BERZH dhe donatorët ndihmojnë familjet në Ballkanin Perëndimor që të investojnë në efikasitetin e energjisë
Në më pak se shtatë vjet, më shumë se 18,000 familje në Ballkanin Perëndimor kanë investuar mbi 100 milionë euro në masat e kursimit të energjisë si izolimi, pompat e nxehtësisë, dritaret e reja dhe panelet diellore, falë Ndihmës për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër të Ballkanit Perëndimor (GEFF), një program që nisi në vitin 2017.
Për të vlerësuar programin, në Sarajevë të Bosnjës, u mbajt një konferencë rajonale e quajtur Gjelbërimi i Ballkanit Perëndimor. Konferenca u ndoq nga pothuajse 200 palë të interesuara nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe përfaqësues të institucioneve financiare ortake, rregullatorë dhe komunitetet e donatorëve.
Përfaqësuesit e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), thanë se këto masa kishin arritur të ulnin emetimet e gazit CO2 me më shumë se 25,000 tonë në vit dhe po mundësonin kursime vjetore të energjisë prej 70,000 MW/h.
Në konferencë u bisedua me detaje për përshpejtimin e mëtejshëm të tranzicionit drejt një ekonomie të gjelbër në vitet e ardhshme.
Konferenca u hap nga Srđan Amidžić, ministër i Financave dhe i Thesarit i Bosnjë-Hercegovinës. Ai theksoi se programi GEFF për Ballkanin Perëndimor po luan rol vendimtar duke mbështetur dekarbonizimin e sektorit të banesave në Ballkanin Perëndimor dhe duke zbatuar axhendën e gjelbër.
Ai tha: “Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është një nga investitorët më të mëdhenj institucionalë në Bosnjë-Hercegovinë dhe ofron mbështetje domethënëse për zhvillimin e sektorit privat, përmes mbështetjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, forcimin e sektorit financiar dhe investimet e mëdha në projekte infrastrukturore.
Bankat në Bosnjë-Hercegovinë kanë treguar një përgjegjësi sociale shembullore, sepse tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër është një sfidë sociale dhe biznesi.
Ftoj të gjitha bankat të marrin pjesë në këtë projekt financimi me kosto efektive dhe të kontribuojnë në financimin e teknologjisë së gjelbër, efikasitetin e energjisë dhe përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike, që është një nga detyrimet kryesore të Bosnjë-Hercegovinës, si një shtet kandidat në rrugën drejt Bashkimit Europian”.
Pas paraqitjes së programit GEFF në Ballkanin Perëndimor dhe rritjes së interesit për masat e efikasitetit të energjisë, kapaciteti financues i programit GEFF të Ballkanit Perëndimor është rritur në 415 milionë euro, me plane për të zgjeruar programin edhe më tej në të ardhmen.
Financimi do të kanalizohet përmes PFI-ve (nisma të financimit privat) lokale, duke lejuar edhe më shumë familje në rajon që të rrisin efikasitetin energjetik të shtëpive të tyre.
Aleksandra Vukosavljević, drejtoresha e Institucioneve Financiare të BERZH-it për Ballkanin Perëndimor dhe Europën Lindore, tha: “Programi GEFF për Ballkanin Perëndimor, ka ndihmuar në përparimin e tranzicionit të rajonit drejt një ekonomie ekologjike, duke ulur emetimet e karbonit dhe kostot e energjisë elektrike në sektorin e banesave, duke ndihmuar familjet dhe komunitetin, dhe duke rritur qëndrueshmërinë ekonomike dhe mjedisore.
Jemi të kënaqur që mbështetja jonë ka ndihmuar kaq shumë familje në Ballkanin Perëndimor, që të investojnë në kursimin e energjisë. Luftimi i ndotjes së ajrit dhe ulja e përdorimit të energjisë janë dy nga prioritetet kryesore të BERZH-it në rajon.
Duke qenë se sektori i banesave është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në konsumin e energjisë në Ballkanin Perëndimor, ne do të vazhdojmë të rrisim mbështetjen në këtë fushë, ku programi GEFF është një nga shtyllat kryesore për rritjen e efikasitetit të energjisë në sektorin e banimit”.
Në konferencën në Sarajevë, u bisedua edhe për nismat e financimit privat. Çmimi i Artë i BERZH për Qëndrueshmërinë, për vitin 2024, në kategorinë e Risisë Mjedisore dhe Sociale, iu dha Erste Bank të Serbisë. Ky çmim vlerësoi risinë e jashtëzakonshme të Erste Bank dhe kontributin e saj të çmuar si ortak në programin GEFF të Ballkanit Perëndimor.
U vlerësuan zyrtarisht 30 PFI (nisma të financimit privat) në Ballkanin Perëndimor, për performancën e tyre të shkëlqyer.
Gjatë konferencës, u zhvilluan bisedime të rëndësishme, duke u përqendruar në rolin kyç që sektori financiar ka luajtur në nxitjen e tranzicionit të gjelbër, krahas reformave që synojnë përshpejtimin e investimeve, si pjesë e një “vale risie”.
Këto bisedime mbuluan teknologjitë e gjelbra në qendrat e banimit, investimet në ndërtimin e qëndrueshëm dhe strategjitë për të përmirësuar përdorimin e ardhshëm të programit GEFF në Ballkanin Perëndimor.