Brenda hoteleve më spektakolare dhe më të largëta mbi akullnaja në botë
Ideja për të udhëtuar në një vend unik dhe të largët po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për shumë njerëz, veçanërisht tani që resortet po mbushen plot.
Realisht, nuk ka asgjë më mahnitëse e befasuese, po aq sa dhe të frikshme, sesa të kesh mundësinë për të kaluar pak kohë në një akullnajë.
Qoftë me helikopter apo me motor dëbore, udhëtimi për në vendet e largëta të akullnajave është një përvojë plot adrenalinë, pa dyshim jo për ata që kanë zemër të dobët.
Kulmhotel Gornergrat (Zvicër)
I vendosur në Gornergrat, me pamje nga Akullnaja Gorner, 3100 Kulmhotel është hoteli më në lartësi i Alpeve Zvicerane, i cili ka qëndruar për 100 vjet në malin Gornergrat. Ai ka 22 dhoma moderne të stilit alpin, të cilat ofrojnë pamje madhështore të Matterhorn ose Montblanc.
Hotel Glacier Grawand (Itali)
Në një lartësi 10,500 këmbë mbi nivelin e detit, Glacier Hotel Grawand është hoteli më në lartësi i Europës. I vendosur në Tirolin e Jugut, në akullnajën Val Senales/Schnalstal, ju mund të arrini në këtë hotel nëpërmjet teleferikut të akullnajës Val Senales/Schnalstal nga Maso Corto/Kurzras. Ai ka 30 dhoma dyshe me dritare panoramike, duke përfshirë dhomën dyshe që sapo është rinovuar, “Panorama-View”, e cila ofron një pamje fenomenale.
Hotel Belvedere (Zvicër)
Ky hotel dramatik dhe ikonik zviceran ndodhet direkt pranë akullnajës Rhône. Rruga nuk është e aksesueshme gjatë dimrit, kështu që hoteli qëndron i mbyllur për gjashtë muaj çdo vit. Në një lartësi prej gati 8,000 këmbë mbi nivelin e detit, Hoteli Belvédère u ndërtua në vitin 1882 dhe ishte një atraksion popullor për aventurierët për shumë dekada, veçanërisht pasi u shfaq në filmin e James Bond “Goldfinger”.
Cube Aletsch – Hotel Million Stars (Zvicër)
Ky kontenier banimi i mobiluar thjesht, Cube, është i rrethuar nga peizazhi i maleve të zonës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Jungfrau-Aletsch. Shijoni një gotë verë në oborrin e vogël të Cube ndërsa shikoni rrezet e fundit të diellit që ndriçojnë Akullnajën e Madhe Aletsch e cila ndodhet aty ngjitur. Cube Aletsch është pjesë e një projekti kombëtar të turizmit që ofron lidhje më të afërta me mjedisin e jashtëm dhe përfshin 50 mundësi akomodimi.
Parku Kombëtar i Akullnajës Vatnajökull (Islandë)
Akullnaja Vatnajökull është akullnaja më e madhe në Europë, e cila mbulon 8% të Islandës. Për shkak të madhësisë së saj të jashtëzakonshme, shumë pjesë të saj janë territor kryesisht për ecje. Hotel Skaftafell është akomodimi më i afërt me këtë akullnajë spektakolare.
Akullnaja Aletsch (Zvicër)
Akullnaja e stërmadhe Aletsch, pjesë e një zone të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është rrjedha më e madhe e akullit në Alpe. Ajo është shumë e njohur për shkak të lehtësisë që ofron për të bërë hiking. Hotel Das Bodmi është akomodimi më i afërt me akullnajën.
Akullnaja Mýrdalsjökull (Islandë)
Kjo akullnajë ndodhet në mbulesën e katërt akullnajore më të madhe në vend dhe përmban vullkanin masiv Katla. Udhëtimet në shpellat e akullit dhe ecjet e gjata në këmbë janë më të preferuarat këtu.
Akullnaja Jostedal (Norvegji)
Kjo akullnajë përbën mbulesën më të madhe akullnajore në kontinentin e Europës. Për shkak të vendndodhjes së saj të famshme dhe lehtësisë për t’u aksesuar, ajo është një nga vendet më të mira për të eksploruar akujt. Hotel Jostedal është një nga akomodimet më të afërta të kësaj akullnaje. / Forbes
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.