Agjencia e Ushqimit kthen në Shqipëri 485 dele dhe 25 qingja të ndaluara në territorin e Kosovës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se, në bashkëpunim me autoritetet kompetente, ka marrë vendim për kthimin në vendin e origjinës të kafshëve të ndaluara, të cilat janë futur ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi sot se ka marrë vendim për kthimin në vendin e origjinës të një grupi të madh kafshësh të cilat janë futur ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës. Bëhet fjalë për 485 dele dhe 25 qingja të kontrabanduara.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja është regjistruar më 16 nëntor në Prizren, ku autoritetet kufitare kanë ndaluar kafshët që kishin hyrë në mënyrë të paautorizuar nga Shqipëria.
“Më datë 16.11.2025, Policia Kufitare, Dogana dhe Shërbimi Veterinar kanë ndaluar në Prizren një grup kafshësh të kontrabanduara të llojit dele dhe dhi, të cilat kishin hyrë në mënyrë të paautorizuar nga Republika e Shqipërisë. Për shkak se këto kafshë nuk posedonin certifikata shëndetësore veterinare dhe paraqisnin rrezik për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, AUV ka kthyer në vendin e origjinës, Shqipëri, 485 dele dhe 25 qingja. Veprimet e ndërmarra janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Policinë Kufitare, Doganën dhe Prokurorin e Shtetit”.
AUV ka theksuar se vazhdon monitorimin e rreptë të lëvizjes dhe gjendjes shëndetësore të kafshëve në të gjithë territorin e vendit, për të shmangur rreziqet e futjes së sëmundjeve ngjitëse që mund të dëmtojnë blegtorinë dhe ekonominë bujqësore.
Po ashtu, qytetarët janë paralajmëruar për respektimin e rregullave të importit.
“Njëkohësisht, AUV njofton opinionin e gjerë se importi i kafshëve të gjalla lejohet të kryhet vetëm përmes pikave kufitare të autorizuara, ku realizohen kontrollet e detyrueshme dokumentare, identifikuese dhe veterinare, me qëllim që të shmanget çdo rrezik potencial për shëndetin e kafshëve, sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik”, thuhet në njoftim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









