Wall Street dhe grupet europiane u tkurrën në vitin 2023 në një mjedis ‘sfidues’.
Institucionet financiare perëndimore në Kinë kanë shkurtuar fuqinë e tyre punëtore të investimeve bankare në sasinë më të madhe në vite, pasi një ngadalësim i tregut goditi fitimet dhe ndaloi zgjerimin e arritur gjatë viteve.
Shkurtimet në vitin 2023 erdhën pasi pesë nga shtatë njësitë kineze të letrave me vlerë, që janë pjesë e Wall Street dhe bankave europiane, ose patën një humbje, ose raportuan fitime në rënie, sipas raporteve vjetore të publikuara së fundmi.
Shtatë njësitë punësuan 1,781 njerëz vitin e kaluar, një rënie prej 13 për qind nga viti 2022.
Aktiviteti i tregjeve të kapitalit të Kinës është ngadalësuar, në një ekonomi më të dobët të dominuar nga një ngadalësim i zgjatur i tregut të pronave dhe pasojat nga rritja e tensionit gjeopolitik midis Uashingtonit dhe Pekinit.
Disa bankave “po u mbarojnë durimi kur mundësitë në Indi, Azinë juglindore dhe SHBA duken më premtuese.
Grupet financiare ndërkombëtare kanë qenë në gjendje të marrin kontrollin e plotë të institucioneve të tyre të letrave me vlerë vend, që nga një valë ndryshimesh rregullatore në vitin 2020. Njësitë përfaqësojnë një pjesë të vogël të fitimeve globale në banka.
Bankat reduktuan më shumë se 60,000 vende pune në mbarë botën në vitin 2023, pasi një rënie në marrëveshjet dhe listat publike, shkaktoi rënie të tarifave.
Rënia në Kinë është në kontrast me shpresat e mëparshme se biznesi i tyre në vend do të vazhdonte të rritet edhe nëse do të ngadalësohej diku tjetër.
Jamie Dimon, shefi ekzekutiv i JPMorgan, tha në një konferencë në maj se një pjesë e biznesit bankar të investimeve në Kinë “kishte rënë së tepërmi”.
Numri i stafit ishte rritur pothuajse vazhdimisht, që nga viti 2018. Edhe në vitin 2020, pasi kufizimet e Covid-19 e bënë të vështirë punësimin, numri i punonjësve në njësi ra me më pak se 3 për qind.
Në njësinë e Credit Suisse, të cilën UBS e mori përsipër pasi bleu bankën vitin e kaluar, numri i punonjësve ra 46 për qind, në 126.
UBS ra dakord t’ia shiste njësinë një fondi të mbështetur nga shteti këtë muaj.
Numri i personelit në njësinë e UBS, mbeti i qëndrueshëm në 383, i vetmi institucion që nuk uli numrin e punonjësve vitin e kaluar.
Njësia e Morgan Stanley në Kinë, regjistroi humbje për herë të parë që nga viti 2019, ndërsa në sipërmarrjen e JPMorgan në vend, fitimet ranë 55 për qind në 119 milionë Rmb (16 milionë dollarë).
Njësia e Morgan Stanley tha në raportin vjetor se mjedisi kishte qenë “sfidues”.
Numri i personelit ra shumë më pak në JPMorgan dhe Deutsche Bank, sesa në njësitë rivale të Kinës. Deutsche Bank zotëron vetëm 33 për qind të Zhong De Securities, sipërmarrje e saj e përbashkët në vend.
Goldman Sachs China, e cila vitin e kaluar u nda nga një partner i sipërmarrjes së përbashkët, u rikuperua nga një humbje në vitin 2022, por fitimi prej 193 milion Rmb ishte më i ulët se në çdo vit tjetër, që nga viti 2018.
Numri i punonjësve në njësinë e letrave me vlerë në Kinë, ra nga 500 në 370 pasi banka shkurtoi vendet e punës në mbarë botën.
Disa punonjës u zhvendosën në njësi të tjera në bankë dhe disa qëndruan me ish-partnerin e saj të sipërmarrjes së përbashkët Beijing Gao Hua Securities. Goldman Sachs më parë përshkroi një plan për të dyfishuar fuqinë e saj punëtore në Kinë në 600, raportoi Financial Times në 2021.
Të dhënat Dealogic, që nga maji, treguan vetëm 8.3 miliardë dollarë oferta publike fillestare në Kinë, totali më i ulët gjatë së njëjtës periudhë që nga viti 2009.
Listimet jashtë shtetit kanë nevojë për miratim nga rregullatorët e Kinës, sipas rregullave të prezantuara vitin e kaluar. Aktiviteti ndërkufitar, duke përfshirë bashkimet dhe blerjet, ka mbetur gjithashtu i dobët.
Performanca e njësive të bankave të investimeve mund të mos tregojë pamjen e plotë të biznesit të bankave në Kinë. Disa banka kanë njësi të tjera në vend dhe shumë përdorin marrëdhëniet e krijuara përmes biznesit në vend, për të gjeneruar të ardhura, që ruhen në Hong Kong ose gjetkë.
Shifrat e vitit 2023 janë në kontrast të fortë me vitin 2021, një vit rekord për bankat e investimeve në nivel global, kur gjashtë nga shtatë kishin fitime në operacionet e tyre në Kinë.
Njësia kontinentale e HSBC e kundërshtoi trendin, duke pasur fitim për herë të parë.
“Ky vrull ka ardhur nga baza në rritje e klientëve të HSBC dhe aftësitë e zgjeruara të produkteve,” tha një zëdhënës. /Financial Times