Shuma që bankat nuk shpresojnë se do të rikuperojnë më nga kredia që ato kanë dhënë për biznesin privat apo për individët është rritur në mënyrë të frikshme, me 40%, vetë gjatë vitit 2012, duke arritur në 310 milionë euro, nga 220 milionë euro në fund të 2011. Të dhënat janë llogaritur në bazë të nivelit të kredive të këqija dhe stokut të huasë, që publikohen nga Banka e Shqipërisë.
Totali i huave me probleme në fund të vitit 2012 arriti në 22.76% të totalit, sipas Bankës së Shqipërisë, duke arritur në nivelin më të lartë që nga viti 2000, kohë kur sistemi bankar, në pjesën më të madhe shtetëror, po ristrukturohet duke fshirë gjithë huat me probleme . Në total, huat me probleme në sistemin bankar, në vlerë absolute kanë arritur në 914 milionë euro, nga e cila një e treta konsiderohen të humbura. Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, kreditë problematike të sistemit bankar kanë arritur në rreth 10% të tij.
Pasi qënduar në nivele të ulëta nga viti 2001, huat jo performuese filluan të rriteshin me shpejtësi që nga fundi i vitit 2008, kohë kur sistemi bankar shqiptar filloi të ndiente pasojat e krizës financiare globale nga njëra anë dhe ekonomia shqiptare filloi të ngadalësonte ndjeshëm ritmet e rritjes, që zbritën nga 8% në 2008-n, në 2-3% në 2009-2012.
Në krahasim me fundin e 2011-s, huat problematike janë shtuar me gati 4 pikë përqindjeje, duke ngadalësuar gjithsesi ritmet e rritjes, në krahasim me 5.3% që u ngrit ky tregues në raport e fundin e 2010-s. Ndërsa ai arriti nivelin maksimal në nëntor 2012 me 23%, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, u ul më pas në dhjetor, nën këtë nivel.
Ritmin më të shpejtë të rritjes e ka shënuar treguesi i huave të humbura, që u shtua me 2.3 pikë përqindje përgjatë 2012-s; ndërsa huat e dyshimta dhe ato nënstandarde u rritën përkatësisht me 1.3 dhe 0.5 pikë përqindjeje.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.