Dikush t’i thotë qeverisë!
Drama greke është në aktin e fundit dhe megjithëse Shqipëria është personazh në ndonjë prej akteve të saj, përmes emigrantëve dhe marrëdhënieve tregtare që ka me këtë vend, institucionet shtetërore vazhdojnë të shikojnë sikur të jenë spektatorë periferikë, që janë gjendur aty rastësisht.
Lajmet që vijnë nga Jugu i vendit, tregojnë se dhjetëra biznese fasoni që kanë kontrata me biznese dhe qeverinë greke janë në krizë likuiditeti (lexo në brendësi). Situata e biznesit në Jug të vendit mbetet e paqartë. Nga rrjedha e ngjarjeve, bizneset duhet të ishin mbyllur por ato tani punojnë hem se i kanë mbetur edhe pak lëndë e parë dhe hem sepse tani më shumë se kurrë, duhet të administrojnë panikun. Sipërmarrësit në Korçë dhe Gjirokastër thonë të alarmuar se efekti i parë dhe më i menjëhershëm do të jetë rritja e papunësisë. E shoqëruar kjo me një dozë të lartë të rënies së konsumit do ta vendoste një pjesë të mirë të kësaj zone në vështirësi serioze më të mëdha se ato që kanë kaluar deri tani.
Këto sinjale tregojnë se bashkë me aktin e fundit grek tani ka nisur të luhet edhe pjesa jonë. Këtë javë që ka kaluar pati disa dalje publike nga përfaqësues të institucioneve kryesore në vend, si nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave, por këto ishin vetëm zgjatime të takimeve rutinore të paracaktuara më parë dhe që nuk lidheshin me rritjen e negativitetit të ngjarjeve në Greqi, si dhe më shumë të nxitur nga interesi i mediave, sesa një nevojë e brendshme e institucioneve për të komunikuar me publikun.
Nga ana tjetër u vu re se dhe në ato dalje, u munduan që efekti i krizës greke në Shqipëri të shihej në Shqipëri vetëm në një këndvështrim të ngushtë. Ata u përqendruan vetëm te siguria e bankave. Sigurisht ky është një element i rëndësishëm dhe mjaft i ndjeshëm i publikut, që nëse reagon gabimisht nga mënyra sesi i përcjell mesazhet e fqinjëve, mund të sjellë pasoja të rënda. Por kjo është të fshihesh pas gishtit, pasi efekti grek në Shqipëri është më i madh. Bizneset në Jug të vendit, dhe pikërisht fasoni, i cili garanton për Shqipërinë eksportet dhe punësim të madh, tani është kapur keq nga kriza e grekëve dhe nuk flitet për një hipotezë.
Efekti duket sikur është tepër i lokalizuar, por struktura e ekonomisë së Shqipërisë është shumë e lidhur me atë gjeografike, dhe ekonomia shqiptare nuk orientohet doemos në bllok. Jugu i vendit është shumë i lidhur ngushtë me Greqinë, sikurse Veriu është i lidhur me lëndët minerale që eksportohen në tregje të tjera. Por ngjarjet në Jug po thonë se tashmë është radha jonë për të lëvizur, sepse rajonet në Jug të Shqipërisë, pas Tiranës, Durrësit, Fierit dhe Elbasanit krijojnë rreth 12% të vendeve të punës, dhe japin 14% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Nga ana tjetër, Gjirokastra është një nga rajonet me fuqinë blerëse më të lartë. Këta tregues mjaftojnë për të dalë në përfundime se efekti grek nuk do të mbetet i lokalizuar, pasi ata kanë peshë edhe në treguesit e përgjithshëm të ekonomisë kombëtare, ku drejtpërsëdrejti punësimi, konsumi dhe të ardhurat në buxhetin kombëtar do të jenë më të ulëta, paçka se gangrena greke është bërë më e dhimbshme në Jug.
Një nga mësimet e mëdha që po rikonfirmon Greqia është se populizmi dhe arroganca e qeverive ka rritur përmasat e krizave dhe kur ato nuk kanë qenë të tilla. Kjo po i ndodh Greqisë sot me qeverinë e Tsipras, e cila po në sjelljen e saj zyrtare sillej si jozyrtare (kabineti i ministrave pa kollare). Megjithëse kreditorët ndërkombëtarë si FMN apo institucione të tjera si BE po rishikojnë mundësinë e zbutjes së kushteve për shlyerjen e kredive, ata paralajmërojnë se e gjitha, në fund të fundit, do të jetë një kosto shtesë që do të paguajë populli grek, dhe këtu nuk flasin për kosto financiare, por edhe kosto të arrogancës dhe populizmit qeverisës.
Mirëpo qeveria shqiptare, e cila po qëndron spektatore, vazhdon ta shikojë jo vetëm dramën greke por dhe aktin shqiptar, ashtu si ajo e do dhe jo ashtu siç po ndodh. Kështu ndodhi së fundi me shifrat e eksportit, sepse megjithëse kryeministri u duk i lumtur kur tha se eksportet e Shqipërisë si pesëmujor janë rritur 11.9%, të vërtetat e INSTAT flasin për të kundërtën, ato kanë rënë me 4.1% për periudhën në fjalë, dhe këtu brenda është edhe skenari grek, e cila për 10 vjet i gënjeu të gjithë për shifrat e borxhit, deri në vitin 2010, ku gjithçka plasi.
Prandaj është shumë e dëshirueshme dhe e ngutshme që edhe në Shqipëri të ketë një reagim më institucional shumë serioz dhe jo rastësor për çfarë mund të ndodhë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.