Intervistë me Bledar Cenameri, avokat, CLO Legal Solutions
Kuadri ligjor u krijon mundësi debitorëve për të mbrojtur interesat e tyre. Avokati Bledar Cenameri thotë në një intervistë për “Monitor” se rastet e veçanta nuk mund ta vënë në dyshim sistemin.
Sipas tij, megjithëse mund të ketë veprime të izoluara nga punonjës të papërgjegjshëm, raste të veçanta nuk mund ta vënë në dyshim sistemin.
Z. Cenameri shprehet se, nga praktika, në përgjithësi kreditorët përpiqen të shmangin fillimin e procesit ligjor të ekzekutimit të detyrueshëm dhe kjo zakonisht ndodh kur mungon bashkëpunimi dhe vullneti nga debitorët për të gjetur një zgjidhje për detyrimin.
Megjithatë, sipas tij, edhe në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm, ligji u jep mjete debitorëve për t’u mbrojtur, nëpërmjet padisë për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore.
Në rast se debitori provon se vazhdimi i veprimeve përmbarimore mund të sjellë një dëm të parikuperueshëm, mund të kërkojë si masë sigurimi pezullimin e veprimeve përmbarimore.
Pavarësisht ndjeshmërisë publike që mund të ketë, z. Cenameri mendon se ligji duhet të garantojë të drejtat e të gjitha palëve. Sipas tij, nëse ndërmerren rregullime që do të vështirësonin më shumë mbledhjen e detyrimeve, kjo do të frenonte kreditimin dhe do të ndikonte negativisht stabilitetin financiar.
Cila është procedura ligjore që ndiqet për mbledhjen e detyrimeve të pashlyera të kredisë?
Këtu bëhet fjalë për një procedim ligjor të parashikuar në Kodin e Procedurës Civile, për ekzekutimin e detyrueshëm të detyrimeve. Kreditori ka të drejtë t’i drejtohet institutit të ekzekutimit të detyrueshëm, që fillon me lëshimin e urdhrit të ekzekutimit.
Për sa kohë që debitori nuk ka shlyer detyrimet, është e drejtë e kreditorit t’i drejtohet gjykatës, për të kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit dhe gjykata duhet, që brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, të lëshojë urdhrin në fjalë.
Kur gjykata nxjerr urdhrin e ekzekutimit, a ka detyrim për të verifikuar nëse detyrimi është llogaritur në mënyrë korrekte dhe a ekziston detyrimi për të njoftuar debitorin lidhur me kërkesën për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit?
Ligji nuk e parashikon thirrjen e debitorit në rastin e nxjerrjes së urdhrit të ekzekutimit. Këtu nuk ka ndonjë shkelje, sepse në përgjithësi bëhet fjalë për një detyrim të qartë dhe të dokumentuar.
Pra, dokumentacioni i paraqitur nga institucioni financiar është i mjaftueshëm për të provuar se detyrimi ekziston.
Kjo është një praktikë pak a shumë e njëjtë në të gjitha vendet, Shqipëria nuk bën përjashtim. Madje, në rastin e Shqipërisë, praktika ligjore mund të konsiderohet mjaft mbrojtëse në raport me debitorin.
Por, në disa raste, mosmarrëveshjet lidhen edhe me vetë masën e detyrimit, ku shpeshherë debitori pretendon se detyrimi i llogaritur është i padrejtë.
Ligji detyrimin nga kontrata e kredisë e përcakton si titull ekzekutiv dhe instituti i ekzekutimit të detyrueshëm fillon me kërkesën, e shoqëruar me prova. Megjithatë, nxjerrja e urdhrit të ekzekutimit nuk i shteron rrugët ligjore për debitorin.
Në rast se ai ka një pretendim mbi detyrimin që parashikohet në urdhrin e ekzekutimit, mund të ngrejë padi për kundërshtim të veprimeve përmbarimore.
Bazuar në urdhrin e ekzekutimit, përmbaruesi gjyqësor procedon për ekzekutimin e vendimit. Hapi i parë është njoftimi i debitorit, duke i dhënë edhe afatin ligjor për ekzekutim vullnetar.
Debitori merr dijeni për procesin e ekzekutimit dhe afatet që ka, së bashku me masat e tjera të parashikuara, në rast se nuk e shlyen detyrimin vullnetarisht. Në këtë moment, debitori ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës me padi për kundërshtim të veprimeve përmbarimore.
Nëse debitori ngre padi për kundërshtim të veprimeve përmbarimore, a pezullohet automatikisht procesi i ekzekutimit?
Në rast se debitori provon se vazhdimi i veprimeve përmbarimore mund të sjellë një dëm të parikuperueshëm, mund të kërkojë si masë sigurimi pezullimin e veprimeve përmbarimore. Kjo kërkesë vlerësohet nga gjykata në përputhje me ligjin, provat dhe interesat e të gjitha palëve.
Pra, nuk jemi në rrethanat që debitori është ligjërisht i pambrojtur. Pavarësisht ndjeshmërisë publike që mund të ketë, ligji duhet të garantojë të drejtat e të gjitha palëve.
Nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh se po flasim për institucione financiare, që kanë marrë përsipër të financojnë publikun dhe sigurisht që duhet të kenë një lloj mbrojtjeje ligjore, në rast të mosshlyerjes së detyrimeve.
Megjithatë, duke pasur parasysh vonesat në funksionimin e gjykatave, a i garanton sistemi mbrojtje të mjaftueshme dhe në kohën e duhur debitorit? Sa kohë mund të kërkojë gjykata për këtë proces?
Mendoj se vonesat e gjykatave, në shumicën e rasteve, janë në dëm të kreditorit, ta themi hapur. Mendoj se asnjë kreditor, aq më pak institucionet financiare, nuk ka interes të arrijë në proces të ekzekutimit të detyrueshëm, të bllokojë llogari apo prona.
Kreditori ka interes të marrë mbrapsht paratë e veta. Nga dijenia dhe përvoja ime, të gjithë kreditorët përpiqen të mbledhin detyrimin pa arritur në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm. Ka njoftime, ka komunikim, mund të ketë negociata, etj.
Pra, të gjithë e dimë, në rast se dështojnë të gjitha këto përpjekje, do të thotë se debitori nuk ka dëshirë të paguajë. Vërej se ka përpjekje për të ndërgjegjësuar debitorin për të respektuar kushtet e kontratës.
Në përgjithësi, kreditorët përpiqen në të gjitha mënyrat për ta shmangur procesin e ekzekutimit të detyrueshëm. Madje, ka raste që tentohet që zgjidhja të gjendet nëpërmjet ndërmjetësimit.
Kur nuk ka bashkëpunim apo reagim nga debitori, atëherë kalohet në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm dhe është e drejta e secilit të kërkojë të drejtën e tij ligjore.
Nuk duhet të harrojmë që edhe procesi ligjor për mbledhjen e detyrimit ka kostot e veta. Më pas, kur del urdhri i ekzekutimit, ka kosto të mëtejshme, që parapaguhen nga kreditori dhe që vetëm nëse ekzekutimi rezulton i suksesshëm, i merren mbrapsht debitorit.
Ti i ke dhënë besim një debitori, i ke dhënë hua mjetet e tua financiare dhe për t’i marrë mbrapsht duhet të shpenzosh për një proces ligjor që po e shkakton debitori, duke mos kthyer detyrimin.
Procesi i ekzekutimit të detyrueshëm është i kushtueshëm dhe kërkon kohën e vet. Mund të mos bllokosh dot para, por detyrohesh të bllokosh një send, që duhet vlerësuar dhe vlerësimi ka kosto më vete.
Në veprimet përmbarimore, a ekziston një rrugë ligjore e përshkallëzuar apo një proprocionalitet i veprimeve në raport me masën e detyrimit? Për shembull, mund të ndodhë që për një detyrim relativisht të vogël të vendoset sekuestro mbi pasuritë e paluajtshme.
Parimi bazë është që të arrihet një ekzekutim sa më i shpejtë dhe me sa më pak kosto. Pra, duhet të jetë e qartë se në kushte normale, nuk është një zgjidhje e preferueshme sekuestrimi i pronës, sepse kjo ka kosto më të lartë sesa t’i marrësh paratë në bankë.
Në rast se nuk ka para në bankë, mund të procedohet edhe me bllokimin e pasurive të tjera, përfshi ato të paluajtshme. Këtë e vlerëson përmbaruesi, por duhet të kemi parasysh se deri në sekuestron e pronës, janë ndërmarrë veprime të tjera, duke filluar nga njoftimi i debitori.
Në sistemin tonë ligjor, çdo debitor përgjigjet për detyrimin me të gjithë pasurinë e tashme dhe të ardhshme. Edhe nëse nuk ka dhënë hipotekë ligjore mbi pronën, debitori mund të jetë subjekt i sekuestrimit dhe ekzekutimit të saj.
Hapi i parë është sekuestro konservative. Hapi i dytë është caktimi i ekspertit që vlerëson pronën. Edhe kjo hallkë ka kosto. Të gjitha njoftimet i bëhen si kreditorit, ashtu edhe debitorit. Secila nga palët ka të drejtë të kundërshtojë vlerësimin e ekspertit në gjykatë.
Vlera e caktuar nga eksperti është referencë për të vijuar me procedurën e ankandit, siç parashikohet në Kodin e Procedurës Civile.
Ligji i ka parashikuar qartë të gjitha procedurat dhe për mendimin tim, duke qenë se gjithmonë parashikon një rregullim të përgjithshëm i garanton ndoshta një mbrojtje më të madhe debitorit, sesa kreditorit, duke pasur parasysh që debitorë të ndryshëm mund të gjenden në pozita të ndryshme, ndërkohë që kreditori është gjithnjë ai që kërkon të drejtën e vet dhe këtë të drejtë duhet ta kërkojë në respekt të ligjit.
Në fund të fundit, historia ka gjithmonë dy anë të medaljes. Nuk e përjashtojmë që mund të ketë gabime apo neglizhenca edhe nga ana e institucioneve financiare, por nga përvoja ime, praktika e përgjithshme është kjo.
Mund të ketë veprime të izoluara nga punonjës të papërgjegjshëm që mund të adresohen nëpërmjet ankesave, por raste të veçanta nuk mund ta vënë në dyshim sistemin.
Duhet të flasim edhe lidhur me atë që kredia sjell të drejta, por edhe detyrime dhe shoqëria duhet të edukohet me kulturën e respektimit të detyrimeve.
Nga praktika juaj, keni hasur shkelje në aktivitetin e përmbaruesve?
Mendoj se përmbaruesit privatë në përgjithësi kanë pasur ndikim pozitiv në funksionimin e këtij shërbimi, duke pasur parasysh problematikat e shumta që ekzistonin me shërbimin përmbarimor shtetëror.
Megjithatë, nuk e përjashtoj që edhe shërbimi privat mund të ketë problemet e veta dhe që mund të ketë përmbarues që ndonjëherë tregohen tepër të “zellshëm” apo ndoshta abuzivë, por kjo gjë duhet parë rast pas rasti dhe unë nuk jam në dijeni të rasteve konkrete.
Sidoqoftë, edhe nëse ka raste të tilla, besoj se rruga më e mirë është që problemi të adresohet në rrugë ligjore. Është e drejtë e secilit t’i adresojë problemet edhe në rrugë publike, por në fund nuk duhet harruar se zgjidhja e problemeve bëhet në rrugë ligjore, në gjykatë.
Banka e Shqipërisë ka rekomanduar hartimin e procedurave të posaçme ligjore të lidhura me ekzekutimin e detyrueshëm dhe me veprimet procedurale të përmbaruesve. Besoni se një gjë e tillë është e nevojshme?
Procesi i ekzekutimit, në vetvete është shumë i komplikuar dhe për mendimin tim, rregullimi i këtyre procedurave është mjaft rigoroz.
Nëse do të aplikoheshin shtrëngime të mëtejshme në dëm të kreditorit, për mendimin tim kjo do të krijonte më shumë probleme, për një vend si Shqipëria, ku kultura e respektimit të detyrimeve është ende e dobët. Një rregullim duhet të marrë parasysh interesat e të gjitha palëve.
Për mendimin tim, kjo do të ishte jo vetëm e panevojshme, por edhe e tepërt. Ligji duhet të mbajë parasysh interesat e të gjitha palëve. Nëse ndërmerren rregullime që do të vështirësonin më shumë mbledhjen e detyrimeve, kjo do të frenonte kreditimin dhe do të ndikonte negativisht stabilitetin financiar.
Çdo kredidhënës do të detyrohet të llogarisë rreziqet e shtuara të lidhura me vështirësinë për të mbledhur detyrimet dhe kjo do të përkthehet në kreditim më të shtrënguar dhe në kosto më të larta për huamarrësit. Nuk besoj se kjo është në interesin publik.
Mendoj se Banka e Shqipërisë duhet të punojë më shumë për sensibilizimin e opinionit publik, lidhur me domosdoshmërinë për të respektuar detyrimet e veta financiare.
Nëse debitorët do të jenë më të ndërgjegjshëm dhe më bashkëpunues, besoj se do të ketë më pak situata kur paraqitet nevoja për të ndjekur procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm.
Lexoni edhe:
Rreziku nga borxhet “e harruara”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.