Totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.187 trilionë lekë në fund të vitit 2012, duke shënuar një rritje me 6% me bazë vjetore, me një ngadalësim të ndjeshëm të ritmeve të rritjes në raport me periudhën e mëparshme ( i ndikuar dhe nga përgjysmimi i rritjes së depozitave në krahun e pasiveve). Një vit më parë, ky ndryshim ishte 13%. Të dhënat bëhen të ditura në statistikat tremujore të Bankës së Shqipërisë.
Zgjerimi i aktiveve ka ardhur në pjesën më të madhe nga zëri “Marrëdhënie me bankat, institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare”, të cilat kanë ndikuar në 70% të rritjes së aktiveve. Në reagim të kërkesave të bankave mëmë, për të ulur investimet në aktivet e konsideruara me rrezik, bono thesari dhe hua, bankat me kapital perëndimor e përqendruan investimin e mjeteve të tyre të lira në depozitimin me interesa tepër të ulëta në bankat jashtë vendit, një dukuri kjo që u konstatua gjatë gjithë vitit, por që ishte më e përqendruar në pjesën e parë të tij. Investimet, apo vendosjet e bankave në institucionet jashtë vendit u rritën në vlerë me 46 miliardë lekë në 2012-n me bazë vjetore, apo rreth 333 milionë euro.
Tendencë të kundërt kanë pasur investimet e bankave në letrat me vlerë të qeverisë, ku bankat sidomos Raiffeisen, u tërhoqën në 9 muajt e parë të vitit nga blerja e bonove të thesarit, duke vënë në vështirësi qeverinë për financimin e borxhit të saj dhe duke u shoqëruar me një rritje të yield-it ( interesave) të bonove të thesarit deri në muajin gusht (nga nën 7% në fund të 2011-s në rreth 7.4% në gusht për bonot 12 mujore), në linjë të kundërt me politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, që uli disa herë normën bazë gjatë asaj periudhe. Situata u përmirësua disi në muajt e fundit të vitit, ku në tremujorin e katërt, ku investimet në bono thesari shënuan rritje prej rreth 4% me bazë tremujore, për herë të parë që nga tremujori i dytë 2011. Rikthimi i bankave ndikoi dhe në uljen e yieldit të bonove të thesarit, i cili pas muajit gusht ka shënuar vazhdimisht reduktim, duke zbritur nën 6%.
Megjithatë, ndryshimi vjetor ka qenë negativ. Vendosjet e bankave në bono thesari ranë me 8.4 miliardë lekë (60 milionë euro), apo 8%, për gjithë vitin 2012. Situata, gjithsesi, pas përmirësimit të muajt e fundit të 2012-s, pritet që të jetë pozitive në 2013-n.
Kreditimi i ekonomisë ka qenë një tjetër zë që ka pasur një ecuri të dobët në aktivet e bankave. Zëri “Hua dhënë sektorit privat”, në kahun e aktiveve, është rritur vetëm me 2.8%, apo rreth 15 miliardë lekë (100 milionë euro). Një vit më parë, ku ndryshim ishte 16%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.