E PERDITESUAR/ Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka prezantuar projektbuxhetin e vitit 2015 në Konferencën e Kryetarëve. Cani ka theksuar se ky buxhet parashikon uljen e borxhit dhe nxitjen e ekonomisë. Pas vitit 2017, tha ministri pritet që ekonomia të përshpejtohet dhe të rritet me ritme më të larta se 4-5% në vit, duke shtuar se institucionet ndërkombëtare e kanë vlerësuar pozitivisht rritjen ekonomike të vendit. Ai e ka vënë theksin te masat që janë marrë në energjetikë, që i ka quajtur hap cilësor. Katër objektivat kryesorë të buxhetit të vitit 2015, sipas ministrit janë rritja ekonomike, ulja e borxhit, ndërhyrja në pensione dhe në energji. Megjithatë, Cani ka shtuar se borxhi mbetet një rrezik për rritjen ekonomike, ndërsa qeveria planifikon që në afatin e mesëm, ai të ulet deri në 60% të prodhimit të brendshëm bruto.
Ministri ka shpjeguar dhe disa nga ndryshimet e sistemit të taksave. Ai ka theksuar se hiqet TVSH për sigurimet, rritet taksa me 10 lekë për litër për karburantet dhe rritet tatimi mbi të ardhurat në 15%, por pensionet vullnetare nuk preken nga tatimi mbi të ardhurat.
Deputetët kanë kërkuar informacion më të detajuar, ndërsa kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe ka propozuar që të kalohet buxheti në parim në 17 nëntor.
Sipas variantit përfundimtar të buxhetit të miratuar nga qeveria, të ardhurat totale parashikohen të arrijnë në 414 miliardë lekë, ose 27.7% të prodhimit të brendshëm, me një rritje ambicioze me gati dy pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm. Shpenzimet parashikohet të jenë rreth 475 miliardë lekë, dhe deficiti rreth 60 miliardë lekë.
Bashkë me projektbuxhetin 2015 është hartuar dhe paketa fiskale ( e cila do të prezantohet të premten), ndryshimet kryesore të së cilës parashikojnë rritjen e tatimit mbi dividendin, të ardhurat nga qiraja, nga interesat e depozitave etj, nga 10 në 15%; rritja e taksës së qarkullimit mbi karburantet me 10 lekë për litër, heqja e taksës së qarkullimit për naftën e peshkimit, heqjen e taksës doganore për disa lendë të para që përdoren për bujqësinë si dhe rregullime të tjera fiskale, me një efekt neto pozitiv në buxhet prej 13.4 miliardë lekësh.