Bashkimi Europian (BE) u ofron ndërmarrjeve të përzgjedhura kroate që operojnë brenda sektorit të gjelbër dhe dixhital, qasje në tregjet e Koresë së Jugut dhe Japonisë.
Siç shkruan Poslovni Dnevnik/Marija Brnic, risia kryesore strategjike e BE-së është përpjekja për të depërtuar në Azi, përtej Kinës. Kjo u konfirmua një javë më parë nga Komisioni Europian, i cili paraqiti programin EU Business Hub – Japoni dhe Kore. Ky program planifikon t’u sigurojë kompanive të përzgjedhura, një përparim në këto dy tregje, në katër vitet e ardhshme, sidomos për sa u përket ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme inovative, që operojnë në sektorin e gjelbër, dixhital.
Plani është përgatitja e këtyre ndërmarrjeve për këto tregje dhe lidhja e tyre me ortakët e biznesit, nëpërmjet misioneve të organizuara. Është planifikuar që deri në vitin 2027, rreth 1000 kompani të kalojnë nëpërmjet këtij programi. Më pas, ato pritet të marrin pjesë në misione të organizuara biznesi, të bashkëfinancuara.
Janë planifikuar gjithsej 20 misione të tilla, 10 për çdo shtet dhe 50 kompani do të shkojnë në secilin mision. Me fjalë të tjera, përfitimet janë të larta dhe do të zgjidhen ato kompani me potencialin më të madh.
Bashkëpunimi me Seulin
Në programin që do të mbështetet financiarisht nga BE-ja, kyç është rrjeti Eurochambres. Puna për zonën kroate do të kryhet nga Dhoma Kroate e Tregtisë (HGK). HGK-ja ka dërguar tashmë një ftesë për ndërmarrjet kroate, për t’i vënë ato në dijeni për programin dhe mundësitë e hapura për to. Ai organizohet më 10 qershor. Fillimet e para të kompanive të BE-së në këto dy shtete aziatike do të jenë këtë dhjetor. Aplikimet për pjesëmarrje nga sipërmarrjet kroate do të mblidhen deri më 9 gusht për Korenë dhe deri më 16 dhjetor për Japoninë.
Ndërmarrjet kroate që do të marrin pjesë në program, do të përgatiten në mënyrë të hollësishme dhe do të njihen me gjendjen e tregut në këto vende. Ato gjithashtu do të marrin një analizë të thellë të sektorit dhe do të lidhen me ortakë të mundshëm, me të cilët do të kenë mundësinë të zhvillojnë biseda B2B në panairin e biznesit.
Përveç njohjes me tregjet, sistemet dhe rregulloret në Kore dhe Japoni, si dhe me kulturën lokale të biznesit, sipërmarrjet kroate të përzgjedhura, do të kenë gjithashtu një hapësirë ekspozimi falas dhe një dhomë të veçantë për zhvillimin e bisedave, shërbim përkthimi dhe mbulimin e shpenzimeve të akomodimit (deri në 1000 euro).
Bashkëpunimi me Tokion
Misioni i dytë i biznesit këtë vit është planifikuar për në Tokio, në ekspozitën më të madhe SEMICON (nga 9 deri në 12 dhjetor). Pjesëmarrësit do të jenë kompani kroate që shesin pjesë për prodhuesit e pajisjeve gjysmëpërçuese, nga lidhësit te kabllot dhe pompat, si dhe kompanitë që shesin sensorë dhe komponentë elektronikë të përdorur në pajisje të tilla. Do të shqyrtohen edhe kompanitë e përpunimit të metaleve. Një nga kushtet kryesore për pjesëmarrjen në këto misione, do të jetë që kompanitë kroate të cilat aplikojnë, të kenë qenë në biznes për të paktën pesë vjet.
Ia vlen të përmendet se HGK-ja tashmë ka përveshur mëngët për të mbështetur kompanitë kroate në tregun korean. Një delegacion prej një duzinë kompanish, do të vizitojë këtë treg shumë të zhvilluar, i cili po bën përparim në shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve. Eksportet u rritën me gati 27% vitin e kaluar dhe u shënua rritje edhe më e theksuar në tremujorin e parë të këtij viti. Prirjet janë të mira, por vlera është ende në nivelin e një së dhjetës së asaj që arrihet në tregun e Japonisë apo Kinës.
Në përgjithësi, vitin e kaluar, janë eksportuar mallra me vlerë pak më shumë se 13 milionë euro, ndërkohë që rritja e turizmit, nuk ka kapur ende nivelin parapandemik. Para pandemisë është regjistruar ardhja e 444 mijë turistëve koreanë në Kroaci. Vitin e kaluar, u regjistrua një shifër shumë më e vogël prej 146,000. Në katër muajt e parë të këtij viti, ky numër është trefishuar krahasuar me vitin e kaluar.
Një hap pozitiv përpara është edhe ngritja e një linje ajrore të drejtpërdrejtë me Korenë e Jugut. Produktet kryesore të eksportit në tregun korean, janë shufrat e peshkimit, grepat dhe aksesorët, djathi, gjiza, pajisjet për mekanoterapi, duhani, pajisjet e telekomunikacionit dhe makineritë dhe pajisjet energjetike.
Delegacioni i HGK-së ka vizituar së fundmi Zonën e Lirë Ekonomike Incheon. Tani, 75 kompani shumëkombëshe nga 15 shtete, kanë zyrat dhe fabrikat e tyre atje. Këto përfshijnë kompani si Samsung BioLogics, Celltrion, Sartorius, Boeing, BMW dhe GM. Nga kompanitë kroate, kanë prani Kraš dhe Podravka, Orbico dhe Dizz Concept, si dhe Vodnjan’s Infobip dhe PIB Ekstra.
Kompania DOK-ING ka gjithashtu një degë në Kore, e cila ofron mbështetje për klientët në mirëmbajtjen e robotëve. Kompanitë Zagrebačka Pivovara (Birraria e Zagrebit), Vina Laguna dhe Zigante, gjithashtu arrijnë të tregtojnë tartufin e tyre në Kore. Pala koreane ka gjithashtu një lidhje të fortë me shtetin më të ri anëtar të BE-së. Vitin e kaluar, nisi themelimi i klubit të biznesit kroato-korean dhe tani është krijuar bashkëpunimi formal me HGK-në, për të lidhur kompanitë nga dy vendet dhe për të zgjeruar tregun.
Vitin e kaluar, në Japoni, janë eksportuar mallra me vlerë prej pothuajse 59 milionë eurosh dhe mbizotëron eksporti i tonit kroat, i cili përbën tre të katërtat e eksportit të përgjithshëm. Vitin e kaluar, eksportet kroate në Japoni shënuan rritje prej 18%, por këtë vit, vlera ka rënë ndjeshëm, deri në 62%, vetëm në dy muajt e parë, sipas të dhënave të CBS-së.
Numri i turistëve që vijnë në Kroaci nga Japonia është dukshëm më i ulët se ai nga Koreja e Jugut (36,000 mbërritën vitin e kaluar dhe rreth 8,000 vetëm në katër muajt e parë), por prirja është pozitive. Ka hapësirë edhe në sektorë të tjerë, sepse është një treg i madh dhe i pasur, ndaj duhet të shfrytëzohen mundësitë që u ofrohen kompanive kroate përmes programeve të ndryshme të BE-së./ TotalCroatia