Friday / September 13 / 2024
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Editoriali Monitor

Ekonomia që nuk ndryshon

Share Share Icon

Debati publik i muajve të fundit është dominuar nga temat e zhvillimit digjital. Para pak muajsh, qeveria ndërmori nisma për të mbyllur sportelet e një sërë shërbimesh publike, me qëllim nxitjen e shërbimeve online, me gjithë pamundësinë e shumë qytetarëve për t’i aksesuar ato.

Sulmi kibernetik iranian dhe dobësia e sistemeve shqiptare përballë tij kanë qenë kryetemë e ditëve të fundit. Parë nga jashtë, këto debate duket sikur po zhvillohen në një nga vendet ku revolucioni digjital po dominon jetën e qytetarëve dhe inovacioni teknologjik duket si një forcë e pandalshme, prej të cilit duhen marrë dhe masat e nevojshme për të mbrojtur privatësinë e qytetarëve.

Tërësisht i ndryshëm është imazhi që ofron renditja e kompanive më të mëdha të vendit. Renditja nuk tregon aspak historinë e një vendi nën ethet e një revolucioni teknologjik. Përkundrazi, struktura ekonomike e vendit, sipas kompanive më të mëdha të tij, i ngjan shumë më tepër vendeve të “botës së tretë”.

Më shumë se sa ekonomia e një vendi europian, Shqipëria u ngjan përherë e më shumë vendeve afrikane apo latino-amerikane. Ekonomia e saj dominohet nga tre sektorë: ndërtimi; kompani publike ose koncesione monopole në bazë të një licence publike; tregtimi, dhe shumë pak përpunim, i lëndëve të para.

Në renditje janë thuajse komplet inekzistente kompanitë e shërbimeve të avancuara financiare apo teknologjike, industri të nivelit të lartë apo përpunim i lëndëve të para.

Nuk do shumë për të kuptuar pse një strukturë e tillë është shpesh e lidhur me mungesë rritje ekonomike. Dy sektorët e parë, ndërtimi dhe monopolet publike, janë të izoluara nga konkurrenca dhe zhvillimi i tyre është thuajse tërësisht i varur nga vendime burokratike e jo nga aftësi teknike.

Për më tepër, produktet e këtyre sektorëve janë të patregtueshme – ato nuk ndikojnë aspak në rritjen e vëllimit apo cilësisë së eksporteve shqiptare, tejet jetike për zhvillimin ekonomik të një vendi të vogël.

Në fakt, nëse krahasojmë të dhënat tregtare me renditjen, vihet re sa pak ndikojnë kompanitë e mëdha të vendit në rritjen e eksporteve shqiptare.

Eksportet më të mëdha të vendit janë kryesisht të ndara në tri kategori: lëndë e parë, prodhime bujqësore, industri e ulët e veshmbathjeve (fasonët). Me përjashtim të kategorisë së parë, ku sërish aksesi varet kryesisht nga licenca të lëshuara nga institucionet publike, kompanitë e tjera kryesore të vendit nuk luajnë asnjë rol eksportues.

Pse është e rëndësishme e gjitha kjo? Nëse bizneset më të mëdha të vendit janë të mbrojtura nga konkurrenca lokale dhe ajo ndërkombëtare, ato nuk kanë asnjë shtysë për të inovuar dhe për të përmirësuar produktet e tyre.

Nëse tregu shqiptar, kaq i prapambetur në nivelin e zhvillimit ekonomik në krahasim me vendet e tjera të kontinentit, vazhdon të mos lejojë praninë e kompanive të mëdha ndërkombëtare, atëherë barrierat janë vërtet problem madhor, që duhet të dominojë diskutimet e politikëbërësve.

Sikur të mos mjaftonin këto probleme strukturore, të cilat janë shfaqur prej kohësh në ekonominë shqiptare, por nuk duket se po marrin vëmendjen e duhur, renditja e këtij viti shoqërohet me një problem tjetër: largimin e forcës punëtore.

Shqipëria, prej vitesh, po vuante nga emigrimi – dikur vendi me popullsinë më të re të Europës dhe me shtesë natyrore më të madhe, prej vitesh është kthyer në vendin me shtesë natyrore më të ulët dhe me një nga popullsitë me ritëm më të lartë plakje.

Emigrimi dukej se ishte shpresa kryesore për forcën punëtore të pakualifikuar në vend. Në mungesë të zhvillimit industrial dhe me shërbimet në nivele bazike, të shumtë ishin ata që mendonin se puna në emigrim ishte më e vlefshme se sa bujqësia, apo ndërtimi në vend.

Por të paktën forca e kualifikuar dukej se po stabilizohej. Zhvillimi ekonomik i dekadës 2000-2010 u duk se ishte një dritë shpresë. Inxhinierë, bankierë, juristë, programues u punësuan në shumë prej bizneseve që lulëzuan një dekadë më parë.

Por sot, edhe ata po largohen, në nivele masive biles. Profesionistët e rinj të para 10 vjetëve duket se nuk janë më të kënaqur.

Në mungesë të rritjes në detyrë, apo në pamundësi për t’u kthyer në sipërmarrës e jo thjesht në profesionistë, edhe ata sot po largohen nga vendi – duke krijuar një hendek të madh në vend dhe një strukturë ekonomike të prapambetur.

Shqipëria ka probleme të shumta, por nevoja për të diskutuar mbi një model të ri zhvillimi ekonomik duket jo vetëm një nevojë jetike, por edhe e vonuar!

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu Falas!