FMN paralajmëron për ‘ulje të vështirë’ për ekonominë globale nëse inflacioni vazhdon
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar një “ulje të vështirë” për ekonominë globale, nëse inflacioni vazhdimisht i mundimshëm, do t’i mbajë normat e interesit më të larta për më gjatë dhe do të përforcojë rreziqet financiare.
Megjithëse fondi i la parashikimet e përgjithshme ekonomike kryesisht të pandryshuara nga janari, në botimin e tij të fundit Perspektiva Ekonomike Botërore (World Economic Outlook), ditën e martë, ai theksoi se shenjat e elasticitetit krahas çmimeve më të ulëta globale të energjisë dhe ushqimeve, maskuan një realitet më të errët.
Pierre-Olivier Gourinchas, drejtues ekonomik në FMN, tha: “Nën sipërfaqe po krijohen turbulenca dhe situata është mjaft e brishtë. Inflacioni është shumë më i qëndrueshëm se sa ishte parashikuar disa muaj më parë,” tha ai. “Më shqetësuese është, se shtrëngimi i mprehtë i politikës monetare në 12 muajt e fundit, ka filluar të ketë efekte anësore serioze për sektorin financiar.”
FMN tha se trazirat në tregun e bonove të qeverisë në Mbretërinë e Bashkuar vjeshtën e kaluar dhe turbullirat bankare të muajit të kaluar, treguan “vulnerabilitete e konsiderueshëm që ekziston midis bankave dhe institucioneve financiare jo-bankare”.
“Rreziqet ndaj perspektivës janë shumë të anuara drejt rënies, ndërsa shanset për një ulje të theksuar ekonomike janë rritur ndjeshëm”, tha FMN.
Parashikimet e reja të FMN-së treguan një shans 25 për qind, që norma vjetore e rritjes globale mund të bjerë nën 2 për qind në vitin 2023, një rrezik dy herë më i madh se normalja. Ekonomia globale është rritur kaq ngadalë vetëm në pesë vite, që nga viti 1970.
FMN pret që inflacioni bazë të jetë shumë më i lartë se sa shpresonte në fillim të vitit 2022
Mundësia e një goditjeje të rëndësishme financiare është 15 për qind. Fondi tha se rritja globale ka të ngjarë të bjerë nën normën e rritjes së popullsisë dhe pasoja do të jetë një recesion global.
Në parashikimin qendror të pandryshuar të FMN-së, ekonomia globale pritet të rritet me 2.8 për qind në vitin 2023, duke u rritur në 3 për qind në vitin 2024, dhe të qëndrojë në atë nivel deri rreth vitit 2028.
Javën e kaluar, Kristalina Georgieva, drejtoreshë menaxhuese e FMN-së, tha se kjo ishte perspektiva më e dobët afatmesme për ekonominë globale, që nga viti 1990.
Gournichas tha se fondi po projektonte një rritje “supercharged” në Kinë, ndërsa vendet e tjera po ktheheshin në një normë më normale. FMN-ja gjithashtu supozon, se produktiviteti global do të përkeqësohet, ndërsa ekonomitë do të vuajnë nga “vraga” pandemike dhe fragmentimi mes tensioneve gjeopolitike.
Parashikimi ekonomik i SHBA-së është rritur, kundrejt parashikimit të janarit dhe fondi tani pret rritje prej 1.6 për qind në 2023 dhe 1.1 për qind në 2024. Tre muaj më parë, FMN-ja parashikonte një rritje prej 1.4 për qind këtë vit, e ndjekur nga një rritje prej 1 për qind zgjerim vitin e ardhshëm.
Eurozona pritet të rritet më ngadalë, me 0.8 për qind këtë vit, pasi shtetet anëtare po merren me rritjen e çmimit të energjisë vitin e kaluar, përpara se të rikuperohet në një normë prej 1.4 për qind në 2024.
Norma e parashikuar e rritjes së Kinës prej 5.2 për qind në vitin 2023 nga FMN, është në përputhje me objektivin e qeverisë së Pekinit, megjithëse fondi pret që ai të ngadalësohet në 4.5 për qind në 2024.
FMN-ja u bëri thirrje bankave qendrore, të vazhdojnë të punojnë për të ulur inflacionin dhe qeveritë të ndihmojnë, duke hequr një pjesë të mbështetjes fiskale të ofruar në vitet e fundit për t’u marrë me Covid-19 dhe krizën energjetike.
Për sa kohë, që tregjet financiare mbeten relativisht të qëndrueshme, bankat qendrore duhet të bëjnë gjithçka që munden për të mposhtur inflacionin, tha fondi. Gournichas paralajmëroi se presionet e çmimeve mund të vazhdojnë të rezultojnë më të qëndrueshme, gjë që do të rezultonte në një “skenar më të vështirë rënieje”.
Megjithatë, një krizë kredie, të cilën disa ekonomistë po e parashikojnë në vazhdën e trazirave të fundit bankare në SHBA, mund të veprojë si një forcë disinflacioniste.
“Për sa kohë që është e rregullt, një pjesë e kësaj tkurrjeje të huadhënies, mund të jetë realisht e dobishme në drejtim të uljes së inflacionit dhe mund të zëvendësojë rritje të mëtejshme të normave të interesit,” tha Gournichas.
Mbretëria e Bashkuar, ekonomia me performancën më të keqe në botë këtë vit
Mbretëria e Bashkuar do të jetë një nga ekonomitë kryesore me performancën më të keqe në botë këtë vit, sipas parashikimit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ekonomia britanike parashikohet të tkurret me 0.3 për qind në 2023, përpara se të rritet me 1 për qind vitin e ardhshëm. Kjo rënie e rendit Mbretërinë e Bashkuara në fund të grupit G7 të vendeve të pasura, të cilin e kryesoi vitin e kaluar gjatë rimëkëmbjes së pandemisë.
Grupi G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe.
FMN publikoi gjithashtu një parashikim për të gjitha ekonomitë e botës, i cili tregoi se Britania e Madhe parashikohet të jetë ekonomia me performancën më e keqe edhe mes vendeve të G20, i cili përfshin Indinë, Kinën dhe Rusinë./ The Financial Times, BBC
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.