Brukseli akuzon Pekinin se u jep prodhuesve të tij të makinave, shuma të mëdha subvencionesh që çojnë në çmime artificialisht të ulëta dhe konkurrencë të pandershme.
Komisioni Europian ka konfirmuar atë, që dukej të ishte një përfundim i paracaktuar: tarifa të larta do të vendosen për automjetet elektrike me bateri (BEV) të prodhuara në Kinë, që nga 5 korriku, një vendim i rëndësishëm, që synon të ripërcaktojë marrëdhëniet me Pekinin dhe të ‘ftojë’ masa hakmarrëse kundër prodhuesve Europianë.
Hapi, i parashikuar në fillim të qershorit, është rezultat i një hetimi nëntë-mujor, që zbuloi se subvencionet po pompoheshin në të gjithë zinxhirin e furnizimit të BEV-ve të prodhuara në Kinë, si nga kompanitë vendase ashtu edhe nga ato të huaja. Paratë publike u zbuluan kudo, thanë zyrtarët, nga minierat e lëndëve të para, të nevojshme për të prodhuar bateritë, deri te shërbimet e transportit të përdorura për të sjellë produktet e gatshme në brigjet e Europës.
Shkalla e madhe e subvencioneve, u lejon prodhuesve kinezë të ofrojnë BEV-të e tyre me çmime dukshëm më të ulëta, se ato të prodhuara në Eurozonë, ku kostot e energjisë dhe të punës janë shumë më të larta. Hendeku i çmimeve ka shkaktuar një rritje të shpejtë të importeve të BEV-ve të prodhuara në Kinë: nga një pjesë e tregut prej 3.9% në 2020, në 25% në fund të 2023, sipas Komisionit.
Kjo valë e importeve me kosto të ulët, përfaqëson një “kërcënim dëmtimi ekonomik” për industrinë e BE-së, që mund të çojë në humbje shkatërruese dhe të rrezikojë më shumë se 12 milionë vende pune direkte dhe indirekte, paralajmëron ekzekutivi.
Prandaj, tarifat janë të nevojshme për të kompensuar avantazhin e dhënë nga subvencionet.
Vendimi i publikuar parashikon tarifa të diferencuara, të llogaritura sipas kompanisë mëmë, qarkullimit vjetor dhe sasisë së dyshuar të subvencioneve të marra. Tarifat do të vendosen mbi normën ekzistuese prej 10%.
- BYD: 17.4%
- Geely: 19.9%
- SAIC: 37.6%
- Prodhues të tjerë BEV në Kinë, që bashkëpunuan në hetim, por nuk janë marrë në mostër individualisht, duke përfshirë Tesla dhe BMW: 20.8%
- Prodhuesit e tjerë të BEV në Kinë, që nuk bashkëpunuan: 37.6%
Futja e masave do të jetë, për momentin, provizore. Autoritetet doganore do të kërkojnë garanci bankare, në vend të parave të gatshme, nga eksportuesit kinezë, që do të thotë se klientët fundorë mund të mos vërejnë menjëherë një ndryshim në xhepin e tyre.
Shtetet anëtare do të mbajnë një votim të parë pas dy javësh, por ky do të jetë jo detyrues dhe do të shërbejë për të testuar ujërat politike. Tarifat do të mbeten në fuqi, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar brenda katër muajve, të cilin vendet mund ta bllokojnë nëse krijojnë një shumicë të cilësuar kundër propozimit. (15 shtete anëtare, që përfaqësojnë 65% të popullsisë së bllokut.)
Gjermania, një eksportues i makinave të klasit botëror me lidhje të thella me tregun kinez, dhe Hungaria, një qendër në rritje për investimet kineze, janë ndër ata, që mund të kundërshtojnë, megjithëse mund të mos arrijnë shifrat e nevojshme për të prishur iniciativën.
Nga ana tjetër, Franca dhe Italia janë në mbështetje të taksave.
Ndërkohë, Brukseli dhe Pekini do të diskutojnë zgjidhjet e mundshme, që mund të shmangin vendosjen e përhershme të tarifave. Bisedimet do të jenë në nivel politik dhe teknik.
“Ne po vazhdojmë të angazhohemi intensivisht me Kinën, për një zgjidhje të pranueshme reciproke. Çdo rezultat i negociuar i hetimit tone, duhet të adresojë qartë dhe plotësisht shqetësimet e BE-së dhe të respektojë rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë,” Valdis Dombrovskis, Zëvendës-Presidenti Ekzekutiv i Komisionit i ngarkuar me tregtinë ka thënë në një deklaratë.
Megjithatë, shpresat për një përparim janë të ulëta. Pekini e ka kundërshtuar hetimin në formë dhe substancë, duke e quajtur atë një “akt proteksionist të zhveshur”, që “ndërtoi dhe ekzagjeroi artificialisht të ashtuquajturat subvencione” dhe është zotuar të “marr të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive kineze”.
Muajin e kaluar, Ministria e Tregtisë e Kinës nisi një hetim anti-dumping për importet e mishit të derrit, që vijnë nga BE, një lëvizje e parë gjerësisht si një prelud për hakmarrje. Bujqësia dhe aviacioni konsiderohen si sektorët më të cenueshëm ndaj zemërimit të Pekinit.
Një zëdhënës i ministrisë dha një ton pajtues: “Ka ende një dritare katër mujore përpara arbitrazhit dhe ne shpresojmë, që palët Europiane dhe kineze të ecin në të njëjtin drejtim, të tregojnë sinqeritet dhe të shtyjnë përpara me procesin e konsultimit sa më shpejt të jetë e mundur”.
Hetimi kundër subvencioneve është përshkruar si një nga më të rëndësishmit dhe vjen në një pikë të ulët në marrëdhëniet BE-Kinë, për një varg mosmarrëveshjesh, si pushtimi i Ukrainës nga Rusia, tensionet në ngushticën e Tajvanit, shtypja e minoritetit Uyghur dhe fushatat e dezinformimit.
Subvencionet e injektuara nga Partia Komuniste, kanë qenë një burim i përhershëm fërkimi dhe janë fajësuar për shkatërrimin e industrisë së energjisë diellore të bllokut. Këto kujtime janë ende të freskëta në Bruksel dhe kanë rënduar vendimin e së enjtes.
“Ne nuk kemi harruar sesi praktikat e padrejta tregtare të Kinës, ndikuan në industrinë tonë diellore. Shumë biznese të reja u shtynë nga konkurrentët kinezë të subvencionuar së tepërmi,” tha Ursula von der Leyen në shtator, ndërsa njoftoi hetimin e BEV.
“Kjo është arsyeja pse drejtësia në ekonominë globale është kaq e rëndësishme – sepse ajo ndikon në jetët dhe mjetet e jetesës. Të gjitha industritë dhe komunitetet varen prej saj. Pra, ne duhet të jemi të qartë për rreziqet me të cilat përballemi.”/ Euronews