Saturday / September 7 / 2024
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Editoriali Monitor

Fitoret e 23 Qershorit!

Share Share Icon

Nga rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit u arritën disa fitore dhe u bënë më të qarta disa pritshmëri, të cilat nëse konfirmohen në vitet e ardhshme do të jenë një vlerë e shtuar e shoqërisë shqiptare në këtë rrugë shpesh të vështirë të demokracisë.

Rezultati paraprak deri të hënën pasdite (kur Revista Monitor shkoi për shtyp) paralajmëron një fitore të opozitës, e cila përmbysi edhe vetë pritshmëritë e saj, duke marrë një avantazh të dukshëm dhe të qartë kundrejt demokratëve në pushtet, të cilët hynë në fushatë për një mandat të tretë.

Drejtuesit më të lartë të Bashkimit Europian, edhe pse numërimi i votave sapo kishte nisur, dhanë vlerësime paraprake të procesit. Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnjë Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, Eduard Kukan, i konsideroi zgjedhjet të mira dhe kjo është arritja më e madhe e të gjithëve. Shqipëria nuk ka pse të jetë më në raportet ndërkombëtare si delja e zezë. Megjithëse këtë vlerësim duhet ta kishim fituar prej kohësh, sërish kjo nuk rrëzon asnjë meritë. Me zgjedhjet e këtij qershori, ky është vlerësimi më i mirë që ka marrë ndonjëherë Shqipëria ndaj pa frikë është një fitore. Pas kësaj here, ai mbetet tashmë një detyrim.

Analiza paraprake, tregon se jo vetëm në zgjedhjet për pushtetin vendor, që njihen për karakterin thellësisht lokal të gjykimit të votuesve, por edhe në të ato të përgjithshme, ka rënë miti i bastioneve politike. Ato mbeten element i taktikave elektorale dhe kalkulimeve të numrave, por ato nuk janë vendimtare, përcaktuese mbeten fryma dhe programet. Ky rezultat i dukshëm tregoi se Shqipëria jonë e uritur për mirëqenie dhe demokraci të pjekur është më e prirur të votojë dhe besojë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, sesa me ato që kanë ndodhur të shkuarën e saj, sado të mira qofshin to. Ajo i quan të ezaurura dhe kërkon më shumë.

Edhe kriza ndërkombëtare, që preku jo vetëm financat, por dhe besimin në të ardhmen, duket se i lodhi shqiptarët, edhe pse krahasuar me fqinjët ne duhet të ankohemi më pak, ndaj edhe fryma e rilindjes, ndonëse jo e duhura për nga konteksti historik, ngjiti më shumë se sa përpjekjet për të promovuar  arritjet e deritanishme. Dhe kjo është çështje vizioni që shpesh i ka munguar klasës politike nga të dyja krahët. Vota është edhe çështje besimi, pasi sovrani e dorëzon atë tek të zgjedhurit, që ta mirëpërdorin në dobi të tij. Ndaj ky rezultat i dukshëm, që e ngjiti opozitën në majat më të larta elektorale, kundrejt një kundërshtari të fortë, e bën më të rëndë rrëzimin, nëse premtimet e bëra nuk realizohen me atë përmasë që ishte dhe vota.

Duke dhënë një rezultat të qartë për fituesit, shqiptarët treguan ndërkohë se si kërkojnë të udhëhiqen. Sado intriguese të jenë premtimet, dhe në raste fushatash ka inflacion të tyre, janë njerëzit faktori përcaktues. Këto janë zgjedhjet e një gjenerate të re, që kërkon brez të rinj politikanësh në drejtim. Shqipëria festoi vitin e kaluar 100 vjetorin e pavarësisë, por ka të ardhme përpara për të cilën duhet të mbushen fletët e historisë, ndaj ishte mëse e logjikshme që brezat të merrnin përgjegjësinë mbi vete, duke e marrë stafetën.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve, kaq i qartë dhe i diferencuar, duket se tregoi që sistemi elektoral mbi të cilën zhvillohet një proces më standarde të drejta dhe i paanshëm nuk është fajtor. Ai mund të prodhojë fitues nga të dyja krahët e politikës sikundër ndodhi në 2009-n, ashtu edhe këtë vit. Ai sigurisht ka treguar se ka problemet e veta gati të qënësishme pasi në parim ndrydh zgjedhjet politike të shqiptarëve duke i zhvlerësuar në zgjedhje “principatash” saqë duket sikur një banori në një pjese të Shqipërisë nuk i intereson se çfarë ndodh në pjesën tjetër të saj. Kur në fakt duhet të ishte ndryshe. Të gjithë jemi përgjegjës për këtë vend që na takon, por që ky sistem nuk e shpreh. Megjithatë , edhe kështu siç, sistemi nuk është i zoti të ndërhyjë për të orientuar procesin. Janë vullnetet e mira të politikës që e lënë atë të rrjedhë në shtratin e vet dhe shqiptarët të lirë të zgjedhin fituesin sa herë që besojnë dhe shpresojnë.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu Falas!