Përtej Francës, zgjedhjet europiane nuk do të sjellin shumë ndryshime
Zgjedhjet europiane. Jashtë Francës dhe Gjermanisë, politika centriste vazhdon të mbizotërojë, shkruan The Economist
Në vitet e fundit, zgjedhjet europiane kanë çuar në zbehjen e pushtetit të partive centriste dhe rritjen e pushtetit të partive të së djathtës së ashpër.
Zgjedhjet e Parlamentit Europian në mbarë kontinentin, që u mbajtën midis datave 6 dhe 9 qershor, shënuan një kthesë tjetër: një rritje të fortë të partive nacionaliste në Francë dhe Gjermani, edhe pse aleatët e tyre në pjesën tjetër të bllokut, nuk bënë shumë përparim. Politika centriste është dëmtuar, por ende qëndron.
Kur dolën rezultatet e zgjedhjeve europiane më 9 qershor, e gjithë vëmendja u përqendrua në Francë, pas vendimit të presidentit Emmanuel Macron për të mbajtur zgjedhje parlamentare kombëtare, pasi partia “Tubimi Kombëtar” (RN) i rivales së tij Marine Le Pen, mundi partinë liberale të zotit Macron.
Partia e Le Pen kishte marrë shumicën e votave franceze në BE edhe në vitet 2014 dhe 2019, por këtë herë, diferenca ishte aq e madhe, sa që 30 deputetët e saj do të jenë delegacioni më i madh në Parlamentin Europian prej 720 vendesh.
Edhe rezultati i Gjermanisë ishte i jashtëzakonshëm. Partia nacionaliste e së djathtës së rreptë, e quajtur AfD, një parti e cila ndryshe nga partia e djathtë franceze RN, nuk i ka zbutur pikëpamjet ksenofobe për të tërhequr votues, mori 16% të votave, duke mposhtur të tria partitë në koalicionin qeveritar.
Kështu, Partia Social Demokrate e kancelarit Olaf Scholz pësoi rezultatin më të keq në zgjedhjet kombëtare në mbi një shekull. Partia Kristian Demokrate e qendrës së djathtë pati rezultat të mirë, duke kryesuar me 30% të votave dhe duke i bërë ata favoritë për zgjedhjet federale që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Përveç Francës dhe Gjermanisë, kishte edhe shtete të tjera ku pati sukses e djathta e ashpër. Për shembull, në Austri, doli në krye Partia e Lirisë, e cila i përket grupit parlamentar të së djathtës së rreptë, të quajtur “Identiteti dhe Demokracia” ku bëjnë pjesë edhe partia franceze RN dhe deri në kohët e fundit, ajo gjermane AfD, para se të përjashtohej nga grupi.
Në Belgjikë, fitoi një parti nacionaliste flamande, e quajtur “Aleanca e Re Flamande”, e cila në fakt është shumë më e moderuar se partia nacionaliste Vlaams Belang, që ishte favorite në sondazhe. Udhëheqësi i aleancës, Bart De Wever, mund të jetë kryeministri i ardhshëm i Belgjikës.
Kjo do të nënkuptonte se mund të ketë një tjetër udhëheqës kombëtar në BE, që vjen nga një parti e bllokut të djathtë europian, të quajtur “Konservatorët dhe Reformistët Europianë” (ECR), ku bëjnë pjesë partitë euroskeptike të djathta të Parlamentit Europian.
Por po aq të dukshme ishin edhe shtetet ku nuk arritën të fitonin forcat nacionaliste. Geert Wilders, nacionalisti që fitoi më shumë vota në zgjedhjet holandeze në nëntor, këtë herë humbi ndaj kundërshtarëve të qendrës së majtë. “Demokratët e Suedisë”, një parti postfashiste që bën pjesë në grupin ECR, pati gjithashtu një rezultat negativ, duke rënë nga vendi i dytë në të katërtin.
Në Spanjë dhe Portugali, e djathta e rreptë, doli më dobët se në garat e fundit kombëtare. Në Poloni, kryeministri centrist Donald Tusk, mposhti partinë euroskeptike “Ligji dhe Drejtësia”.
Funksionarët në të djathtën e rreptë, patën rezultate të përziera. Partia e kryeministres italiane Giorgia Meloni, e lidhur me grupin ECR, mori shumicën e votave në Itali, por qendra e majtë ishte shumë afër. Kryeministri pro-rus i Sllovakisë,
Robert Fico, i cili kohët e fundit i mbijetoi një tentative për vrasje, humbi ndaj rivalëve liberalë. Dhe një forcë e re opozitare është shfaqur në Hungari. Partia Fidesz e kryeministrit Viktor Orban doli në vend të parë, por një aleat i kthyer në rival, Peter Magyar, fitoi gati 30% të votave.
Pavarësisht ndikimit të madh që do të kenë zgjedhjet europiane në politikën e brendshme të shteteve anëtare, synimi i zgjedhjeve pesëvjeçare të BE-së është të përcaktohet drejtimi politik i institucioneve të bllokut në Bruksel.
Megjithëse anëtarët e Parlamentit Europian kanë pak kompetenca në krahasim me udhëheqësit kombëtarë, mbështetja e tyre është thelbësore për miratimin e politikave kyçe në BE, si ulja e emetimeve të karbonit deri në vitin 2050, ose ndihma e vazhdueshme për Ukrainën.
Parashikimet e hershme politike tregojnë se këto politika do të vazhdojnë të mbeten në fuqi. Kjo për shkak se fituesja më e madhe e zgjedhjeve ishte Partia Popullore Europiane e qendrës së djathtë, e cila fitoi 26% të votave, nën udhëheqjen e komisioneres europiane Ursula von der Leyen.
Udhëheqësit e BE-së do të takohen në datat 17 dhe 27 qershor dhe pritet që të miratojnë Von Der Leyen për një mandat të dytë pesëvjeçar, si drejtuese e krahut ekzekutiv të bllokut. Por për të marrë ratifikimin nga Parlamenti Europian, zonjës Von der Leyen do t’i duhet një shumicë e deputetëve të ardhshëm europianë.
Koalicioni që ajo përdori për të siguruar mandatin e parë, i përbërë nga socialistët, liberalët dhe partia e saj PP, do të ketë pak më shumë se 400 vende në parlament, shumë më tepër se minimumi i nevojshëm prej 361 vendesh. Por për shkak se votimi është i fshehtë dhe grupet parlamentare janë të ndara, do të kërkohet një manovër politike për të krijuar një aleancë të qëndrueshme që do ta mbështeste atë.
Në fillim, pritej që zonja Von der Leyen të zgjeronte koalicionin për të marrë votën e nevojshme.
Disa thoshin se ajo do të përpiqej të joshte partinë e zonjës Meloni për t’u bashkuar me koalicionin centrist. Kjo mund të mos jetë më e nevojshme. Ironikisht, votat më të lehta për t’u marrë, mund të vijnë pikërisht nga të Gjelbrit, të cilët dolën dështakë në zgjedhje.
Çdo garanci, qoftë edhe e pjesshme, se Komisioni Europian do të vazhdojë përpjekjet për emetime neto zero deri në vitin 2050, do të jetë e mjaftueshme për të fituar votat e tyre.
Përveç zonjës Von der Leyen, duket se mund të bihet dakord shpejt për postet e tjera kryesore në BE. António Costa, ish-kryeministër socialist i Portugalisë, mund të bëhet presidenti i Këshillit Europian.
Kryeministrja estoneze Kaja Kallas, pritet të bëhet kryediplomatja e bllokut për çështjet e jashtme. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, kjo do të zbehë frikën e përgjithshme që kishte pushtuar bllokun se e djathta e rreptë do të bënte kërdinë në Bashkimin Europian.
Përktheu: Lira Muça