Nëse planet marrin dritën e gjelbër, anijet e lundrimit do të ndalohen të hyjnë tërësisht në qendër të qytetit të Amsterdamit nga viti 2035.
Amsterdami po ndërmerr hapa të rinj për të luftuar mbiturizmin, duke nisur planet për të zhvendosur terminalin e tij të lundrimit të pasagjerëve, jashtë qendrës së qytetit.
Deri në vitin 2035, asnjë nga anijet nuk do të jetë në gjendje të ankorohet në kryeqytetin e famshëm.
Njoftimi vjen mes planeve, që synojnë pothuajse përgjysmimin e numrit të anijeve të lundrimit, të lejuara të ankorohen në Terminalin e Pasagjerëve në Amsterdam (PTA).
Pse autoritetet e Amsterdamit e kanë marrë këtë vendim?
Deri në vitin 2027, çdo anije në terminalin e Amsterdamit do t’i kërkohet të përdorë energjinë në breg, vetëm për të zvogëluar ndikimin e tyre mjedisor.
“Me këto masa, qyteti po zbaton dëshirën e këshillit bashkiak për t’i dhënë fund terminalit të lundrimit në Amsterdam,” tha një zëdhënës i Këshillit Bashkiak të Amsterdamit.
“Ndalimi i anijeve të lundrimit është gjithashtu pjesë e një pakete të gjerë masash për të kufizuar rritjen e turizmit dhe për të luftuar shqetësimin e shkaktuar prej tyre.”
Nënkryetari i bashkisë së qytetit, Hester van Buren, shtoi: “Udhëtimi në det është një formë ndotëse e turizmit dhe kontribuon në turmat dhe emetimet në qytet.
Duke kufizuar lundrimet në det, duke kërkuar energji në breg dhe duke synuar, që terminali i lundrimit [PTA], të lëvizë nga vendndodhja e tij aktuale në vitin 2035, këshilli po zbaton me përgjegjësi propozimin për të ndaluar lundrimet në det.
Çfarë do të thotë ndalimi për Amsterdamin si qendër turistike?
Ndërsa planet pa dyshim do të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve mjedisore në Amsterdam, ka shqetësime se të ardhurat e gjeneruara nga turizmi do të kenë një rënie të mprehtë.
Mendohet se, duke zvogëluar numrin e pasagjerëve të lundrimit dhe kompanive të transportit detar në qytet, muzetë, restorantet, dyqanet dhe kompanitë turistike mund të humbasin.
Këshilli i qytetit të Amsterdamit e ka pranuar këtë çështje të mundshme.
“Për qytetin kjo do të thotë më pak të ardhura sepse mblidhet më pak taksa turistike dhe për shkak të pagesës më të ulët të dividentit si aksioner i autoritetit portual”, thotë një zëdhënës.
“Pasojat financiare të vendimit do të përfshihen në memorandumin e ardhshëm buxhetor. Në buxhetin e vitit 2025 ende nuk priten pasoja nga ky vendim”.
Aktualisht, anijet turistike sjellin rreth 105 milionë euro përfitime ekonomike në vit për qytetin dhe, pavarësisht zhvendosjes së planifikuar, ekspertët thonë se kjo nuk ka gjasa të ndryshojë shumë.
Amsterdami pranon rreth 21 milionë vizitorë çdo vit – dhe vetëm një për qind e këtij numri, mbërrijnë me anije turistike.
Edhe nëse pasagjerët nuk zbresin pikërisht në qendër, ata do të jenë ende në gjendje ta vizitojnë qytetin, falë sistemit të transportit publik të klasit botëror që Holanda ka.
/ Shqip.al