në SHBA, nënkuptonte se vendi kishte hapësirën për të trajtuar barrën e tij fiskale.
“Ekziston një tundim për të shtyrë vendimet në lidhje me borxhin dhe deficitin për të ardhmen, në vend që t’i paguani ato kur kushtet janë të mira,” tha ajo, duke shtuar se ishte roli i fondit të jetë “zëri i arsyes” për këtë temë.
Ndërsa Georgieva tha FMN nuk mbështet tarifat e administratës Biden për produktet kineze të teknologjisë së gjelbër, ose planet e Trump për të vendosur një taksë totale prej 10 për qind për të gjitha importet, ajo pranoi se kishte një rast politik për veprime të tilla.
“Dekadat e globalizimit kanë çuar në rezultate të përgjithshme pozitive,” u tha Georgieva gazetarëve. “Por ka pasur pasoja negative për disa komunitete, përfshirë këtu në Shtetet e Bashkuara, me zhdukjen e vendeve të punës si rezultat i importeve të lira nga vende të tjera.”
Ajo shtoi se shtytja ndaj tregtisë së lirë nga njerëzit në SHBA dhe në Europë, tregoi një “shqetësim të vërtetë” që “duhet marrë seriozisht”. / Financial Times