Menaxherët e pasur të fondeve të kapitalit privat të Londrës, janë duke marrë parasysh të shpërngulen në në Milano.
Shkaku për ankthin e tyre në rritje, është perspektiva për të paguar një taksë më të lartë mbi burimin e tyre kryesor të kompensimit – të ashtuquajturat interesa të bartura, ose pjesa e kthimit të investimit të ndarë midis menaxherëve të fondeve të kapitalit privat (PE, private equity funds). Të konsideruara fitimet kapitale, këto fitime tatohen me 28% sipas regjimit aktual. Partia Laburiste e Britanisë – e gatshme për të fituar zgjedhjet e së enjtes – është zotuar të marrë një qasje më të ashpër, që mund të nënkuptojë trajtimin e tyre si të ardhura, me një normë tatimore deri në 45%.
Milano tashmë ka tërhequr disa firma investimi, duke përfshirë Capstone Investment Advisors, Eisler Capital, Certares Management dhe Point72 Asset Management, të cilat kanë hapur zyra atje. Një lëvizje e taksave në Mbretërinë e Bashkuar për interesin e bartur, do të sjellë një fluks të më shumë menaxherëve të PE.
Propozimi i taksave, që vjen pas vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për të hequr trajtimin e taksave preferenciale për rezidentët e huaj të pasur “jo banues”, duke filluar nga prilli 2025, ka trembur firmat blerëse të Londrës, të cilat tashmë janë nën presion për shkak të një rënieje të zgjatur të marrëveshjeve në mbarë botën.
Ndërsa është shumë herët, për të thënë nëse këto pyetje do të përkthehen në një eksod nga Londra, ato theksojnë shfaqjen e Milanos si një zgjedhje kryesore për të pasurit e botës, që kërkojnë të përfitojnë nga lehtësimet tatimore të Italisë për emigrantët dhe nga qeveria e saj relativisht më e qëndrueshme.
Ato tregojnë gjithashtu sesi zgjedhjet në të gjithë Europën, pasiguritë politike dhe kërcënimet për taksa më të larta për të pasurit, po zvogëlojnë interesin e qendrave financiare të kontinentit, duke përfshirë Parisin dhe Frankfurtin, të cilët më parë përfituan nga Brexit.
Parisi ishte “alternativa më e mirë e dukshme ndaj Londrës, kur filloi Brexit”, por tani po përjeton pasiguri të konsiderueshme mes zgjedhjeve të parakohshme, tha Carlo Alberto Carnevale Maffe, profesor në Universitetin Bocconi të Milanos. Por tani, “Italia është vendi me stabilitetin më të lartë politik në Europë, me zgjedhjet e bëra vite më parë, dhe një qeveri të qëndrueshme”.
Tërheqja më e madhe e Italisë, është taksa e sheshtë vjetore prej 100,000 € mbi të ardhurat e fituara jashtë vendit. Megjithëse qeveria e kryeministres Giorgia Meloni ka shkurtuar disa nga stimujt e mëparshëm për punëtorët, që lëvizin në Itali, ajo ka ruajtur normën e sheshtë.
Taksa nuk është konsiderata e vetme. Drejtuesit e qytetit të Londrës thonë se shkollimi, siguria dhe faktorë të tjerë të stilit të jetesës, po merren gjithashtu parasysh. Dhe Milano është një nga destinacionet e shumta që po peshohen: Dubai, Zvicra dhe Greqia gjithashtu kanë dalë në diskutime.
Që kur Italia vendosi taksën e sheshtë në 2017, rreth 4000 njerëz janë shpërngulur në vend. Ky numër mund të rritet me 50% në 6,000 në vitin e ardhshëm.
Christian Montinari, partner dhe drejtues i praktikës tatimore në DLA Piper në Itali, tha se numri i telefonatave, që merr firma e tij nga njerëz, që mendojnë të transferohen në Itali është rritur me 30% këtë vit. Ai e quan atë një “emigrim të ri”, të nxitur nga ndryshimet, që priten në ligjet tatimore të Mbretërisë së Bashkuar.
Hera e fundit, që vendet në Europën kontinentale arritën të joshin punonjës të pasur të financave nga Londra ishte pas Brexit, megjithëse ata kishin rezultate të përziera me uljet e taksave dhe përfitimet e tjera.
Parisi dhe Frankfurti përfituan më së shumti nga eksodi, ndërsa Milano – në një farë mënyre një qytet më pak ndërkombëtar – pa vetëm një rrjedhje të vogël. Ata, që erdhën ishin kryesisht shtetas italianë, që dëshironin të afroheshin më pranë familjeve të tyre.
Por, kjo do të ndryshojë për shkak të trazirave të fundit politike në Francë dhe Gjermani.
Vendimi i presidentit francez Emmanuel Macron për të thirrur për zgjedhje të parakohshme, që ka parë një rritje të mbështetjes së votuesve për kundërshtarët e tij të ekstremit të djathtë dhe të majtë në raundin e parë të votimit, ka tronditur tregjet financiare të vendit.
Koalicioni qeverisës i kancelarit gjerman Olaf Scholz, po përballet gjithashtu me probleme nga e djathta ekstreme, me liderët e biznesit, duke përfshirë shefin ekzekutiv të Deutsche Bank AG, Christian Sewing, duke fajësuar partinë Alternativa për Gjermaninë, për kontributin në rënien e investimeve në ekonominë më të madhe të Europës.
Struktura tatimore italiane mund të jetë veçanërisht joshëse për menaxherët e fondeve të PE, kompensimet e të cilëve janë të lidhura me dividentët dhe fitimet kapitale. Ndërsa pagat e tyre janë fikse dhe i nënshtrohen taksimit të plotë vendor, në kohën e rritjes së vlerësimeve, ata mund të fitojnë disa miliona nga fitimet kapitale nga transaksionet në të cilat punojnë. Ato gjithashtu çojnë në shpërblime të mahnitshme për stafin, që mund të blejë në fond, duke krijuar një klasë të re multimilionerësh.
Këto të ardhura tërhoqën vëmendjen e Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2021, kur Kancelarja Shadoë Rachel Reeves tha se do të synonte mungesën e ligjeve tatimore, që sillnin përfitime për industrinë e PE. Por, detajet e plota të planit nuk janë diskutuar ende. Muajin e kaluar, ajo sinjalizoi se menaxherët e PE, që vënë kapitalin e tyre në rrezik, do të përjashtohen nga taksa më e lartë e propozuar dhe përsëriti se partia do të konsultohej për ndryshimet nëse zgjidhet.
Gjatë fushatës elektorale të Laburistëve më 13 qershor, lideri i partisë Keir Starmer – i cili ka të ngjarë të pasojë Rishi Sunak si kryeministër – tha se ai është “absolutisht i vendosur” për të bërë ndryshimin.
Laburistët thonë se taksa më e lartë mbi interesin e bartur në PE, do të ndihmonte në mbledhjen e 565 milionë paund në vit, që do të shpenzohen për shtimin e stafit të shëndetit mendor në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar, ndihmën ligjore për viktimat e fatkeqësive dhe heqjen e kostove të vizave për veteranët e huaj, që shërbyen në ushtrinë britanike.
Por, nëse laburistët kanë bërë përpjekje të mëdha për të shfaqur kredencialet e tyre si një parti miqësore ndaj biznesit me “misionin numër një” të deklaruar të krijimit të pasurisë, atëherë taksa e propozuar do të jetë një tjetër vështirësi në MB, tha Paul Hale, kreu global i çështjet tatimore në Shoqatën e Menaxhimit të Investimeve Alternative me bazë në Londër.
“Do të keni këtë aspekt negativ, që avantazhet e mëparshme tatimore nuk ekzistojnë më dhe se diku tjetër mund të ofrohet diçka, që është më e mirë në këtë drejtim,” tha Hale.
/ Bloomberg