Aftësitë më të kërkuara në punë: Si t’i mbijetoni transformimit të tregut të punës

Më pak se gjysma e punëdhënësve sot e shohin zotërimin e aftësive të Inteligjencës Artificiale (IA) dhe të dhënave si një aftësi thelbësore, por kjo pritet të ndryshojë shumë shpejt, sipas raportit Future of Jobs. Aftësitë po zhvendosen teksa vendet e punës evoluojnë: kërkesa të reja po shfaqen dhe të tjera po zhduken gradualisht.
Ndikimi i inteligjencës artificiale në vendin e punës mbetet një temë e nxehtë debati, por tendencat po marrin formë më të qartë. Me automatizimin e proceseve, kërkesa për disa profesione, sidomos pozicionet hyrëse, ka nisur të bjerë. Po si mund të mbroheni si punonjës?
Raporti Future of Jobs 2025 i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) tregon cilat aftësi punëdhënësit i konsiderojnë më të rëndësishmet për fuqinë e tyre punëtore. Raporti mbështetet në të dhënat e mbi 1,000 punëdhënësve të mëdhenj globalë që përfaqësojnë mbi 14 milionë punonjës në 22 industri dhe 55 ekonomi në mbarë botën.
Mendimi analitik, qëndrueshmëria, fleksibiliteti dhe lidershipi
“Mendimi analitik” është aftësia më e kërkuar, sipas WEF, dhe rreth 69% e punëdhënësve thonë se ajo është thelbësore. “Qëndrueshmëria, fleksibiliteti dhe aftësia për t’u përshtatur” renditen në vend të dytë, me 67% të punëdhënësve që i konsiderojnë këto aftësi jetike.
Teksa aftësitë vazhdojnë të evoluojnë, “aftësitë drejtuesi dhe ndikimi social” mbeten të rëndësishme: rreth 61% e punëdhënësve thonë se kjo aftësi është bazë për fuqinë e tyre punëtore.
Krahas “mendimit analitik”, edhe “mendimit krijues” shihet si aftësi kyçe, e cituar nga 57% e punëdhënësve.
“Motivimi dhe vetëdija”, “aftësitë teknologjike”, “empatia dhe dëgjimi aktiv” dhe “kurioziteti dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës” janë po ashtu aftësi që të paktën gjysma e punëdhënësve i konsiderojnë thelbësore.
Nga ana tjetër, më pak se gjysma e punëdhënësve e konsiderojnë “IA dhe të dhënat masive” (big data) si aftësi bazë për sot. “Njohja e shumë gjuhëve të huaja” dhe “qytetaria globale” gjithashtu shfaqen me kërkesë relativisht të ulët. Aftësia më pak e cituar është “aftësia e përpunimit shqisor”, e përmendur vetëm nga 6%.
Punëdhënësit thonë se “IA dhe big data” do të kenë rritjen më të madhe
Punëdhënësit u pyetën gjithashtu nëse secila aftësi do të rritet, do të bjerë apo do të mbetet e njëjtë deri në vitin 2030. Rezultatet jepen si rritje neto, pjesa që pret rritje minus pjesa që pret rënie.
Kërkesa për aftësi teknologjike pritet të rritet më shpejt se çdo kategori tjetër gjatë pesë viteve të ardhshme. pjesa dërrmuese e të anketuarve treguan te “IA dhe big data”, që pritet të rriten me 87%. “Rrjetet dhe siguria kibernetike” (70%) dhe “aftësitë teknologjike” (68%) ndjekin pas.
Përveç aftësive teknologjike, pritet të rritet rëndësia edhe e “mendimi krijues”, si edhe dy aftësive socio-emocionale, “qëndrueshmëria, fleksibiliteti dhe aftësia për t’u përshtatur” dhe “kurioziteti dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës”.
“Lidershipi dhe ndikimi social” si edhe “menaxhimi i talenteve” parashikohen të mbeten gjithashtu shumë të kërkuara.
Punëdhënësit presin vetëm dy aftësi të bien në rëndësi: “aftësitë manuale, qëndrueshmëria fizike dhe precizioni” si edhe “leximi, shkrimi dhe matematika”.
“Pandemia COVID-19, së bashku me përparimin e shpejtë të teknologjive të reja, solli ndryshime të mëdha në jetën profesionale dhe aftësitë, duke bërë që pjesëmarrësit të parashikojnë nivele të larta paqëndrueshmërie të aftësive,” thuhet në raport.
Raporti thekson gjithashtu se niveli i tronditjes së aftësive nuk është i njëjtë në të gjitha ekonomitë dhe industritë. Ekonomitë me të ardhura të ulëta-mesatare dhe mesatare-të larta parashikojnë ndryshime më të mëdha në aftësitë e punëtorëve, ndërsa ekonomitë me të ardhura të larta presin më pak tronditje.
Për shembull, nga 55 ekonomitë e analizuara, 10 nga 12 vendet që presin më pak ndryshime në aftësitë nga 2025 në 2030 ndodhen në Europë, përfshirë Danimarkën, Holandën, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë. / Euronews
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









