Bizneset me ose pa zë
Ishte viti 2016, kur qeveria e majtë, pak kohë pasi kishte ardhur në pushtet, propozoi një projektligj për anëtarësimin me detyrim të bizneseve në një Dhomë tregtie.
Presidenti i Republikës i kohës e ktheu për rishqyrtim në Kuvend këtë projektligj, duke e motivuar qëndrimin e tij në mënyrë shteruese. Në vijim, propozimi u la në heshtje pas kundërshtimeve të biznesit, që e quajtën anëtarësimin me detyrim një taksë të fshehtë, ndërsa pohuan se nëpërmjet kësaj skeme, qeveria do ta kontrollojë me lehtësi biznesin, ndërsa shmang rolin e Dhomave aktuale, pjesa më e madhe e të cilave funksionon si e pavarur, duke u bërë oponencë politikave qeveritare.
Tetë vite më pas, qeveria e risolli sërish këtë propozim nëpërmjet projektligjit “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”.
Qeveria thotë se nëpërmjet tij synon të rrisë anëtarësimin e bizneseve në dhoma, që është shumë i ulët, duke nxitur dhe përfaqësimin e të gjithë kategorive të biznesit. Ky është një model i ngjashëm me shtete të tilla si Austria, Italia, Kroacia, Greqia, Gjermania etj.
Bizneset, ndonëse në parim nuk janë kundër riorganizimit të dhomave të tregtisë, e kanë kundërshtuar fort atë në mënyrën se si paraqitet.
Dhomat, kryesisht ato që përfaqësojnë investitorët e huaj dhe shoqatat, janë bërë bashkë, duke përshkallëzuar kundërshtimet e tyre, pasi vërejtjet fillestare nuk u morën parasysh në projektligjin që u publikua për konsultim publik.
Në një shkresë të fundit, ata kërkuan dhe ndihmën e Ambasadave në një sinjal se sipërmarrësit e huaj janë realisht të shqetësuar nga mungesa e komunikimit dhe anashkalimi i sugjerimeve të tyre.
Shqetësimi kryesor i tyre lidhet me mbivendosjen dhe dublimin e funksioneve të tyre aktuale dhe anëtarësimin me detyrim. Këtë të fundit e quajnë sërish një taksë të fshehtë për bizneset. Ndërsa për subjektet e vogla, tarifa është fikse prej 1000 lekë në vit, për të tjerët, tarifa mbetet e paspecifikuar në bazë të xhiros vjetore.
Nuk jepen shpjegime as për natyrën e shërbimeve që do t’i ofrohen sipas kategorive të biznesit, apo një listë të përfitimeve që biznesi do të ketë, sipas kategorisë ku do të anëtarësohen në mënyrë të detyrueshme. Subjektet e reja duhet të depozitojnë në Regjistrin Tregtar pranë QKB-së mandatin e pagesës vjetore të tarifës së Dhomës, përndryshe QKB-ja nuk do të pranojë të kryejë asnjë depozitim në Regjistrin Tregtar për këtë subjekt.
Këto “kushte”, u vihen subjekteve pa bërë transparente natyrën e shërbimeve që do t’u ofrohen sipas kategorive të biznesit. Pra, Dhoma Ekonomike Kombëtare, ndryshe nga të gjitha organizimet e sotme më në zë të përfaqësimit real të sipërmarrjes, do të funksionojë falë të ardhurave që do të mblidhen në sajë të forcës së ligjit.
Nuk ka argumente se pse Dhoma aktuale e Industrisë dhe Tregtisë nuk ka funksionuar, por pretendohet se Dhoma Ekonomike Kombëtare mund të funksionojë më mirë në mbrojtje të interesave të biznesit.
Për më tepër që në Shqipëri, shërbimet kryesore i kryen Qendra Kombëtare e Biznesit dhe vlera e shtuar që do t’u ofrohet subjekteve pritet të jetë shumë e ulët. Të gjitha aktivitetet e tjera duket se janë njësoj me ligjin ekzistues dhe ndryshimi kryesor është regjistrimi i detyrueshëm i bizneseve.
Modele të ngjashme, si Italia, që janë marrë shembull, kanë traditë shumëvjeçare dhe ofrojnë shumë shërbime për bizneset, si regjistri tregtar etj. Por, në kahun tjetër, në Itali, janë të zhvilluara dhe organizimet e biznesit në baza vullnetare, si “Confindustria”, që është zëri i sipërmarrjes italiane.
Projektligji, në fakt, nuk prek organizimet ekzistuese apo të atyre që mund të krijohen në të ardhmen në formën e shoqatave, fondacioneve, organizatave jofitimprurëse.
Por, indirekt, pozitat e Dhomave dhe organizmave të tjerë të biznesit pritet të dobësohen, sidomos financiarisht, për shkak të anëtarësimit me detyrim në Dhomën Kombëtare të anëtarëve të tyre (ndonëse përcakton lehtësi në pagesa nëse je i anëtarësuar në një tjetër Dhomë).
Aq më tepër që edhe këto të fundit, krahas anëtarëve, duket se janë të detyruara për t’u bërë pjesë e kësaj Dhome.
E vendosur në kontekstin shqiptar, duket se shqetësim kryesor i bizneseve është se ky mekanizëm, në formatin si propozohet dhe mënyrën sesi do të implementohet, mund të rezultojë kundërproduktiv, ose t’i shërbejë veç një grupi të ngushtë interesash, duke u shndërruar në një fasadë për përfaqësimin dhe promovimin e interesave të ligjshëm të anëtarëve të saj.
Ndaj ligji rrezikon që në vend që të forcojë zërin e biznesit dhe koralitetin e tij, realisht ta dobësojë edhe më tej atë, duke shuar gradualisht dhe ato organizma që sot janë mbrojtësit më të mëdhenj të sipërmarrjes (edhe pse këto të fundit në fakt do të duhet të ndryshojnë modelin e përqasjes të tyre).
Biznesi po gjen hapur mbështetje dhe nga Ambasadat e huaja. Siç deklaroi së fundmi dhe ngarkuari në Detyrë i Ambasadës Amerikane në Shqipëri, z. David Wisner, Dhoma është një zë kyç për sektorin privat. “Dhe, sa më shumë që Dhomat mund të jenë të lira për të bërë llojin e punës që bëjnë, përkrahja për bizneset, për rritjen e vërtetë të sektorit privat, organik dhe të pavarur është tërësisht kritike”.