Banka Europiane e Investimeve (EIB) synon të rrisë investimet e mbrojtjes si dronët, satelitët dhe siguria kibernetike, duke synuar të injektojë 6 miliardë euro të tjera në sektor.
Plani nënvizon një gatishmëri në rritje në Europë, për t’u dhënë hua kompanive të mbrojtjes, pasi pushtimi rus i Ukrainës ndryshoi një pikëpamje të rrënjosur, se rajoni ishte i sigurt nga sulmet dhe se mund të mbështetej te Shtetet e Bashkuara për mbrojtje.
“Është e qartë se ne duhet të përforcojmë industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes të Europës,” tha presidentja e EIB Nadia Calvino. “Ne kemi parashikuar 8 miliardë euro për të investuar në këtë fushë, prej të cilave vetëm 2 miliardë janë investuar.
Masa shënon një tjetër përpjekje modeste të Europës, për të ‘konkuruar’ Rusinë, e cila e ka vënë të gjithë ekonominë e saj në bazë lufte.
Calvino tha se një ekip special ishte krijuar për të investuar paratë. “Ne kemi krijuar një zyrë të veçantë, për të përshpejtuar përdorimin e 6 miliardë eurove,” tha ajo.
“Ne jemi duke u angazhuar në mënyrë aktive me industrinë Europiane, kështu që duhet të pritet, që një mori projektesh të zhvillohet në pjesën e dytë të vitit,” tha ajo, duke theksuar sigurinë kufitare, lëvizshmërinë ushtarake, çminimin dhe spitalet ushtarake.
EIB, e mbështetur nga vendet e rajonit, ka një ndikim të madh financiar, megjithëse po ecën me kujdes në mbështetjen e mbrojtjes. Ajo ka mbështetur një projekt satelitor në Poloni dhe një prodhues gjerman të dronëve, por qëndron larg nga municionet, për shembull.
EIB ka ndryshuar së fundmi rregullat, që mbështesin aktivitetin e saj, duke e lejuar atë të japë hua ose të investojë në mënyrë indirekte në firmat e mbrojtjes.
Tim Laërenson i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, tha se masa ishte simbolikisht e rëndësishme dhe do të dërgonte një sinjal për bankat e tjera, të cilat shpesh merrnin drejtimin e tyre nga EIB, se ishte e pranueshme të mbështeteshin kompanitë e mbrojtjes.
“Çdo tank Europian përbëhet nga mijëra pjesë të ndërtuara, nga qindra furnizues të vegjël të mbrojtjes në të gjithë Europën,” tha ai. “Këto kompani kanë luftuar për të marrë hua dhe do të përfitojnë më së shumti.”
“Sigurisht, 8 miliardë euro janë të vogla, kur krahasohen me shpenzimet Europiane të mbrojtjes në vitin 2024 prej 476 miliardë dollarësh, akoma më pak nga shpenzimet e SHBA-së prej 968 miliardë dollarësh”, tha ai.
Ndryshimi do të bëjë shumë pak për të trajtuar, sesi prodhimi rus i armëve po e kalon atë të Ukrainës.
“Buxheti shtetëror i Ukrainës për mbrojtjen është 10 miliardë euro,” tha Herman Smetanin, CEO i JSC UDI, prodhuesi shtetëror i armëve në Ukrainë. “Rusia po shpenzon dhjetë herë më shumë. Është e vështirë të luftosh një luftë me një çekuilibër të tillë.”
Bashkimi Europian, i cili me aleatët e tjerë perëndimorë, dëshiron të përmbajë përparimet ruse dhe të zmbrapsë një rival gjithnjë e më të sigurt, nisi një iniciativë në mars 2023 për të dorëzuar një milion predha artilerie në Ukrainë brenda 12 muajve.
Por, ajo dorëzoi pak më shumë se gjysmën e kësaj sasie brenda afatit. / Reuters