Një raport i ri irlandez krahason koston e ndërtimit të të njëjtit apartament në dhjetë qytete europiane.
Qyteti zviceran i Zyrihut dhe kryeqyteti irlandez Dublini, kryesojnë renditjen në një raport të fundit mbi kostot e ndërtimit në të gjithë Europën.
Të dhënat e publikuara këtë javë nga Society of Chartered Surveyors Ireland dhe Trinity College Dublin shikojnë çmimin e ndërtimit të së njëjtës njësi në dhjetë qytete.
Standardi ishte një bllok prej 39 apartamentesh mbi shtatë ose më shumë kate, që përmbanin kryesisht banesa me dy dhoma gjumi.
Sipas raportit, kostoja e ndërtimit të këtij lloj apartamenti në Zyrih, është rreth 2866 euro për metër katror, shifra më e lartë e regjistruar.
Kjo u pasua nga Dublini, Mançesteri, Stokholmi dhe më pas Glasgou.
Më të përballueshmit ishin Birminghami, Amsterdami, Brukseli dhe Belfasti.
Qyteti më i lirë i studiuar ishte Talini në Estoni, ku ndërtimi i një apartamenti kushtoi 1,367 € për metër katror, shumë nën mesataren e 10 qyteteve, prej 2,057 € për metër katror.
Studiuesit shikuan kostot “të vështira” si materialet, por edhe disa kosto “të buta”, si tarifat profesionale dhe taksat.
“Ky sondazh krahasoi çmimin e një blloku apartamentesh zvicerane, nëse do të ndërtohej në dhjetë qytetet dhe është e qartë se ky dizajn është shumë i ndryshëm nga ana arkitekturore, nga ai që do të jepnim në Irlandë,” tha Bryn Griffiths, një nga autorët e raportit dhe Zëvendëskryetari i Komitetit të Grupit Profesional SCSI.
“Dizajnet që ne po përdorim në Irlandë, nxisin kosto më të larta dhe ne besojmë se nëse politika e planifikimit do të zbatonte qasje alternative dhe më shumë fleksibilitet, kostot mund të reduktoheshin në këtë fushë.”
Dublini, një nga fokuset kryesore të raportit, ka vite që po lufton për të ndërtuar sasi të mjaftueshme shtëpish, për të mbështetur popullsinë e tij.
Çmimi i ndërtimit të një blloku apartamentesh në kryeqytetin irlandez arriti në 2,363 euro për metër katror.
Sipas shifrave nga Zyra Qendrore e Statistikave të Irlandës, 13,866 të rritur dhe fëmijë ishin në strehim për të pastrehë në Irlandë këtë mars – një rritje vjetore prej 16%.
“Dublini është disi më i lirë se qyteti tipik për punime strukturore, që zakonisht përfshijnë beton,” tha Ronan Lyons, profesor i asociuar i ekonomisë në Trinity College Dublin.
“Megjithatë, kostoja e përgjithshme e lartë e Dublinit është veçanërisht për shkak të dy titujve”, shtoi ai.
Domethënë, këto janë “shërbime dhe pajisje, të cilat përfshijnë ngrohjen, ashensorët me energji elektrike dhe punët jostrukturore, të cilat mbulojnë dysheme, dritare dhe zdrukthtari”.
Analiza më e gjerë në të gjitha qytetet e anketuara, sugjeron se çmimi i burimeve ndryshon shumë më pak se kostot e punës.
Duke cituar shifrat e Eurostat, publikimi i ri vuri në dukje se në Estoni, kostoja mesatare për orë e punës në ndërtim është 16,50 €.
“Grupimi më i shtrenjtë janë qytetet e Europës Qendrore (në veçanti gjermane), të cilat kanë kostot më të larta të punës për orë nga qytetet e mbuluara”, nënvizonte raporti. “Ky grup përfshin Zyrihun, Vjenën dhe Berlinin, por edhe Gjenevën”.
Autorët e raportit nënvizuan, se nevojiten më shumë kërkime për të krahasuar faktorë të tjerë, si çmimi i tokës dhe kostot e detajuara rregullatore.
Gjithashtu duhet theksuar se shifrat e përfshira në raport, janë të tremujorit të parë të 2020.
Prandaj, ato u regjistruan përpara se kostot e ndërtimit të rriteshin së tepërmi, për shkak të pandemisë dhe çmimeve të energjisë në Europë./ Euronews