Kreditimi i bizneseve vijon të tkurret që nga tremujori i dytë i vitit 2013, sipas raportit të stabilitetti financiar të Bankës së Shqipërisë. Në fund të 2013, kredia për bizneset ra me 2.16%, në terma vjetorë. Kjo sjellje u kushtëzua kryesisht nga tkurrja e kredisë në valutë me 3.78%, ndërsa kredia në lekë shënoi zgjerim të lehtë me 1.13%. Sipas madhësisë se aktivitetit, bizneset e mëdha kanë përfituar 62.7% të portofolit të kredisë për bizneset, ndërkohë që biznesi i vogël dhe ai i mesëm kanë përfituar përkatësisht 17% dhe 20.3% të portofolit. Për sa i përket kohëzgjatjes së kredisë, vërehet një prirje e biznesit të madh për të zgjeruar kredinë afatshkurtër, ndërsa biznesi i vogël dhe i mesëm ka rritur peshën e kredisë afatgjatë. Në lidhje me monedhën e kreditimit, vërehet një prirje për zgjerimin e kreditimit në lekë, i cili përbën 34% të totalit. Në këtë periudhë, biznesi i vogël ka shfaqur një prirje më të fortë për rritjen e kreditimit në lekë, ndërkohë që biznesi i mesëm dhe i madh ka shfaqur një ritëm më të ngadaltë.
Cilësia e portofolit të kredisë për bizneset është përmirësuar, në fund të 2013, duke reflektuar kryesisht shitjen e kredive me probleme nga bankat dhe fshirjen e tyre nga bilanci. Ne fund të vitit, raporti i kredive me probleme për bizneset shënonte nivelin 26.03%, nga 26.5% që shënonte në fund të gjashtëmujorit të parë.
Gjatë periudhës në analizë, bizneset e kanë rritur ekspozimin ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, në ndryshim me prirjen rënëse të reflektuar që nga fillimi i vitit 2012. Në dhjetor 2013, teprica e kredisë në valutë, e pambuluar nga rreziku i kursit të këmbimit, arriti në rreth 31.3% të totalit të kredisë për bizneset (ose rreth 131 miliardë lekë) krahasuar me 28.1% në qershor 2013.
Ndërkohë që pesha kredisë në valutë në totalin e tepricës së kredisë dhënë bizneseve ka rënë, pesha e kredisë së pambuluar nga rreziku i këmbimit është rritur në 47.7% të kredisë në valutë, kundrejt 42.2% që shënonte në qershor 2013. Struktura e kredisë së bizneseve, e pambuluar nga rreziku i kursit të këmbimit, reflekton rritjen e kredisë “për tregti” në 48.12 % të këtij portofoli, ndërsa kredia “për zhvillim biznesi” dhe kredia “për zhvillimin e pasurive të paluajtshme” zënë përkatësisht 23% dhe 8.7%
Për sa i përket cilësisë së portofolit të kredisë për biznese, e pambuluar nga lëvizjet e kursit të këmbimit, treguesi është përkeqësuar në nivelin 31.6% nga 28.4% në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit (Grafiku 4.10 -majtas). Kjo sjellje është në kontrast me prirjen rënëse të peshës së kredive me probleme në portofolin në valutë, e cila u përmirësua në 27.78% nga 28.64% në qershor 2013, dhe të portofolit total të bizneseve. Në portofolin e kredisë për biznese, të pambuluar nga rreziku i kursit të këmbimit, përkeqësimi i cilësisë vazhdon të mbetet më i theksuar te kredia “për zhvillimin e pasurisë së paluajtshme”, ku pesha e kredive më probleme është rritur në 57% nga 48.9%, në qershor 2013.