Federatat Kombëtare të Futbollit, të përfaqësuara në Kampionatin Europian të Futbollit, EURO 2024 janë gjobitur më shumë se 1.2 milionë euro nga UEFA gjatë fazës së grupeve të turneut.
Gjobat, në total 1.293.645 euro, lidhen me tifozët e ekipeve kombëtare gjatë ndeshjeve, por Gjermania, vendi pritës, është gjobitur dy herë për “mungesë mbrojtje në fushën e lojës” – që lidhet me hyrjen e tifozëve në fushë gjatë ndeshjes – në ndeshjet e fazës së grupeve të Portugalisë, përballë Turqisë dhe Gjeorgjisë.
Tetë ekipe – Hungaria, Zvicra, Kroacia, Shqipëria, Polonia, Serbia, Rumania dhe Belgjika – janë gjobitur për sjelljen e tifozëve të tyre gjatë të tre ndeshjeve përkatëse në fazën e grupeve.
21 nga 24 ekipet kombëtare janë gjobitur të paktën një herë gjatë fazës së grupeve dhe vetëm Franca, Spanja dhe Sllovakia nuk janë gjobitur nga UEFA.
Kroacia është vendi që ka marrë gjobën më të lartë (220.875 euro), ndjekur nga fqinjët ballkanikë Shqipëria (171.375 euro) dhe Serbia (166.625 euro) që plotësojnë tre vendet e para.
Shumica e gjobave të dhëna gjatë gjithë turneut ishin për shkelje të hedhjes së objekteve në fushë, por edhe përdorimin e mjeteve piroteknike – si fishekzjarrë dhe flakadanë – për të cilat u gjobitën shumë ekipe.
Si Shqipëria edhe Serbia janë gjobitur për “transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm në një kompeticion sportiv”, për flamujt e ekspozuar në lidhje me territorin kufitar të kombeve.
Anglia është gjobitur me 12.500 euro, duke u renditur e 18-ta më e lartë ndër 24 ekipet (gjobë 2500 euro për hedhjen e objekteve në ndeshjen përballë Danimarkës, që përfundoi në barazim 1 – 1; gjobë 10.000 euro për
“shqetësime gjatë himneve kombëtare” përpara ndeshjes me Slloveninë, që u mbyll me rezultatin 0 – 0).
Skocia u gjobit me 9000 euro, nga të cilat 5.625 euro për hedhjen e objekteve në ndeshjen përballë Gjermanisë (e mundur 5 – 1) dhe 3.375 euro për një shkelje të ngjashme në ndeshjen përballë Zvicrës.
/ NYTimes