Stoku i fluksit dalës të investimeve për Shqipërinë, në fund të vitit 2012 ka arritur në 206 milionë euro.
Shifra bëhet e ditur në Raportin Botëror të Investimeve pregatitur nga UNCTAD dhe të publikuar pak ditë më parë.
Shqiptarët kanë investuar më shumë jashtë në raport me shtete të tjera të rajonit, në nivele zhvillimi të krahasueshme me ne, si Maqedonia, bizneset e të cilës kanë një stok të investuar jashtë prej vetëm 104 milionë dollar dhe në nivele pak më të ulëta se Bosnja, që ka një nivel prej 286 milionë dollarësh.
Rekordin për investime dalëse e mbajnë Kroacia dhe Serbia, përkatësisht me 4.5 dhe 2.2 miliardë euro.
Rritja e shpejtë e kompanive gjatë viteve 2004-2007 i nxiti bizneset shqiptare jo vetëm të investonin më shumë brenda vendit, por të rrisnin ndjeshëm edhe investimet në tregjet e huaja. Nuk ishin të paktë sipërmarrësit që nisën dhe zhvilluan projekte në vendet e rajonit e madje edhe në shtete europiane, si Itali, Austri, etj.
Më aktivet në investime kishin firmat e ndërtimit, që nisën ndërtimin e komplekseve të banimit dhe të hapësirave tregtare.
Megjithatë, këto investime rezultojnë të jenë goditur nga kriza ekonomike europiane, sipas bizneseve të kontaktuara nga Monitor. Sidomos më të goditura kanë qenë kompanitë e ndërtimit. “Nga informacionet që kemi nga anëtarët tanë, thuajse të gjitha kompanitë që kanë investuar në tregun e rajonit kanë pasur ecuri negative, duke nisur që nga Bullgaria dhe deri në Maqedoni dhe Mal të Zi”, thotë z. Hajredin Fratari.
Në Bullgari (Sofje), Fatos Pustina ishte ndër të paktët sipërmarrës të ndërtimit, i cili ndërtoi një kompleks të madh banimi. Ecuria deri para goditjes nga kriza ka qenë shumë e mirë, pasi edhe shitjet kanë pasur dinamikë të kënaqshme. Por Konfindustria konfirmon se kompania tashmë është në vështirësi për të shitur apartamentet.
“Në Bullgari, thuajse të gjitha shitjet realizohen përmes kredive të bankave, Në këtë kohë, kur bankat e kanë ulur shumë huanë, kjo situatë është e pashmangshme, prandaj edhe kompania e ka të vështirë të shesë apartamentet”, shpjegojnë drejtuesit e Konfindustrisë.
Të njëjtin “fat” kanë pësuar edhe investimet e disa sipërmarrësve shqiptarë në Maqedoni, sidomos në “zonën shqiptare” të Shkupit. Edhe në Strugë, kompanitë nuk po mundin të shesin dot apartamentet apo dyqanet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.