Teksa kohëzgjatja e ditës arrin maksimumin, Europa po përgatitet të festojë “Midsummer” (mesin e verës).
E shënuar në ose rreth ditës më të gjatë të vitit – solstici i verës – midsummer festohet në të gjithë Europën, veçanërisht në veri.
Misteri, që rrethon ditën, do të thotë se është e vështirë të thuhet me siguri pse ose kur filluan këto festime, megjithëse folklori tregon për traditat e bujqësisë dhe korrjes, për të falënderuar diellin për një vit të frytshëm.
Festimet sot janë ende të rrënjosura fort në dijet lokale. Pavarësisht nëse dëshironi të përkujtoni, duke u bashkuar me ngjarje tradicionale apo të shkoni në festivale me mijëra të tjerë, këtu janë disa nga destinacionet më të mira për të festuar midsummer në Europë.
Stokholm, Suedi
Festimet e midsummer (midsommar në gjuhën vendase) janë një pjesë integrale e kulturës dhe traditave suedeze. Origjina e festivalit në Suedi filloi nga njerëzit, që dekoronin shtëpitë e tyre dhe kërcenin për të festuar sezonin e pjellorisë.
Sot, suedezët dynden në fshat me familjen dhe miqtë. Nëse nuk keni ndonjë mik suedez, që mund t’ju marrë me vete në festime, Stokholmi organizon disa ngjarje publike të midsummer për vizitorët.
Familjet, që vizitojnë kryeqytetin, duhet të shkojnë në muzeun e hapur Skansen për muzikë popullore, bërjen e kurorave me lule dhe ngjarjen qendrore – vallëzimin tradicional.
Përndryshe, bëni një udhëtim 75-minutësh me varkë në ishullin Grinda, për festime që zgjasin deri në orët e para të mëngjesit. Në vitin 2024, pragu i midsummer në Suedi shënohet më 21 qershor.
Stonehenge, Angli
Ndërsa në fillim mund të duket një destinacion i pamundur për të festuar mesin e verës, është ndoshta një nga më të mirat për rëndësinë historike.
Të ndërtuar rreth 5000 vjet më parë, gurët e Stonehenge përputhen me diellin, si në solsticin e verës dhe të dimrit, duke krijuar një pamje magjike.
Megjithëse nuk ka aktivitete specifike në Stonehenge atë ditë, turistët për të parë spektaklin e diellit, që lind pas gurit Heel Stone, në zemër të strukturës. Këtë vit, lindja spektakolare e diellit mbërrin në mëngjesin e 21 qershorit.
Oslo, Norvegji
Ndërsa midsummer nuk është një festë publike në Norvegji, siç është në Suedi, dhe ngjarjet nuk janë aq ekstravagante sa në Suedi, dita ende shënohet me festa në natyrë dhe zjarre. Zjarri më i madh u ndez nga banorët e Ålesund në 2016 për festën e midsummer.
Ngjarje të ndryshme zhvillohen në Muzeun Folklor Norvegjez, duke përfshirë yodeling, bërjen e kurorës dhe shëtitje me kuaj dhe karroca. Pragu i midsummer, ose Sankthansaften, festohet më 23 qershor.
Barcelona, Spanjë
Në qytetin e dytë të Spanjës dhe në të gjithë Katalonjën, midsummer festohet nga mbrëmja e 23 qershorit deri të nesërmen, si Festa e Sant Joan.
Duke shënuar fillimin e verës, ngjarjet rrotullohen rreth zjarrit, ujit dhe barishteve – tre simbolet e Sant Joan.
Plazhi është vendi më i mirë për të shkuar gjatë festimeve – tavolinat e restoranteve rreshtohen përgjatë bregdetit, piknikë organizohen në rërë dhe dyqanet e fishekzjarreve në të gjithë qytetin janë të hapur, për t’u siguruar që nata të festohet me zhurmë.
Islandë
Folklori islandez thotë se solstici i verës mjegullon linjat midis botëve siç i njohim ne – kafshët mund të flasin dhe të kthehen në njerëz, dhe një rrotullim në bar të lagësht mund të shërojë sëmundjet…
Festivali i Solsticit Veror në Reykjavík, që zhvillohet në 23-25 qershor, nuk është thjesht një festival muzikor. Përgatituni për muzikë brenda një akullnajeje ose, për një alternativë pak më të ngrohtë, një festë në burimet gjeotermike.
Festivali përfshin gjithashtu turne në mrekullitë natyrore të Islandës, duke ndarë histori të lashta gjatë rrugës.
/ Shqip.al