Sunday / September 8 / 2024
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Editoriali Monitor

Vera e qetë e ndërrimit të pushteteve

Share Share Icon

Qetësia me të cilën u zhvilluan zgjedhjet e 23 qershorit, me pak incidente, por që nuk arritën ta prishin këtë atmosferë, pranimi i qetë i rezultatit dhe përgatitja për ndërrimin paqësor të pushteteve, ishin zhvillime pozitive, që u vlerësuan nga të gjithë dhe që treguan se shoqëria dhe politika shqiptare ka arritur një fazë më të lartë emancipimi.
Pavarësisht zhurmës që tenton të krijojë media, edhe tani, kur kanë mbetur shumë pak ditë nga ndërrimi zyrtar i pushteteve, vazhdojmë të kemi një situatë absolutisht të qetë.
Dy muajt e tranzicionit i dhanë kohë të mjaftueshme qeverisë në detyrë që të përgatitë dorëzimet. Koha ishte po aq e mjaftueshme dhe për qeverinë e re, ende të padekretuar, që në këto muaj pushime aktive të hidhte piketat për strukturat qeverisëse, teksa po përgatitet që të marrë frenat e vendit në dorë.
Ndonëse kjo ka qenë një verë më e qetë, porsa i përket lëvizjes së shqiptarëve jashtë vendit dhe ardhjes së turistëve të huaj, sidomos atyre kosovarë, qytetarët me pushime shfaqen indiferentë dhe të qetë dhe nuk japin shenja se po ua vënë veshin mediave lidhur me ngjarjet e stisura si të mëdha, si p.sh. ngjarjes së kalimit të pronësisë së Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë te ndonjë parti politike. Një lajmi të tillë, vetëm pak vite më parë as do t’i vinte radha për të dalë në faqe të parë.
Shqipëria në këto muaj kalimi të pushtetit ngjan plotësisht me këdo vend perëndimor dhe urojmë që të jetë pikërisht një ndryshim i mirëfilltë qeverisjeje pa trauma.
Ajo që palët do të duhet të bëjnë në të mirë të vendit do të ishte tentativa për të realizuar sa më parë hapjen e negociatave për statusin e Shqipërisë si kandidate për në Bashkimin Europian, zhvillim që dy vitet e fundit është shtyrë disa herë, për arsye nga më të ndryshmet, si politike ashtu dhe mosplotësim të kushteve të tjera. Përqendrimi në ekonominë e vendit do të ishte gjithashtu një zhvillim tjetër i domosdoshëm dhe i mirëpritur.
Qeveria e re, që në shtator do të ketë detyrën e vështirë që të përballet me rishikimin e buxhetit, veprim që tashmë është i pashmangshëm dhe në menaxhimin e financave deri në fund të këtij viti, sa të hartohet buxheti i ri (ministri aktual i Financave pranoi së fundmi se mosrealizimi i të ardhurave për 7-mujorin ishte 11.5 miliardë lekë). Periudha deri në dhjetor pritet gjithashtu që të jetë e qetë dhe pa shumë zhvillime, teksa premtimet për ndryshimet e taksave duket se janë shtyrë për vitin e ardhshëm.
Nga ana tjetër, ajo ka shansin që po e merr pushtetin në një moment kur Eurozona po shfaq shenja të qëndrueshme rigjallërimi, duke dalë nga recesioni në tremujorin e dytë, pasi kishte shënuar rënie për gjashtë tremujorë radhazi. Ishte pikërisht kriza në Eurozonë ajo që “ndëshkoi” ekonominë dhe qeverinë në më shumë se katër vitet e fundit (nga fundi i 2008-s) dhe tani është sërish ajo që po na jep shansin që të shpresojmë për një rigjallërim të rritjes ekonomike.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu Falas!