Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pasi u njoh me zhvillimet në vend, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë në 3.5%.
Sipas guvernatorit Ardian Fullani, presionet infalcioniste janë dhe do të vazhdojnë të ulëta, çka do të bëjnë që politika monetare të vazhdojë të jetë stimuluese dhe për periudhën në vijim, duke bërë të mundur ruajtjen e inflacionit në periudhë afatmesme. Sipas Fullanit, ekonomia është karakterizuar nga ritme të ulëta të rritjes ekonomike, duke rezultuar 1.1% në tremujorin e dytë dhe i tillë pritet të jetë dhe në tremujorin e tretë.
Konsumi dhe investimet vlerësohen të dobëta dhe kërkesa e huaj ka vijuar të frenohet. Pasiguria e agjentëve privatë është reflektuar në gatishmëri të ulët për të shpenzuar dhe kërkesë të ulët për kredi bankare, duke penguar përcjelljen e stimulit bankar në ekonomi. Nga ana tjetër dhe bankat kanë qenë të shtrënguara në dhënien e kredive.
Megjithatë, Fullani theksoi se stabiliteti makroekonomik është ruajtur. Sistemi bankar mbetet i shëndetshëm i mirëkapitalizuar dhe me likuiditetin e nevojshëm.
Inflacioni vijoi prirjet ngadalësuese, duke qenë mesatarisht 1.5% për 9 mujorin, i ndikuar nga reduktimi i çmimeve bujqësore. Kapacitetet në ekonomi mbeten të pashfrytëzuara, tha Fullani.
Rritja ekonomike në tremujorin e dytë u mbështet kryesisht nga sektori publik. Shpenzimet konsumatore, ndonëse u rritën, nuk dhanë kontribut domethënës në rritjen ekonomike të vendit. Të përballur me një kërkesë të ulët konsumatore dhe në prani të kapaciteteve të pashfrytëzuara, edhe investimet private kanë mbetur të ulëta.
Politika fiskale ishte stimuluese, sidomos në gjysmën e parë të vitit. Shpenzimet u rritën me 8% dhe të ardhurat ranë me 4% për tetë mujorin, duke sjellë një deficit prej 1.25 herë më të lartë se vitin e kaluar, që u financua kryesisht me instrumenta të brendshëm afatgjatë. Është rritur njëkohësisht dhe borxhi publik, tha Fullani.
Ecuria e kredisë ka qenë e dobët, tha Fullani. Huaja u tkurr në korrik dhe gusht, duke rënë në fund të gusht me 2% me bazë vjetore. Kjo prirje ka reflektuar kërkesën e dobët nga biznesi dhe forcimit të kushteve nga bankat. Fullani përmendi si pozitiv procesin e pastrimit të bankave nga kreditë që nuk kanë shpresë të kthehet.
Rritja ekonomike pritet të jetë e dobët dhe në vijim, në prani të mungesës së stimulit fiskal dhe kërkesës së dobët, duke mbajtur të frenuara çmimet e konsumit.
Fullani paralajmëroi se politika monetare do të vijojë të jetë stimuluese edhe në vijim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.