Tregu kryesor i aksioneve në Mbretërinë e Bashkuar rimori kurorën e tij, si më i vlefshmi i Europës, për herë të parë në gati dy vjet.
Vlera totale e kompanive të listuara në Bursën e Londrës (London Stock Exchange, LSE) arriti në 3.18 trilion dollarë, duke tejkaluar vlerën totale prej 3.13 trilion dollarësh të kompanive të listuara në Paris, sipas të dhënave të Bloomberg.
Analistët thonë se tregu francez ka rënë, për shkak të pasigurisë rreth zgjedhjeve elektorale, ndërsa tregu në Mbretërinë e Bashkuar po rimëkëmbet pas disa vitesh me performancë të ulët.
LSE ishte qenë tregu më i madh i aksioneve në Europë për shumë vite, përpara nëntorit 2022, kur u tejkalua.
Analistët në atë kohë fajësuan performancën e LSE-së për pasojat e mini-buxhetit të ish-kryeministrit Liz Truss, një monedhë të dobët, frikën
e recesionit dhe Brexit-in.
LSE kishte rreth 1.4 trilion dollarë më shumë se rivali i saj parizien në vitin 2016.
Analistët thonë se investitorët e tregut në përgjithësi, nuk e pëlqejnë pasigurinë – dhe ka shumë pyetje se çfarë do të nënkuptojnë zgjedhjet e ardhshme në Francë.
Presidenti Emmanuel Macron thirri zgjedhjet e parakohshme në fillim të këtij muaji, pas një fitoreje të Tubimit Kombëtar (National Rally) të krahut të djathtë të rivales së tij Marine Le Pen në zgjedhjet europiane.
Tregjet financiare shpesh reagojnë keq, kur nuk e dinë se nga do të vijnë paratë për zotimet e një qeverie.
Kjo për shkak se ndikon në vlerën e obligacioneve, që investitorët i japin hua qeverisë, me një normë të rënë dakord nga tregu.
Nëse investitorët besojnë se një qeveri ose politikat e mundshme të qeverisë nuk përputhen, norma e interesit për obligacionet, e njohur si yield-i, ka tendencë të rritet.
Kjo më pas dëmton vlerën e kompanive të listuara, sepse nëse yield-i i obligacioneve është shumë i lartë, atëherë investitorët shpesh mund të bëjnë më shumë para duke i dhënë hua qeverisë, sesa duke investuar në aksionet e një kompanie.
Kancelari Jeremy Hunt tha në samitin e këshillit të drejtuesve ekzekutivë të Wall Street Journal: “Unë mendoj se rënia e tregut të aksioneve të Londrës është jashtëzakonisht e mbivlerësuar.
“Ne kemi sfida dhe po i adresojmë ato.”
Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet LSE gjatë dekadës së fundit ka qenë tërheqja e investitorëve dhe kompanive, të tunduara nga bursat amerikane.
Një numër firmash të mëdha, duke përfshirë ato me bazë në MB, kanë zgjedhur të listohen në SHBA dhe jo në MB.
Kjo ka rritur vlerën e aksioneve amerikane, gjë që më pas inkurajon edhe më shumë kompani të listohen atje.
Indeksi S&P All-Share, i cili gjurmon vlerën e çdo kompanie të listuar në SHBA, është rritur mbi 85% gjatë pesë viteve të fundit.
Indeksi ekuivalent FTSE All-Share, është rritur me më pak se një të dhjetën gjatë të njëjtës periudhë kohore.
Megjithatë, që nga fillimi i këtij viti, indeksi i Mbretërisë së Bashkuar është rritur, gjë që drejtori i investimeve të AJ Bell, Russ Mold tha se ishte pjesërisht për shkak të qartësisë së normave të interesit.
Ato pritet të ulen në këtë vit, që do të thotë se kompanitë britanike mund të marrin hua për më pak.
Pavarësisht kësaj, aksionet britanike janë shumë më të lira se aksionet amerikane në raport me fitimet e tyre, dhe zoti Mold sugjeroi se investitorët mund të mbivlerësojnë kompanitë amerikane dhe të nënvlerësojnë ato në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai vuri në dukje se bursat në SHBA varen shumë nga një pjesë e vogël e aksioneve të kompanive teknologjike me vlerë të lartë, duke përfshirë Google, Apple dhe Amazon, por nuk besonte se kjo do të ishte e qëndrueshme në afat të gjatë.
“Nëse të gjithë janë ulur në njërën anë të varkës, ajo do të përmbyset,” tha ai. / BBC