“ESG”, akronimi i përdorur për “Environmental, Social and Governance”, është shndërruar në një pikë të rëndësishme biznesi në të gjithë botën. Investitorët në shumë sektorë e kanë rritur fokusin te qëndrueshmëria. Sidoqoftë, ESG mund të ketë më shumë ndikim se kaq në biznese. Si mund të bëhet një shtytës i rëndësishëm vlerash?
Nga Deada Hyka
Bota po zgjohet sa i përket nevojës për të menaxhuar më mirë çështjet që lidhen me qëndrueshmërinë. Sfidat shoqërore si ndryshimi i klimës, humbja e biodiversitetit dhe pabarazia e përhapur e të ardhurave janë të rënda dhe shqetësuese, duke përbërë rreziqe të ndërlidhura.
Kompanitë kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur këtu: ato mund të kontribuojnë mbi çështjet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG) që janë të rëndësishme për operacionet e tyre.
Ato gjithashtu mund të shqyrtojnë ndikimin e tyre praktik, i cili përfshin konstatimin se si aktivitetet e tyre të biznesit ndikojnë në ekosistemet në të cilat janë të ngulitura.
Një pjesë e kësaj përfshin identifikimin e rreziqeve dhe mundësive materiale, matjen dhe gjurmimin e performancës së ESG, vendosjen e objektivave, grumbullimin e palëve të brendshme të interesit dhe identifikimin e fushave për përmirësim. Duke vepruar kështu, kompanitë mund të zhbllokojnë vlera të reja, për veten, palët e tyre të interesit dhe planetin.
Çfarë është ESG në biznes?
ESG përcakton çështjet mjedisore (E), sociale (S) dhe të qeverisjes (G), të përdorura shpesh në lidhje me konsideratat e qëndrueshmërisë.
Akronimi ESG është bërë veçanërisht i njohur në hapësirën e investimeve dhe financave, duke nënkuptuar një gamë më të gjerë çështjesh që kërkojnë kujdes dhe analizën e duhur për të marrë vendime investimi të informuara dhe të rregulluara sipas rrezikut.
Çështjet ESG janë në thelb çështje biznesi, të kategorizuara si mjedisore, sociale ose të natyrës qeverisjeje. Ato janë konsiderata të lidhura me qëndrueshmërinë në të njëjtin nivel me faktorët financiarë tradicionalë si kontributet ekonomike dhe kthimet financiare.
Është e rëndësishme të kuptohet se jo të gjitha çështjet ESG kanë rëndësi ose janë materiale për të gjitha kompanitë – këto varen nga natyra e saktë e aktiviteteve të biznesit të një kompanie, ku ndodhet dhe ku operon zinxhiri i saj i vlerës.
Me fjalë të tjera: çfarë bën një kompani, si e bën atë dhe ku e bën atë.
Ndikimi në komunitet
Ndikimi i ESG në industri të ndryshme shkon përtej asaj që përmendet teorikisht.
“ESG, përveç nxitjes së ndërtesave miqësore me mjedisin, gjithashtu lejon hapësirën për të përfshirë konsideratat rreth ndikimit të pronave në komunitet, duke mbuluar aspekte si diversiteti. Industria e pasurive të paluajtshme duhet t’i përgjigjet kësaj sfide, duke krijuar mundësi nëpërmjet investimit me ndikim social, si hapësirat e përbashkëta me shumë qira ose transformimi i ndërtesave të pashfrytëzuara në vende entuziaste.
Në praktikë, pengesa kryesore është se investitorët do të duhet të rishpikin modelet tradicionale të investimeve për t’iu përshtatur nevojave të komunitetit lokal”, – nënvizon BERZH në një raport të fundit mbi ESG.
Më shumë godina të gjelbra do të thotë një qytet më i shëndetshëm për të gjithë qytetarët, nënvizon Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e Colliers International Albania.
“Mos harroni se si individë, e kalojmë më shumë se 90% të kohës sonë në mjedise të mbyllura dhe godinat globalisht janë përgjegjëse për 42% të emetimit të gjithë dioksidit të karbonit në atmosferë, i cili është drejtpërdrejt përgjegjës për efektin e ngrohjes globale”, – shton më tej ajo.
Ndërsa në sistemin bankar, zbatimi i ESG në Shqipëri është thelbësor për të ndikuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe mjedisor, duke përmirësuar ecurinë financiare dhe ndihmesën në mbrojtjen e mjedisit dhe shoqërisë në tërësi.
“Duke qenë të vetëdijshëm për ndikimin që Banka ka në shoqërinë dhe ekonominë shqiptare dhe në zhvillimin ekonomik të vendit, por dhe fokusin tonë në qëndrueshmëri, ne jemi të përkushtuar të forcojmë qeverisjen tonë edhe duke marrë në konsideratë qasjen tonë komerciale.
Në lidhje me këtë, portofoli i produkteve tona ESG përfshin produkte të ofruara për të gjitha segmentet e klientëve (ndërsa jemi në proces finalizimi të disa produkteve të reja) si: Energjia e Rinovueshme dhe Financimi Fotovoltaik;
Makina elektrike me qira; Kredi për gratë në biznes – një produkt për mbështetjen e biznesit në pronësi të grave dhe që drejtohen nga gratë në Shqipëri; Paketa e Studentit në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës; Produkti i kredisë së butë hipotekore, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës; Kredi Hipotekore për Çiftet e Reja; Kredi studentore në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit” – thotë Antonio Bragho, zv.drejtor i përgjithshëm i Intesa SanPaolo Bank Albania.
INTERVISTA
“Fokusi te financimi i projekteve të qëndrueshme”
Flet Ekaterina Solovova, Drejtoresha e BERZH për Shqipërinë
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si bankë zhvillimi, përqendrohet në praktikat e mjedisit, shoqërisë dhe menaxhimit të qëndrueshëm në projektet e saj, duke përfshirë investime në ndërtimin e banesave të qëndrueshme dhe rinovimin e atyre ekzistuese, për të zvogëluar emetimet e gazit të shtëpisë.
Sipas drejtoreshës së BERZH për Shqipërinë, Ekaterina Solovova, Banka përdor një gamë të gjerë të instrumenteve financiare dhe teknike për të mbështetur tranzicionin drejt një ekonomie të qëndrueshme, me politika dhe dialog politik për të nxitur inovacionin dhe përfshirjen e komuniteteve lokale në zhvillimin e projekteve…
Si e sheh BERZH rolin e praktikave mjedisore, sociale dhe të menaxhimit korporativ në projektet e rikonstruksionit dhe zhvillimit që janë pjesë e operacioneve të bankës dhe si e mbështet përfshirjen e aspekteve ESG në projektet e saj?
Për shkak të natyrës së saj si një bankë zhvillimi, BERZH ka në qendër të vëmendjes aspekte të ndryshme, përfshirë shtyllat e ESG, të cilat i integron në strategjinë dhe qasjen e saj në financime, që prekin drejtpërdrejt këto aspekte. Sektori i pasurive të patundshme, duke përfshirë ndërtimin, është i dyti më i madh në emetimet e gazit serrë, dhe kështu mbështetja e rrugës së saj drejt dekarbonizimit është një nga prioritetet kryesore të bankës.
Prandaj, ne promovojmë investime në qëndrueshmëri dhe efikasitetin e energjisë së ndërtesave, si nëpërmjet rinovimeve të ndërtesave ekzistuese, ashtu edhe të ndërtesave të reja, si dhe certifikime të gjelbra si LEED, BREEAM, EDGE etj.
Investitorët dhe përdoruesit po kuptojnë gjithnjë e më shumë se investimet e gjelbra, që përfshijnë teknika të rezistencës klimatike, zgjasin jetën e aseteve dhe i bëjnë ato më elastike në aspektin mjedisor, por edhe financiar.
BERZH ka një gamë të gjerë aftësish dhe përvojë në fushën e ndërtimeve të gjelbra, ndaj mund të luajë rol në transformimin e uljes së emetimit të karbonit, në vendet ku operojmë, përfshirë Shqipërinë. Fokusi është promovimi i emetimeve të ulëta të karbonit dhe efikasiteti i energjisë.
Për shembull, nëpërmjet programeve tona të Mekanizmit të Financimit të Ekonomisë së Gjelbër (GEFF), ne mbështesim rinovimet e stokut të vjetër të ndërtesave, si dhe promovojmë ngritjen e ndërtesave të reja të qëndrueshme në të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Me trendin e vazhdueshëm të rritjes së popullsisë globale dhe urbanizimit, po bëhen shumë përpjekje nga banka në promovimin e rigjenerimit urban. Rigjenerimi urban ka ndikim të fuqishëm në ekonominë lokale, duke krijuar mikroklima që përmirësojnë aktivitetin social rreth këtyre zonave dhe duke krijuar destinacione për njerëzit për të jetuar, për të punuar dhe për të shijuar jetën.
Duke qenë se rigjenerimi urban është i orientuar nga njeriu, teknologjia e gjelbër luan rol të rëndësishëm.
Prandaj është e rëndësishme që teknologjitë e reja të planifikohen që në fazë të hershme.
Për shkak të programit tonë të qyteteve të gjelbra, ne gjithashtu synojmë të fuqizojmë qytetet, në mënyrë që ato të kuptojnë dhe të vendosin prioritetet për t’u përballur me sfidat mjedisore dhe t’i adresojmë ato me investime në infrastrukturë të qëndrueshme dhe masa të tjera të aktivitetit të gjelbër, si ndriçimi smart në rrugë, integrimi i ekosistemeve dixhitale, promovimi i biçikletave, krijimi i rrugëve me trafik të ulët etj.
Elementi social i ESG gjithashtu trajtohet si një qasje gjithëpërfshirëse, për shembull, nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës, promovimit të barazisë gjinore, përfshirjes ekonomike të njerëzve me aftësi të kufizuara, trajnimit dhe ritrajnimit të njerëzve, punësimit të të rinjve, lidhjes së sektorëve me universitetet dhe shkollat e rëndësishme profesionale etj.
Ne gjithashtu ndihmojmë klientët tanë të përfshijnë politika dhe praktika të menaxhimit korporativ, nëpërmjet planifikimit të veprimit të përbashkët, në mbështetje të rritjes strukturore dhe institucionale. Krahas kësaj, përpiqemi të integrojmë qëndrueshmërinë në praktikat e qeverisjes së korporatës.
P.sh., ne promovojmë qeverisjen e korporatave që përdorin masa për të ulur ndikimin e rreziqeve klimatike dhe parimet e raportimit (p.sh. me miratimin e GRI ose GRESB).
Informacioni në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm ka kaluar nga një pjesë “periferike” në një pjesë “thelbësore” të analizës së investimeve.
Për rrjedhojë, performanca për çështje mjedisore dhe sociale, si përdorimi i burimeve, të drejtat e njeriut, shëndeti dhe siguria dhe transparenca përdoret gjithnjë e më shumë në nxjerrjen e përfundimeve rreth kapaciteteve të menaxhimit, aftësisë së kompanisë për të përcaktuar ekspozimin e saj ndaj biznesit dhe rreziqeve të tjera, por edhe aftësinë për të shfrytëzuar mundësitë e biznesit.
Cilat janë kriteret kryesore të përdorura nga banka për të vlerësuar dhe për të monitoruar ndikimin shoqëror, mjedisor dhe të menaxhimit në projektet e saj? Ndonjë shembull në Shqipëri?
BERZH, si një investitor i madh dhe bankë zhvillimi me influencë, me një qasje të lartë ndaj ndikimit të çështjeve mjedisore, sociale dhe të menaxhimit korporativ synon të luajë një rol të rëndësishëm në peizazhin e investimeve.
Banka ka zhvilluar një mekanizëm të sajin me gjashtë tregues, që shërben për matjen e ndikimit: Konkurrues, i qëndrueshëm, i integruar, i përfshirë, i mirëmenaxhuar dhe i gjelbër, që përfshin kështu aspektet ESG, por edhe çështje të tjera që ndihmojnë në qëndrueshmërinë ekonomike. Për çdo investim, banka vlerëson se si projekti ndihmon në mandatin e bankës për të promovuar tranzicionin.
Monitorimi pas investimit synon të analizojë se sa janë përmbushur zotimet e bëra gjatë vlerësimit dhe të garantojë që t’i përmbahen misionit të BERZH për një tranzicion të qëndrueshëm.
Vlen të theksohet gjithashtu se si pjesë e angazhimit të bankës mbi qëndrueshmërinë dhe qëllimet e Marrëveshjes së Parisit, çdo projekt, pavarësisht nëse konsiderohet një projekt i gjelbër apo jo, shqyrtohet në përputhje me Politikën Mjedisore dhe Sociale të BERZH, Rrezikun Klimatik Fizik, Rrezikun e Tranzicionit Karbonik, si dhe nëse është në përputhje me Marrëveshjen e Parisit.
Ky proces vlerësimi u prezantua për të ndihmuar vendet ku banka operon që të ndërtojnë ekonomi të gjelbër dhe të qëndrueshme, duke ndjekur një rrugë të tranzicionit me emetime të ulëta të karbonit.
A siguroni mbështetje teknike dhe financiare për projektet që nxisin dhe promovojnë praktika të qëndrueshme në ndërtim dhe zhvillim? Ndonjë shembull në Shqipëri…
Banka ofron katër mekanizma kryesorë mbështetjeje për një promovim sa më të mirë të tranzicionit të qëndrueshëm të ekonomisë.
Së pari, dhe më e rëndësishmja, nëpërmjet ofrimit të financimit ose garancive. Fakti që paketa jonë financiare është e gjerë, na jep fleksibilitet për të financuar nëpërmjet strukturës së kapitalit nga huaja e thjeshtë (përfshirë kreditë të lidhura me qëndrueshmëri) te pjesëmarrja në kapital.
Kjo na lejon të jemi në përputhje me nevojat e financimit të ekonomive të ndryshme dhe të sigurojmë financimin në një mënyrë që na bën më të rëndësishëm. Shpesh, ne fokusohemi në mbështetjen e tregut të kapitalit dhe emetimet e gjelbra, për të rritur diversifikimin e burimeve të financimit.
Ne gjithashtu investojmë nëpërmjet fondeve, të cilat shërbejnë si mbledhësit e kapitalit institucional privat, që më pas kanalizohen në investime që i shërbejnë rritjes.
Banka gjithashtu ofron financim të përshtatur nëpërmjet ndërmjetësve, kryesisht bankave partnere në vendet ku vepron BERZH, ku delegojmë përgjegjësinë për vlerësimin dhe monitorimin e transaksioneve, si dhe menaxhimin e përgjithshëm të portofolit për institucionet financiare partnere.
Japim linja të kredive të gjelbra për institucionet financiare partnere, që i kanalizojnë në hua për huamarrësit ne pakicë, në mënyrë që ata të përmirësojnë efikasitetin e energjisë në shtëpitë e banimit, si dhe te SME-të dhe për të financuar investimet e tyre të gjelbra.
Asistenca teknike është mekanizimi i dytë i mbështetjes për të përkrahur qëndrueshmërinë. Falë ndihmës teknike, banka ofron financim për të përmirësuar përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të investimeve të BERZH dhe shërbime këshillimore për klientët në sektorin privat dhe publik.
Kjo mbështetje financon qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare dhe menaxhohet nga BERZH në terma të zbatimit brenda vendeve ku operon. Një shembull i shkëlqyer është ndihma teknike e ofruar nëpërmjet Projektit të Mundësive të Infrastrukturës dhe Turizmit në Shqipëri që synon të:
(i) përmirësojë ofertën turistike në katër rajonet shqiptare,
(ii) përmirësojë qasjen në trajnimin me cilësi të lartë për popullsinë vendase në fushën e shërbimeve turistike dhe menaxhimit të qendrave kulturore dhe natyrore,
(iii) krijojë një Këshill Sektori Publik-Privat për Sektorin e Turizmit, që do të ndihmojë në rritjen e aftësive të kapitalit njerëzor për hartimin e politikave zhvilluese në këtë sektor dhe
(iv) mbështesë bizneset e vogla dhe të mesme aktive në sektorin e turizmit, duke ofruar njohuri se si ato mund të përmirësojnë bizneset e tyre.
Mekanizimi i tretë është angazhimi në të gjitha nivelet e dialogut të politikëbërjes, p.sh., mbështetjen e zbatimit të politikave që krijojnë një mjedis që nxit projekte të qëndrueshme. P.sh., dialogu për politikat e qëndrueshme të sektorit të ndërtimit ka shumë dimensione dhe përfshin për shembull:
(i) reforma politike dhe rregullatore që mundësojnë dhe mbështesin tregun për investime në efikasitetin e energjisë për përdoruesit përfundimtarë në të gjitha nivelet
(p.sh. Programi rajonal i efikasitetit energjetik në Ballkanin Perëndimor),
(ii) partneritete me organizata ndërkombëtare si Këshilli Botëror i Ndërtimit të Ndërtesave të Gjelbra, p.sh. në zhvillimin e studimeve për dekarbonizimin e sektorit të ndërtimit (p.sh. në Poloni dhe Republikën Çeke),
(iii) promovimi i dekarbonizimit në të gjithë zinxhirin e furnizimit, duke përfshirë materialet kryesore të ndërtimit si çeliku, çimento, alumini etj. ose
(iv) përfshirja e politikave të gjelbra në strategjitë e zhvillimit të tregut të kapitalit.
Së fundmi, për SME-të, që nuk mund të përballojnë sfidat që hasin vetëm përmes financimit, banka gjithashtu ofron qasje në dije, rrjetet dhe aftësitë për t’i ndihmuar ata të inovojnë dhe të kenë sukses. Ne ofrojmë këshilla për SME-të në një gamë të gjerë fushash, nga strategjia në operacione, menaxhimi i cilësisë, raportimi financiar, efikasiteti i energjisë dhe më tepër.
Si i përballon BERZH sfidat në përputhje me objektivat e saj ESG si përdorimi i burimeve natyrore, menaxhimi i mbeturinave dhe përfshirja e komuniteteve lokale në proceset e zhvillimit?
Kur bëhet fjalë për objektivat tanë, ne kemi një qasje proaktive ndaj qëndrueshmërisë. Vlerat mjedisore dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë në fokus të mandatit të BERZH-së. Ne e promovojmë atë nëpërmjet aktiviteteve, që janë bërë një element thelbësor i punës sonë.
Përqasja jonë ndaj qëndrueshmërisë përfshin:
–përfshirjen e kërkesave mjedisore dhe sociale në vlerësimin dhe zbatimin e të gjitha projekteve të financuara nga banka, bazuar në standardet e Bashkimit Europian dhe praktikat e mira ndërkombëtare
–ofrimin e financimit dhe ndihmës teknike që synojnë specifikisht adresimin e çështjeve mjedisore dhe sociale
–promovimin e përfshirjes ekonomike dhe qasjen në shërbimet komunitare si uji dhe transporti publik
–inkurajimin e pjesëmarrjes së publikut nëpërmjet konsultimeve dhe publikimit të informacionit dhe mbajtjen e një dialogu të rregullt strategjik me organizatat e shoqërisë civile dhe palët e tjera të interesuara.
Duke përforcuar më tej vlerat tona, ne zbatojmë një politikë të fortë Mjedisore dhe Sociale që është baza e çdo projekti që ndërmerr BERZH, nëpërmjet së cilës sigurohemi të parandalojmë ose zvogëlojmë çdo efekt negativ dhe nga ana tjetër, të rrisim mundësitë për të përmirësuar efikasitetin e projektit dhe përfitimet për komunitetin dhe brezat e ardhshëm.
Politika jonë Mjedisore dhe Sociale ka sjellë disa strategji të tjera, të gjitha të mbështetura me zhvillimin e qëndrueshëm në qendër – nga strategjitë tona sektoriale dhe kombëtare, në Politikën tonë të Informacionit Publik, dhe strategjitë tona për Barazinë Gjinore dhe Përfshirjen Ekonomike.
Ne punojmë jo vetëm për të siguruar që po kontribuojmë në një tranzicion efektiv dhe të qëndrueshëm për vendet tona, por puna jonë është gjithashtu në përputhje me përparësitë e komunitetit ndërkombëtar, siç janë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.
LEXONI EDHE:
Antonio Bragho: Do të fokusohemi në zhvillimin e produkteve që kanë ndikim social dhe te teknologjitë e gjelbra
Stela Dhami: ESG në patundshmëri rrit vlerën e pronës deri në 20%
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.