BE, plan për lejimin e makinave me motor që përdor karburante neutrale
Komisioni Europian hartoi një plan që lejon shitjen e automjeteve të reja me motor me djegie të brendshme që funksionojnë vetëm me e-karburante neutrale për klimën, në një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Gjermaninë, mbi eliminimin gradual të makinave me motor me djegie të brendshme në vitin 2035.
Projekt-propozimi, i parë të martën nga Reuters, synon të krijojë një lloj të ri të kategorisë së automjeteve në Bashkimin Europian për makina që mund të funksionojnë vetëm me karburante me emetime zero.
Automjete të tilla, sipas planit, duhet të përdorin një teknologji që i pengon të qarkullojnë nëse përdoren karburante të tjera.
Kjo do të përfshinte “një sistem nxitës të karburantit” për të ndaluar ndezjen e makinës nëse ajo përdor karburante joneutrale në lidhje me emetimet e karbonit.
Propozimi mund t’u ofrojë prodhuesve të automjeteve një mënyrë për të vijuar shitjen e makinave me motor me djegie të brendshme pas vitit 2035, kur hyn në fuqi ligji i BE-së i cili ndalon shitjen e makinave të reja që emetojnë CO2.
Pas disa muajsh bisedime, vitin e kaluar vendet e BE-së dhe Parlamenti Europian miratuan ligjin.
Por këtë muaj, Ministria gjermane e Transporteve befasoi vendet e tjera, duke paraqitur disa kundërshtime ndaj ligjit në minutën e fundit, disa ditë para votimit përfundimtar, që do ta kishte parë të hynte në fuqi.
Kërkesa kryesore e Ministrisë është që BE të lejojë shitjen e automjeteve të reja me e-karburante pas vitit 2035. Ministria nuk ishte e gatshme për të dhënë një koment.
Të hënën, Ministria deklaroi që bisedimet me Komisionin mbi përfundimin e planifikuar të motorëve të rinj me djegie duke nisur nga viti 2035 po ecnin përpara, por shtoi se nuk mund të thoshte se kur do të arrihej një marrëveshje.
/ Reuters
Tags :
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.