Tesla raportoi të martën një rënie më të vogël se sa pritej të dërgesave të automjeteve në tremujorin e dytë, pasi ulja e çmimeve dhe stimujt e prodhuesit të automjeteve elektrike ndihmuan në nxitjen e kërkesës.
Prodhuesi i makinave elektrike dërgoi 443.956 automjete në tre muajt deri më 30 qershor, 4.8% më pak krahasuar me një vit më parë dhe 14.8% më shumë krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Sipas 12 analistëve të pyetur nga LSEG, pritshmëritë e Wall Street ishin që Tesla të dorëzonte 438.019 makina.
Tesla dërgoi 422.405 Model 3 dhe Model Y, dhe 21.551 makina të modeleve të tjera që përfshijnë Model S sedan, Cybertruck dhe Model X premium SUV.
Në periudhën prill – qershor, Tesla prodhoi 410.831 makina.
Tesla, e cila hapi një luftë të çmimeve të makinave elektrike më shumë se një vit më parë, ka ofruar edhe zbritje dhe lehtësi, si kredi me interesa të ulëta dhe plane leasing më ekonomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kinë dhe Europë, të cilat kanë rënduar në marzhet e saj.
Për herë të parë, Tesla regjistroi rënie të shitjeve me bazë vjetore për të dytin vit me radhë.
CEO i Tesla-s, Elon Musk, deklaroi se pret që dërgesat të rriten në vitin 2024 krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, Wall Street pret një rënie për shkak të mungesës së besimit ndaj makinave elektrike dhe normave të larta të interesit.
Në janar, Tesla tha se priste një rritje “veçanërisht më të ulët” të dërgesave këtë vit dhe e ka braktisur objektivin për të dërguar 20 milionë makina në vit brenda 2030 në raportin e saj të fundit vjetor mbi ndikimin të publikuar në maj.
Ky është një ndryshim kursi drastik krahasuar me objektivin e rritjes vjetore në afat të gjatë prej 50%.
/ Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.