Kryeqyteti i Toskanës, djepi i Rilindjes dhe një nga destinacionet më të njohura të Italisë, Firence, nuk ka nevojë për prezantim.
Ai renditet vazhdimisht, si një nga qytetet e preferuara të lexuesve të Travel + Leisure, falë historisë së pasur, thesareve artistike dhe ushqimit e verës së dashur, pjesa më e madhe e të cilave, vjen nga kodrat Chianti dhe Montalcino aty pranë.
Firence është një destinacion, që duhet vizituar, për një zhytje të pasur kulturore, në artin dhe historinë italiane.
Megjithëse qendra historike, është relativisht kompakte, ajo është e mbushur me muzeume, që përmbajnë vepra arti të çmuara, kisha që janë kryevepra arkitekturore, restorante, bare dhe dyqane, që shesin gjithçka, nga specialitetet gastronomike, deri te artikujt dhe bizhuteritë e punuar me dorë prej lëkure.
Në fakt, Firence ka qenë gjithmonë një strehë për artizanët, që praktikojnë zanatet tradicionale, dhe sot, ju mund të gjeni akoma mallra të prodhuara nga artizanati, nëse dini se ku të kërkoni.
Pesë gjërat që nuk duhet të humbisni:
- Helvetia & Bristol Firenze, është hoteli më i vjetër luksoz i qytetit dhe pas një rinovimi, ai është më magjepsës se kurrë.
- Galeria degli Uffizi, përmban disa nga veprat më të mëdha të artit të krijuara ndonjëherë.
- La Scuola del Cuoio, vazhdon traditën historike të prodhimit të lëkurës në Firence dhe është vendi i përsosur, për të blerë një çantë artizanale me cilësi të lartë.
- Një aperitivo në perëndim në La Terrazza në Hotel Continentale, është vendi i përkryer për një mbrëmje të këndshme.
- Në Firence, duhet të provoni bistecca alla Fiorentina; vendi më i mirë për ta provuar është Regina Bistecca.
Zonat që duhet të vizitoni
Duomo
I njohur gjithashtu si San Giovanni, pjesa e Centro Storico (qendrës historike), që përfshin Duomo dhe Piazza della Signoria, është vetë zemra e qytetit.
Kjo zonë është e mbushur me vende, duke përfshirë Galeria degli Uffizi, Palazzo Vecchio, Piazza della Repubblica dhe brigjet e lumit Arno.
Santa Croce
Në lindje të Duomos, Santa Croce është i njohur për Bazilikën e Santa Croce (bazilika e kryqit të shenjtë), e cila përmban afreske të jashtëzakonshme nga Giotto dhe varret e Michelangelo dhe Galileo.
Lagjja është shtëpia e Mercato di Sant’Ambrogio, e cila, është një perlë e fshehur.
Santa Maria Novella
Santa Maria Novella, është lagja ku do të gjeni stacionin e trenit dhe bazilikën me të njëjtin emër.
Pjesa perëndimore e lagjes, përtej stacionit të trenit, është kryesisht për banim, por në zonën përreth bazilikës, ndodhen disa hotele, restorante dhe bare luksoze.
San Lorenzo
Zona e vogël midis stacionit të trenit dhe Duomo, është San Lorenzo, rrethi qendror i tregut të qytetit. Kujdes nga tezgat, që shesin lëkurë false ose suvenire të prodhuara në Kinë.
Nga ana tjetër, do të gjeni shitës fruta-perime, peshk dhe mish të freskët. Kati i sipërm, ka një sallë ushqimi, që shet specialitete vendase si lampredoto (sanduiçe me të brendshmet e bagëtive) dhe schiacciata (një bukë toskane).
Oltrarno
Fjalë për fjalë ‘përtej Arnos’, Oltrarno është një zonë më e qetë, pak boheme. Zona ka ndryshuar shumë gjatë dekadës së fundit.
Studiot artizanale dhe restorantet e vogla të lagjeve të punëtorëve, po zëvendësohen nga dyqanet e zakonshme, por nëse dini se ku të kërkoni (sugjerim: nuk është aty ku janë radhët e gjata), do të gjeni traditat fiorentine dhe dyqanet e vjetra, që gumëzhijnë në heshtje.
/ Shqip.al